Lu kundër Korrupsionit dhe Politika shqiptare
Aktivizimi i Ambasadorit amerikan , Donald Lu në luftën kundër korrupsionit galopant në Shqipëri ka ngjallur jo vetëm kureshtje, por edhe frikë në qarqe të caktuara të politikës shqiptare dhe në institucionet më të përfolura në Shqipëri të dalluara për korrupsion si drejtësia dhe prokuroria...
Nga Pirro Prifti
Aktivizimi i Ambasadorit amerikan , Donald Lu në luftën kundër korrupsionit galopant në Shqipëri ka ngjallur jo vetëm kureshtje, por edhe frikë në qarqe të caktuara të politikës shqiptare dhe në institucionet më të përfolura në Shqipëri të dalluara për korrupsion si drejtësia dhe prokuroria, pa nënvlerësuar institucionet e tjera që nuk janë më pak të korruptuara si shëndetësia, arsimi dhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Kjo luftë e nisur nga mazhoranca në fuqi nuk mund të kishte efektet e duhura po të mos ish futur në lojë faktori Lu- ambasadori amerikan, i cili i tregoi politikës shqiptare se kësaj rradhe, kësaj lufte do t’i shkohej deri në fund.
Por si dhe pse në Shqipëri ka kaq shumë korrupsion dhe mitmarrje? Shkaqet njihen por kryesoret në dështimin e luftës kundër korrupsionit gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë pas `91 mendoj se janë:
- Prishja nga ana e politikës shqiptare dhe e qeveritarëve shqiptare të hierarkisë profesionale në çdo profesion, specialitet dhe administratë me pretekstin e luftës kundër komunizmit dhe komunistëve.
- Prishja e qeverisjes në administratën qendrore dhe lokale të teknokracisë dhe meritokracisë.
- Miratimi i ligjeve me shumë boshllëqe mbi të cilat vendoseshin amendamente pas amendamentesh, duke arnuar dhe rënduar kuptimin e funksionimin e vetë ligjeve të miratuara.
- Futja e militantëve në poste drejtuese politike dhe qeverisëse qendrore e lokale.
- Dëmtimi i cilësisë së mësimdhënies, krijimi i universiteteve private pa kritere, futja e pedagogëve jo cilësorë në shkollat e larta profesionale dhe universitare krijoi profesionistë difektozë.
- Moszbatimi i ligjeve dhe shkelja e ligjeve nga drejtuesit politikë, ata të qeverisjes vendore dhe qendrore, krijoi mundësinë për korrupsion dhe vendimmarrje të gabuara.
- Prishja dhe mosrespektimi i kritereve të punëmarrjes, të realizimit të punës nëpërmjet vendosjes dhe zbatimit të `job-description`, shkaktoi mitmarrjen dhe uljen e cilësisë në punë.
- Sistemi i pandëshkueshmërisë ndaj personave që kanë kryer vepra penale, apo që duhej të merrnin dënime administrative, sidomos ndaj drejtuesve politikë, dikasterialë, qendrorë dhe ato vendorë kriminalizimi i Parlamentit për shkak të mosbërjes së ligjeve përkatëse ashtu si duhet shkaktoi korrupsion masiv.
- Keqinformimi dhe dizinformimi i popullit, si dhe moszbatimi i transparencës nga ana e pushtetarëve, i dha mundësi korrupsionit, mitmarrjes dhe shkeljeve të ligjit pa u dënuar një hapësirë të madhe.
Këto shkaqe, të shoqëruara me faktorë të tjerë politikë si protestat destabilizuese pas daljes në opozitë çdo herë pas përfundimit të zgjedhjeve (karakteristikë kjo për PD), shkaktoi që tranzicioni të zgjatet dhe të vonojë stabilitetin ekonomik dhe politik të shtetit shqiptar, i cili po vuan madje dhe në ditët e sotme, një konfliktualitet politik të dëmshëm dhe negativ që po pengon integrimin plotësisht në BE për shkak të mos përmbushjes së kërkesave për integrim. Angazhimi i faktorit amerikan nëpërmjet ambasadorit Lu, për të realizuar sa më parë reformën në drejtësi, dekriminalizimin, ka shkaktuar ashtu si e thashë më sipër në popullin e thjeshtë kureshtje se si do të shkojë puna, kurse në politikën shqiptare përfshi dhe administratën e lartë të vendit ka shkaktuar frikë dhe tensionim.
Aq e vërtetë është kjo sa kuptohet se përse deklaratat e Berishës kundër ambasadorit gjerman, janë pikërisht edhe deklarata anti-Lu sepse në këtë deklaratë, ish kryetari i PD shpreh frikën ndaj asaj që mund të ndodhë, frikën ndaj ndëshkimit të ardhshëm, një frike e mbuluar me frazeologji pseudo patriotike në të cilën shprehet gjoja se ambasadori gjerman (pra dhe ambasadori Lu e të tjerë) nuk duhet të bëhen `guvernatorë të vendit`.
