Home | Politics | Vitet e të jetuarit taktikisht

Vitet e të jetuarit taktikisht

image
Ne kemi jetuar në një iluzion. Për vite të tërë, bota ka besuar se tranzicioni nga një rend njëpolar, në një rend shumëpolar do të ishte paqësor, i rregullt dhe i qëndrueshëm, me aktorët e rinj si Kina, Brazili dhe Turqia që do të adaptoheshin me kuadrin ekzistues shumëpalësh, në një mënyrë të natyrshme dhe të harmonishme. Sa shumë që gaboheshim!

 

 

 

 Javier Solana *

 

 

 

Taktikat janë zgjidhje afatshkurtëra që shpesh herë kanë pasoja të rëndësishme e të paparashikuara, duke e bërë të pamundur të parashikosh se çfarë lloj bote do të prodhojnë. Strategjia formon një bosht të ndryshëm veprimi, duke marrë parasysh edhe strukturën e ndërvarësisë globale, e si pasojë, se si ndryshime individualë mund të ndikojnë në të gjithë sistemin. Vetëm duke vënë në lëvizje këtë bosht të strategjisë, ne mund të arrijmë botën që duam: një botë të banushme, të qëndrueshme, të lirë dhe të begatë

 

Ne kemi jetuar në një iluzion. Për vite të tërë, bota ka besuar se tranzicioni nga një rend njëpolar, në një rend shumëpolar do të ishte paqësor, i rregullt dhe i qëndrueshëm, me aktorët e rinj si Kina, Brazili dhe Turqia që do të adaptoheshin me kuadrin ekzistues shumëpalësh, në një mënyrë të natyrshme dhe të harmonishme. Sa shumë që gaboheshim!

 

Në fakt, teksa tranzicioni drejt shumëpolaritetit ka ecur përpara, rendi ndërkombëtar është bërë gjithnjë e më i paqëndrueshëm dhe në tension. Kriza financiare globale e vitit 2008 solli pasiguri dhe mosbesim, duke dëmtuar tendencat kyçe, si globalizimi. Por problemi më i madh ka qenë dështimi i vendeve të zhvilluar – arkitektët e rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore – për të formuluar një strategji gjithëpërfshirëse për të përballuar sfidat globale dhe për të kontrolluar tranzicionin drejt një sistemi të ri ndërkombëtar.

Arsyeja për këtë dështim është e thjeshtë: Perëndimi ka lejuar që shqetësimet taktikë afatshkurtër të pengojnë zhvillimin e një vizioni strategjik afatgjatë. Ky fiksim pas taktikës ka patur ndikim në qeverisje në të gjithë nivelet, që nga administratat lokale deri tek institucionet ndërkombëtarë, duke lejuar aktorë të mëdhenj të veprojnë brenda realiteteve të pakoordinuar, dhe pa objektiva të përbashkët për të udhëhequr vendim-marrjen e tyre.

Sigurisht, ka patur disa përjashtime që ia vlen të shënohen, që kanë ardhur për shkak të përpjekjeve të bashkërenduara për të konsoliduar një vizion strategjik konstruktiv. Për shembull, politika perëndimore ka bërë përparim sa i përket gjetjes së një zgjedhjeje për programin bërthamor të Iranit.

Por në fusha të tjera, mendimi strategjik ka patur mangësi. Për shembull në Ukrainë, konflikti ka ekspozuar dhe ka zgjeruar tensionin mes Rusisë dhe Perëndimit. Beteja e Rusisë post-sovjetike për t’u integruar në rendin ndërkombëtar, bashkë me refuzimin që ajo i bën modernizimit, kanë nxitur një nacionalizëm revizionist të bazuar mbi sferat e influencës.

Dhe nuk është vetëm Rusia që i ka kthyer shpinën modernitetit perëndimor. Lindja e Mesme ka qenë një vatër e nxehtë paqëndrueshmërie të nxitur prej tensioneve historikë, që në shembja e perandorisë otomane një shekull më parë. Tani është mbështjelë nga flakët – kjo edhe për faktin se ndërhyrjet e përsëritura të perëndimit atje janë udhëhequr prej shqetësimeve taktikë dritëshkurtër.

Në të vërtetë, udhëheqësit perëndimorë nuk arritën të parashikojnë pasoajat afatgjata të mbështetjes së autokracive, që u zbuluan gjatë revoltave të pranverës arabe, apo të parashikonin impaktin e ndërhyrjeve të njëpasnjëshme ushtarake në Irak, Siri dhe Libi. Si rezultat, nostalgjia për të kaluarën “e lavdishme” – si për shembull zilia e Shtetit Islamik për kalifatin – po përhapet dhe në Lindjen e Mesme.

