Home | Politics | Reforma në Drejtësi, treni i integrimit në BE

Reforma në Drejtësi, treni i integrimit në BE

image
 Reforma Kushtetuese do t’i hapi rrugën krijimit të një strukture të re për Shqipërinë, që do të quhet Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Ajo përshkruhet si një bashkëpunim midis Komisionit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

 

 

 

 Nga Sokol Hysenaj 

 

 

Kryefjala e ditëve të fundit në politikën tonë është reforma në Drejtësi. Kjo reformë vjen pas miratimit me konsensus në Parlament, të ligjit për Dekriminalizimin. Pas bisedimesh të gjata liderët e tri forcave politike PS-PD-LSI zgjidhën nyjen e vështirë, që vetë ata e kanë krijuar ndër vite. Për arritjen e një konsensusi të gjerë një rol të rëndësishëm ka luajtur ambasadori i Shteteve të Bashkuara, zoti Donald Lu. Pas zgjidhjes së këtij ngërçi politik, mazhoranca dhe opozita kanë lënë debatet e nxehta dhe janë të një mendje për krijimin e një drafti të përbashkët sipas rekomandimeve të bëra nga Komisioni i Venecias. Ekspertët e tre forcave politike PS-PD-LSI kanë vijuar takimet për të gjetur një gjuhë të përbashkët për 27 kritikat që iu bënë draftit të parë të hartuar nga grupi i lartë i ekspertëve nën mbikqyrjen e komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. 

 

Mazhoranca dhe opozita janë munduar ta etiketojnë veten si lokomotiva e kësaj reforme kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë. Por ka qenë ambasadori Donald Lu, ai që pas bisedimesh të gjata i ka hipur në trenin e reformës aktorët kryeneçë të politikës sonë. Tre forcat parlamentare kanë ulur në tryezën e bisedimeve ekspertët e vet.

 

 Komisioni i Venecias me 27 kritikat e tij ka vënë piketat kryesore në hartën e reformës. Veç të tjerave ky komision shprehet: “Në paketën e projekt-draftit ka shumë elemente që mund të çojnë në kapjen e drejtësisë nga politika. Reforma mund të çojë në një proces të ndërlikuar vendimmarrës me organe që kontrollojnë njëri- tjetrën dhe krijojnë një sistem të komplikuar kontrolli dhe balance”.

 

Tashmë Reforma në Drejtësi ka filluar të kristalizohet dhe qëllimi i saj është që drejtësia mos të jetë më nën hijen e politikës. E vërteta është se shumë vendime të gjyqësorit kanë qenë të papastra dhe larg interpretimeve të drejta ligjore, ndaj ato duhen marrë si të korruptuara. Shoqëria jonë ka humbur besimin për një drejtësi të paanshme dhe të pakorruptuar. Të zakonshme janë pohimet vendim i blerë, ose vendim i kapur nga politika. Rrënjët e korrupsionit janë aq të thella, sa drejtësia dhe politika jonë nuk mund ta bënin të vetme këtë reformë. Disa segmente të inkriminuara janë munduar ta deformojnë atë. Ata që kanë vënë pasuri përrallore në mënyrë të padrejtë e kanë frikë një ligj të tillë. Lidhja e krimit me drejtësinë i ka bërë ata solid dhe të pathyeshëm. A do të prishet kjo lidhje e pazaresh të ulta të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar me korporatën e krimit?A do t’u sekuestrohet pasuria dhe do të dënohen këta të inkriminuar që të marrin fund vendimet e korruptuara? A do të mundet ky ligj të bëhet simbol i luftës kundër korrupsionit?

 

Ambasadori Donald Lu ka vijuar deklaratat e tij në një shqipe të pastër dhe të fortë. Midis të tjerash ai është shprehur: “Ai gjykatës apo prokuror që ka orën më të shtrenjtë se makina ime është i korruptuar”. Shumë “aksionerë” të politikës me krimin do të dëshironin ta stërzgjatnin sa më tepër kryerjen e kësaj reforme duke e kthyer atë në të zakonshmen gjysmë reformë. Ata asnjëherë nuk kanë dashur të bëjnë reformën brenda vetës.

 

Në prononcimet publike ministri i Drejtësisë, zoti Manjani i ka cilësuar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar një njollë për shoqërinë tonë. Por në këtë thes të zi nuk mund t’i fusim të gjithë. Ndaj, kundër asaj pjese të sistemit të Drejtësisë që është brejtur nga dhëmbët e korrupsionit është e nevojshme bisturia e thellë. Për të kryer kornizën ligjore mazhoranca dhe opozita kanë treguar vullnet politik. Priten të ndryshohen mbi 60 nene të Kushtetutës ndaj shumë specialistë të fushës juridike kanë shprehur rezerva duke i quajtur këto ndryshime një andër të ri në shërbim të politikës. Por në vendin tonë gjatë këtyre viteve, jo rrallë gjyqësori ka qenë i klonuari i politikës, ndaj shumë çështje të rëndësishme, ku janë përzier zyrtarë të lartë në çështje korruptive, kanë dështuar. 

