Home | Politics | Për Europë!

Për Europë!

image
E gjithë strategjia e Perëndimit për zgjidhjen afatgjatë të problemeve dhe vendosjen e paqes në Ballkan ka vite që bazohet në procesin e integrimeve europiane.

 

 

 

Agron Bajrami      

 

 

 

Na thonë, dhe ne u besojmë, se alternativa e vetme që kemi është ecja në drejtim të Europës dhe të parimeve e vlerave të saj. Por çka të bëjmë kur edhe vetë Europa është në dilemë se cilat parime dhe vlera i përfaqëson!

 

E gjithë strategjia e Perëndimit për zgjidhjen afatgjatë të problemeve dhe vendosjen e paqes në Ballkan ka vite që bazohet në procesin e integrimeve europiane.

 

Premisa kryesore është që shtetet ballkanike, të cilat tash e sa vite jetojnë në konflikte mes vete, në procesin e afrimit me Bashkimin Europian do të reformohen plotësisht dhe me kohë do të transformohen në shoqëri demokratike, tolerante, të cilat jetojnë në paqe dhe harmoni me veten dhe fqinjët, me çka do të arrihej deri te anëtarësimi me të drejta të barabarta në BE.

 

Po, integrimet evropiane kanë qenë dhe mbeten e vetmja mënyrë afatgjatë që ata të cilët, përndryshe, janë armiq të përbetuar t’i bindin të ulen bashkë, të flasin, të merren vesh e, besa jo rrallë, edhe të pinë e të këndojnë.

 

Kosova dhe Serbia janë vetëm i fundit nga disa shembuj të tillë.

 

Përveç kësaj, afrimi me Evropën është shfrytëzuar që qeverive ballkanase t’u imponohen reforma në të gjitha segmentet e shoqërisë – prej ekonomisë dhe politikës, deri te sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave për komunitetet pakicë.

 

Porosia, të cilën zyrtarët evropianë dhe të dërguarit e ndryshëm të shteteve anëtare vazhdimisht e kanë sjellë tek popujt e Ballkanit që nga fillimi i Mileniumit të Ri ishte pak a shumë kjo:

 

Kur i plotësoni kriteret tona, do të bëheni shtete të denja për anëtarësim në familjen e demokracive evropiane. Vetë anëtarësimi në BE për ju do të vijë natyrshëm, kur shteti Juaj të ketë dëshmuar se qëndron prapa parimeve të njëjta, se mbron vlerat e njëjta, kultivon demokracinë e njëjtë dhe ndërton sundimin e njëjtë të ligjit, sikur edhe të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian.

 

* * *

Me të drejtë vazhdimisht theksohet se parimet, vlerat, demokracia dhe sundimi i ligjit janë baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri demokratike, e cila meriton të jetë pjesë e Europës. Në fund të fundit, të jesh pjesë e cilësdo shoqëri do të thotë të pranosh parimet dhe vlerat e caktuara, mbi të cilat ajo shoqëri ka ndërtuar sistemin e vet politiko-shoqëror, dhe i cili bazohet në sundimin e ligjeve të caktuara.

 

Por pyetja që natyrshëm duhet të shtrohet është se cilat janë ato parime të cilat ne, ballkanasit, duhet t’i pranojmë me gjithë zemër, nëse duam të bëhemi evropianë? Dhe cilat janë ato vlera të përbashkëta që secili shtet evropian duhet t’i mbrojë? Cili është ai lloj i demokracisë evropiane që duhet ta kemi dhe sundimin e cilit ligj duhet ta ndërtojmë, ne të cilëve as në ëndërr nuk na bie ndër mend se mund të bëhemi çka do tjetër përveç qytetarë të Europës së Bashkuar?