Perëndimi nuk ishte i përgatitur për forca globale që shtynin prapa dhe që kërkonin një të ardhme tek e kaluara. Në çdo rast, Lindja e Mesme duhet të lejohet që të marrë “pronësinë” e zgjidhjeve për sfidat me të cilat ndeshet; në fund të fundit, asnjë zgjidhje e imponuar nga jashtë nuk ka funksionuar deri më sot. Përgjegjësia e pjesës tjetër të botës është të ndërtojë një pikëmbështetje të fuqishme për këto përpjekje: një sistem ndërkombëtar gjithëpërfshirës, ku shtetet veprojnë bazuar mbi të njëjtët rregulla dhe norma.

Në menaxhimin e tranzicionit drejt shumëpolaritetit, sfida më e madhe e Perëndimit qëndron në Azi – një rajon që është njëkohësisht dinamik dhe i orientuar nga e ardhmja, si dhe i penguar prej tensioneve dhe ndarjeve historike. Duke pranuar rëndësinë e thellë që ka Azia për rendin botëror, presidenti i SHBA, Obama shpalli një politikë të re të “drejtimit për nga Azia” në vitin 2012.

Por udhëheqësit perëndimorë kanë hezituar ta integrojnë Kinën, aktorin më të fuqishëm ekonomik në Azi, brenda sistemit ndërkombëtar. Në të vërtetë, takimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar – që pranoi se Kina është ekonomia më e madhe për nga pariteti i fuqisë blerëse – e arriti këtë konkluzion pa e rritur peshën e votave të Kinës. Për ta vënë në perspektivë, Kina u la me vetëm pak më shumë vota se Italia, ekonomia e të cilës është sa një e pesta e madhësisë, dhe ka një të katërtën e votave të Amerikës.

Veç kësaj, perëndimi ka kaluar në plan të dytë mbështetjen për krijimin dhe forcimin e kuadreve rajonalë të bashkëpunimit, në fusha kyçe si siguria. Si rezultat, mosmarrëveshjet territoriale dhe pretendimet nacionaliste mbeten një rrezik i fortë për stabilitetin rajonal dhe global.

Por, për Perëndimin, zbatimi i një vizioni afatgjatë kërkon më shumë se sa pranimin e imperativit të vendim-marrjes strategjike; ai kërkon gjithashtu përpjekje për të rivitalizuar sistemet e brendshëm politikë, të polarizuar dhe jofunksionalë. Në SHBA, nuk ka dyshim se mungesa e vizionit strategjik që ka shfaqur politika e jashtme e Obamës është të paktën pjesërisht rezultat i nevojës së tij për të “lundruar” me një sistem defektoz.

Nga ana e tij, Bashkimi Europian ka ndjekur politika dritëshkurtëra përballë sfidave ekonomike, pa parashikuar – dhe pranuar – pasojat sociale dhe politike, duke përfshirë edhe përhapjen e ndjenjave antiBE. Qasja taktike e shteteve anëtarë ndaj problemeve të tyre të veçantë (shpesh herë të përcaktuar prej statusit të tyre si kredidhënës apo kredimarrës) e ka lënë Europën pa një lidership të besueshëm dhe një vizion të unifikuar. Një qasje më strategjike do të fokusohej në nxitjen e rritjes ekonomike në të gjithë BE-në, si për shembull duke përmbushur objektivat e Europe 2020 për kërkimin, zhvillimin dhe inovacionin, si dhe për çuarjen përpara të Partneritetit Transatlantik për Tregtinë dhe Investimet.

Taktikat janë zgjidhje afatshkurtëra që shpesh herë kanë pasoja të rëndësishme e të paparashikuara, duke e bërë të pamundur të parashikosh se çfarë lloj bote do të prodhojnë. Strategjia formon një bosht të ndryshëm veprimi, duke marrë parasysh edhe strukturën e ndërvarësisë globale, e si pasojë, se si ndryshime individualë mund të ndikojnë në të gjithë sistemin. Vetëm duke vënë në lëvizje këtë bosht të strategjisë, ne mund të arrijmë botën që duam: një botë të banushme, të qëndrueshme, të lirë dhe të begatë. /Project Syndicate /bota.al/

 
 
 
 
* Ish-Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministër i Jashtëm i Spanjës.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00