 

Të forta kanë qenë dhe deklaratat publike të ambasadores së BE, zonjës Vllahutin. Ajo është shprehur me nota të ashpra se drejtësia jonë ka nevojë për një bisturi të thellë. Në draftin e ri të amendamenteve kushtetuese janë dy pika të rëndësishme për të luftuar korrupsionin në Drejtësi dhe në të gjitha institucionet e shtetit. Këto dy pika kanë gjetur miratimin dhe nga Komisioni i Venecias. Ato janë krijimi në Prokurorinë e Shtetit, të një strukture të Posaçme Antikorrupsion dhe një Gjykate Antikorrupsion. Kjo strukturë e veçantë e Prokurorisë mendohet të ketë mision hetimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve e lartë të korruptuar. Prokurorët që do të ndjekin korrupsionin në sferat e larta të shtetit do të jenë të pavarur edhe nga Prokurori i Përgjithshëm. Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij projekt-drafti është krijimi i një strukture të veçantë që do të vlerësojë integritetin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të vendit. Këto janë dy institucionet që do të punojnë për të thyer kollonat e hekurta të korrupsionit.

 

 Reforma Kushtetuese do t’i hapi rrugën krijimit të një strukture të re për Shqipërinë, që do të quhet Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Ajo përshkruhet si një bashkëpunim midis Komisionit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të emërojë vëzhgues të huaj që do të vlerësojnë brenda kornizave ligjore se gjyqtarët dhe prokurorët janë të ndershëm dhe të aftë profesionalisht. Ata do të monitorojnë procesin deri në zgjedhjen e komisionerëve. Kjo strukturë e re ndërkombëtare së bashku me Strukturën Antikorrupsion në Prokurori mendohet të jenë guri i ligjit në hobenë e Davidit për të goditur korrupsionin në fytin e shoqërisë që është bërë i frikshëm si Golia dhe po i merr frymën mizorisht asaj. 

 

Drafti i kësaj reforme do të hartohet nga ekspertë vendas dhe të huaj, e do të përfundojë në muajt e pranverës. Ai do ti dërgohet Komisionit të Venecias për një vlerësim të ri. Kryeministri Rama duke përshëndetur punën e ekspertëve në hartimin e draftit të ri me nota shpotitëse ka goditur opozitën: “Opozita është një bashkudhëtare e rëndësishme që pas shumë ngurrimesh i është bashkuar trenit të reformës, pasi se ndali dot atë”. Me të njëjtin zell i është përgjigjur nënkryetari i PD-së zoti Ristani “Ramën e hipi Komisioni i Venecias në trenin e opozitës”.

Deri më sot politika shqiptare është shquar vetëm për fyerje dhe mashtrime. Paaftësia dhe pandërgjegjshmëria e saj kanë prodhuar një korrupsion galopant. Kjo politikë ka dështuar përballë sfidave të ndërtimit dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Me syzet e saj gjyqtarët dhe prokurorët e pandershëm e lexojnë ligjin sipas interesave të tyre korruptive. A ka krim më të madh se të dhunosh dhe të shkelësh ligjin duke mbajtur mbi supe pelerinën e gjyqtarit dhe të prokurorit, e mbi tavolinën e punës të kesh “Kushtetutën e Shqipërisë”?! Kjo reformë është nisur nga politika, por përfituesi më i madh i saj është shoqëria shqiptare. Ajo ka pasur si katalizator trysninë ndërkombëtare dhe është një kërkesë e domosdoshme e kohës. Ambasadori i ShBA, zotin Donald Lu me zellin e një miku të mirë nuk ngurroi të shkonte në zyrën e Bashës dhe Berishës për të marrë “ok” e tyre”. Një rolë të rëndësishëm në këtë reformë ka luajtur dhe ambasadorja e BE-s zonja Vllahutin. Kjo reformë ka qenë detyra e shtëpisë që na la kancelarja Merkel gjatë vizitës së saj në vendin tonë. Ajo është emëruesi i përbashkët i të gjithave takimeve diplomatike. Reforma është një nga portat kryesore nga të cilat vendi ynë do të integrohet në bashkësinë europiane. Kjo reformë mund të shihet dhe si reflektim dhe një kthesë e fuqishme në jetën e shoqërisë sonë. Ajo do të na çojë tek sundimi dhe autoriteti i ligjit aq i domosdoshëm në një shoqëri europiane ku aspirojmë të shkojmë ne. Vërtetë nismëtarët janë miqtë perëndimorë, por shinat e saj ligjore do të ngrihen mbi tabanin shqiptar nga shoqëria jonë. Nëse kjo reformë do të zbatohet drejt, do të sjellë rinovimin e shtetit dhe shëndoshjen e ligjit. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0