 

Për fat të keq, përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk i kërkojmë vetëm ne, të cilët do të donim të na pranonin në Bashkimin Europian, por edhe ata që me vite të tëra janë pjesë e BE-së, e posaçërisht ata etërit e të cilëve edhe e kanë nisur këtë projekt grandioz idealist. Sepse, ajo që sot shihet qartë nga polemikat dhe debatet e nxehta brendaevropiane rreth situatave të ndryshme të krizës, duke e përfshirë këtë të fundit me refugjatët nga Siria, nuk mbjell aspak besim se Bashkimi Europian të cilin e synojmë sot është i njëjti me atë që është menduar kur është nisur me “Planin e Schumanit” dhe marrëveshjen e gjashtë vendeve evropiane – Belgjikës, Francës, Italisë, Luksemburgut, Holandës dhe Gjermanisë Perëndimore – shkurt pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

 

Nga fundi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar, arkitekti kryesor i idesë për një Europë të Bashkuar, Jean Monnet, thoshte se “gjashtë shtetet evropiane nuk e kanë nisur këtë projekt të madh të menduar për t’i rrënuar muret mes vete vetëm që të mund të ndërtojnë mure edhe më të larta tyre edhe botës që i rrethon”.

 

“Ne nuk i lidhim shtetet, por i lidhin njerëzit”, kishte thënë Monnet, duke shpjeguar parimet dhe vlerat mbi të cilat ka nisur ndërtimi i Bashkimit Europian.

 

Dhe si ta kuptojmë këtë sot, kur shikojmë si Hungaria vendos murin prej telit me gjemba për të pamundësuar kalimin e refugjatëve?

 

Si të pranojmë parimin e Monnetit për lidhjen e njerëzve me porosinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, se myslimanët nuk janë të dëshirueshëm në Evropë, apo me insistimin e kryeministrit sllovak, Robert Fico, se “migrimi masiv i imigrantëve myslimanë që do të nisin ndërtimin e xhamive nuk do të tolerohet”.

 

Cilat prej këtyre parimeve është europian?

 

Ato që i përfaqëson kancelarja gjermane, Angela Merkel, kur insiston në solidaritetin me refugjatët sirianë, apo ato për një Europë të krishterë në të cilën nuk ka vend për myslimanët, që përfaqësohet nga Orban dhe Fico si dhe disa politikanë të tjerë të Europës?

 

A është vlerë evropiane shkelmimi i refugjatit sirian nga ana e gazetares hungareze, apo vlerë janë thirrjet e hapura dhe fushatat e futbollistëve të Barcelonës dhe Real Madridit për ndihmë refugjatëve në nevojë pa marrë parasysh etnicitetin dhe religjionin e tyre?

 

A do të qëndronte francezi Monnet sot në krah të bashkëkombëses së vet, Marine le Pen, e cila dëshiron ndërtimin e mureve të reja ndarëse mes njerëzve? Apo do të tmerrohej po të shihte se çfarë politikanësh sot prezantohen në emër të Evropës dhe vlerave të saj?

 

Mendoj se është kjo e dyta, gjithsesi!

 

* * *

Nuk është qëllimi i kësaj kolumne që duke shtruar dilemat rreth vlerave evropiane, në një farë mënyre, të amnistojë politikanët ballkanas, të cilët sot e kanë shumë lehtë t’i arsyetojnë të këqijat që na i bëjnë duke marrë për shembull krerët e disa prej 28 shteteve të BE-së që i bëjnë të njëjtat.

 

Ka kohë që mbase të gjithë e kemi të qartë se këta pushtetarët tanë lokalë janë kameleonë, për të cilët nuk është me rëndësi se çfarë vlerash përfaqësojnë nëse kjo i mban në pushtet. Për ta është krejt njëjtë nëse janë komunistë apo demokratë – me rëndësi është të jenë në majë të piramidës së pushtetit, dhe jo në fundin e saj. Qofshin nacionalistë, majtistë, apo radikalë, për ta korrupsioni, jotoleranca, manipulimi politik dhe padurimi, janë vlera evropiane, meqë këto po i shohim se ekzistojnë edhe atje diku, në atë Europë!

 

Qëllimi është t’i shtrojmë pyetjen vetes dhe të tjerëve: Kur themi, shkojmë drejt Europës, e dimë ne, vërtet, nga po shkojmë? Dhe, a e di këtë vetë Europa?

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0