Jonathan Moore: SHBA nuk mbështet asnjë parti...
“Ju keni bërë një rrugë të gjatë që nga rënia e regjimit diktatorial, por keni një të ardhme të ndritur përpara, ne jemi partnerët tuaj dhe ju jeni partnerët tanë”, theksoi Moore.
Drejtori për Europën Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, u ka bërë të qartë politikanëve shqiptarë, se SHBA nuk janë me asnjë parti dhe janë kundër atyre subjekteve që bllokojnë integrimin.
“Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria ka një shoqëri dinamike. Sikundër dinamizmi i partive politike është shumë i madh, madje është shfaqur edhe më shumë se nga çfarë keni nevojë. Është partia e Kryeministrit Rama, partia e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, partia e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, partia e Fatmir Mediut dhe nëse shtrohet pyetja se me cilën parti janë SHBA-të unë po ju them se ne jemi me qytetarët shqiptarë, ne duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE, ne duam të shohim progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë, ne jemi partner të fortë të BE-së”, theksoi Moore.
Ndërsa përgëzoi dialogun mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç, zyrtari i lartë amerikan theksoi se një dialog dinamik mund të ndodhë edhe në Shqipëri, ku Kryeministri të dialogojë me Kryetarin e Bashkisë apo anasjelltas.
“Edhe në SHBA demokratët dhe republikanët nuk bien dakord për një sërë çështjesh në SHBA, por në të gjitha rastet dialogojnë, ndaj të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të dialogojnë mes tyre për të ecur përpara drejt BE. Ajo që mund të ndodhë në muajt e ardhshëm në lidhje me statusin e Shqipërisë për vendin kandidat nuk duhet të kushtëzohet nga ajo që ndodh këtu”, theksoi Moore.
Në këtë kuadër ai shtoi se nëse Shqipëria ia del mbanë që në muajin qershor të marrë statusin e vendit kandidat, atëherë është shumë e rëndësishme që mes palëve të ketë dialog, të ketë një bashkëpunim konkret. “Ju keni bërë një rrugë të gjatë që nga rënia e regjimit diktatorial, por keni një të ardhme të ndritur përpara, ne jemi partnerët tuaj dhe ju jeni partnerët tanë”, theksoi Moore.
Comments (0 posted)
Post your comment