Pa hyrë në imtësi në problemet e konfliktit të egër pozitë-opozitë, të krijohet përshtypja se politikanët e opozitës, kryetari i ri i opozitës, janë duke u përpjekur që të bëjnë një opozitë të ashpër aspak konstruktive dhe duke vënë pengesa në çdo hap për të penguar pikërisht reformën në drejtësi, e cila mund të jetë një nga armët më të forta të luftës kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë së drejtuesve të lartë partiakë dhe egzekutivë të kaluar dhe të tanishëm.
Dihet që mazhoranca qeverisëse mori pushtetin për të realizuar këto reforma, që në fakt janë edhe kërkesa të BE dhe të SHBA për ta integruar Shqipërinë në BE dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të stabilizuar dhe të begatë.
Kjo përpjekje po has një reaksion jo normal nga ana e opozitës, e cila e sheh veten fajtore dhe përgjegjëse ndaj shumë mos realizimeve të saj në 8-vjeçarin e qeverisjes së saj, por edhe në 16 vjeçarin total të qeverisjes gjatë 25 viteve dhe mban një peshë të madhe përgjegjësie për destabilizimin politik dhe ekonomik të Shqipërisë në vitet 1997-1998, vrasjeve të 2007, dhe të 2011, korrupsionit masiv gjatë viteve. Të njëjtën përgjegjësi mban edhe PS gjatë viteve të saj të qeverisjes me disa nga mosrealizimet e saj në vitet 1997-2005 dhe korrupsionin galopant.
Fakti është se në vend që në ditët e sotme opozita të bashkëpunojë me mazhorancën për të realizuar reformën në Drejtësi dhe Prokurori, institucione në të cilat gjenden të gjitha shkaqet e dështimeve politike qoftë nga mospasja e teknokratëve dhe meritokratëve, qoftë nga problemet e mosndëshkueshmërisë dhe fshehjes së përgjegjësive ashtu dhe me mosndëshkimin e korrupsionit galopant të realizuar me fondet shtetërore.
Këto institucione, ashtu sikundër tha dhe ambasadori anglez, i kanë mbushur burgjet me gjynahqarë e fukarenj, fajet dhe gabimet e të cilëve duhen dënuar por jo me burgim, kurse ata që duhen dënuar për dëmtimin e rëndë të pronës shtetërore, korrupsionit me fondet e shtetit, krimet e pazbuluara, vjedhjet skandaloze të bankave, të thesarit të shtetit, të mosfunksionimit të sistemit shëndetësor spitalor publik, janë kthyer në institucione të anti-ligjit dhe duhen reformuar. Opozita në këtë rast po luan dy role totalisht negative dhe në vend që të luajë rolin e vet konstruktiv (ashtu si e ka luajtur në raste të rralla sporadike), vazhdon nëpërmjet disa mediave të saj të dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë në vend dhe në botë duke e cilësuar mazhorancën qeverisëse si armike dhe duke u përpjekur të destabilizojë vendin nëpërmjet përdorimit të shantazhit, ofezave dhe mungesës totale të etikës dhe përdorimit të tog fjalëve të dënueshme penalisht: `mos bindje civile` dhe `revolucion demokratike`.
Mosbindja civile nëse realizohet, të çon në luftë civile njëlloj si në Siri, dhe i ashtuquajturi revolucion demokratik të çon në destabilizim politik. Qëllimi i Opozitës në këtë rast? Është destabilizimi i vendit dhe krijimi i kushteve të mosndëshkueshmërisë, pengimit të reformës në drejtësi, krijimi i imazhit se edhe qeverisja e sotme është po aq e keqe sa dhe e tyre, dha krijimin e idesë se politika në Shqipëri dhe vetë Shqipëria është e pamanaxhueshme dhe e pamundur të hyjë në BE.
Sigurisht interesi kryesor është fshehja e korrupsionit masiv dhe e disa krimeve, për të cilat janë përgjegjës disa drejtues. Në përfundim mendoj se mesazhet e ambasadorit Lu, do të japin rezultat jo të menjëhershëm sepse për të dhënë rezultat duhet që të korrigjohen nëpërmjet legjislacionit shkaqet e rreshtuara më sipër dhe kryesorja do të ishte dëshira për të bashkëpunuar, për të realizuar këto reforma nga politikanët e pakorruptuar të opozitës me mazhorancën qeverisëse.
Së fundmi mendoj se Shqipëria gjendet për të disatën herë gjatë këtyre 25 viteve në mëdyshjen: do të bëhet si Europa? Në zbatim të dëshirës së popullit shqiptar në fillimet e viteve `90, kur ra diktatura. Ndryshimi qëndron se kësaj here, Kryeministri i Shqipërisë ka hapur kapakun e pusetës së pisllëqeve të drejtuesve shqiptarë, gjatë historisë 25 vjeçare, pusetë e mbushur plot me krime, poshtërsi dhe korrupsion e padrejtësi. Nuk dihet nëse Kryeministri do të ketë fuqinë dhe ndihmën për të pastruar këtë pusetë plotësisht, apo do ta mbyllë duke e lënë pa pastruar ashtu si e kanë lënë paraardhësit e tij.
Comments (0 posted)
Post your comment