Home | Politics | Demokracinë Shqiptare po e "bëjnë" njerëzit me dosje…

Demokracinë Shqiptare po e "bëjnë" njerëzit me dosje…

image
 Demokracia e vërtetë është një akuzë për një sistem të tërë të ngritur mbi arbitraritetin, dogmën dhe injorancën, mbi parazitizmin dhe vanitetin e fshehur pas ligjeve të ashtuquajtura “shtetërore”.

 

 

 

 

Nga Leon Qafzezi 

 

 

 

 

Në këto 24 vjet demokraci të lodhur për shqiptarët, loja me dosjet e sigurimit të shtetit, apo ligji i ilustracionit për pastrimin e figurave politike, ka qenë kthyer në një lojë tepër infantile. Për nga rëndësia e tij dhe serioziteti për një vend demokratik modern, ai është në një nivel me dhënien e pronave atyre që i takojnë, apo dhe me “shenjtërinë” e votës së lirë.. Kjo çështje e mbetur në sirtar, tepër e debatuar, dhe e vonuar në kohë dhe hapësirë nga ata që duan një demokraci të pastër dhe atyre që duan ta kamuflojnë pastërtinë sepse është në dëm të tyre nëse “hapet” e kanë pasur në dorë ta kthejnë atë në një “show” për ti hedhur hi syve masave gjatë fushatave, dhe për kredibilitet politik pragmatist… Janë ngritur deri më sot dy komisione parlamentare për çështjen e dosjeve të sigurimit, pra, për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë shtetërorë, mbas hapjeve të dosjeve. Komisioni i parë ka qenë Komisioni “Mezini” i ngritur nga PD-ja dhe ai i dyti, më analitik ka qenë Komisioni “Bezhani” i ngritur nga PS-ja. Por shumë zhurmë për asgjë, si në një komedi shekspiriane... Dosjet nuk u hapën, ato qëndrojnë të mbyllura edhe sot e kësaj dite. Dhe nuk kanë për tu hapur kurrë! Në mos janë asgjësuar, përpunuar dhe manipuluar sipas interesave imediate.Përse e pengon hapjen e dosjeve politika shqiptare? Ka të drejtë të bëjë pyetjen ai qytetari i thjeshtë aq i përfolur kohët e fundit. Kush ka frikë nga hapja e dosjeve? Po a ekzistojnë më dosjet?

 

 

 

Është vënë re rëndom në seancat parlamentare, që kur dikush nga deputetët hedh një kritikë për kryeministrin, pavarësisht se kujt ngjyre i përket ai, përnjëherë ai ngrihet dhe me një ton denigrues ia pret: “Shiko! Ri urte ti, se te njohim se kush je! Ta hapem dosjen! Jo po të mos kemi llafe pastaj…”. Dhe e gjitha kjo shoqërohet me një gaz cinik që duartrokitet nga pala e tij në unison. Por kur e merr pala tjetër përsëri e njëjta skenë përsëritet, “kërcënohet” me hapjen e dosjes, ai që tashme ka “ndërruar” rolin dhe është kthyer në akuzues… Publiku shqiptare që nga opinioni i politikanëve merret për leshko, e kupton se si “blihet” heshtja reciprokisht dhe e kupton se me kë ka të bëjë. Politikanët kujtojnë se po luajnë bukur nga kjo “lojë kungulleshke” pa arritur të kuptojnë se në opinionin popullor, në sytë e shoqërisë civile, por sidomos të ndërkombëtarëve kanë dalë zbuluar. Ata në radhë të parë demostrojnë mungesën e interesit për një demokraci të vërtetë dhe janë të interesuar vetëm për fasadën e demokracisë. Dihet se “dielli” i demokracisë nuk i ka “ngrohur” të gjithë njësoj, sepse demokracia e vërtetë distancohet nga e kaluara diktatoriale duke i bërë një analizë të thellë minuseve dhe pluseve të asaj kohe që kanë qenë në minorancë me minuset që përbenin shumicën... Si me dosjet luhet edhe me figurën e Enver Hoxhës, palët shpesh herë ja pasojnë njëra tjetrës në mënyrë qesharake.

 

 

 

Duke harruar se mirë keq, Enver Hoxha mbetet një figurë historike, që duhet studiuar me paanësi, për të nxjerrë jo konkluzione të ngutura. Të “zihesh” për bustet e tij, ndërkohë që mentaliteti enverist mbartet nga një pjesë e mirë e “pluralizmit” të sotëm, është përsëri infantilitet, apo një anti-propagandë e dalë boje… Bota ruan në muzeume, figura pozitive dhe negative, sepse do s’do dikush, ata kanë qenë personalitete në kohën e tyre, mbasi kanë luajtur një rol në historinë e vendit te tyre. Është më e ndershme të thuhet se dosjet nuk duhet t’i hapim sepse jemi pjesë e tyre, por i tillë ka qenë sistemi, dhe ne distancohemi nga ajo kohë, duke ia lënë historianëve jo partiakë ti vënë “pikat mbi i” siç thotë populli. Kjo do ishte më e besueshme dhe do ti rehabilitonte edhe ata që ju ka dalë “pseudonimi” sheshit në mënyrë joligjore në publik, se sa të luhet pafundësisht me fajësinë duke i dhënë ngjyrat e pafajësisë me forcën e pushtetit. Demokracia e vërtetë, presupozon në vetvete drejtësinë e munguar. Ajo është për slloganin: “Të dëshmohet për të vërtetën dhe vetëm për të vërtetën!? Demokracia e vërtetë është një akuzë për një sistem të tërë të ngritur mbi arbitraritetin, dogmën dhe injorancën, mbi parazitizmin dhe vanitetin e fshehur pas ligjeve të ashtuquajtura “shtetërore”. Dhe kjo nuk do të thotë se ndodhi dje, dhe nuk mund të ndodhë sot… Që demokracinë e sotme po e bëjnë njerëzit me dosje, këtë e vërteton vetë mos hapja e dosjeve dhe loja e shëmtuar me to... Po Rilindja?!

 

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0