Home | Politics | Reformë në drejtësi ose “varri” i vetvetes!

Reformë në drejtësi ose “varri” i vetvetes!

image
Dy rrugë mbeten për drejtësinë tonë. Ose do të bëhet reformë e të ndëshkohen kriminelët e hajdutët, çfarëdo qofshin ata, ose vendi do të vazhdojë të drejtohet nga kriminelët e të korruptuarit deri në fyt. As njëra e as tjetra nuk i leverdis klasës politike, që edhe i “ha” edhe i “djeg”!

 

 

 

Nga Pandeli Bardhi

 

   

 

 

 

Kështu kuptohet këtu, reforma në drejtësi që kërkon të bëjë klasa politike aktuale, si pasardhëse e atyre që kanë kaluar. Kush është ai që kërkon të marri “zjarrin” mbi vete? Askush! Kështu është edhe për këta politikanë. Kush është nga këta krerë të politikës që kemi ne, në mazhorancë apo në opozitë që kërkon të marri mbi vete ndëshkimin që do t’i bëhet, apo t’i thotë burgut “Hapu”? Askush! Interesi i këtyre politikanëve, është që të largojnë këtë reformë sa më larg, deri atje ku nuk i cënon interesat e tyre, babëzinë e tyre. Vetëm këtu, puqen të gjithë të çdo ngjyre, sepse të gjithë, një ditë do të vijnë në pushtet! Prandaj, askush nuk beson që këta politikanë, gjykatës apo prokurorë i qajnë hallet popullit. Jo ore jo, ata i qajnë hallin vetvetes, sepse ashtu si janë katandisur e si e kanë zhvatur këtë vend, duhet që të gjithë të shkojnë para asaj, që këta e quajnë drejtësi! Askush prej këtyre, edhe për zgjedhjen e Presidentit por edhe për probleme të tjera madhore, nuk kërkojnë shumicën absolute, por 71 vota, me qëllim që nesër t’i kenë nën urdhrat e tyre dhe t’u thonë: “Rrini urtë, se përndryshe...”! Të vetmen pikë ku ata bien dakord, është ajo që kjo reformë, të mos preki interesat e secilit politikan, deputet gjyqtar, prokuror, etj., qofshin këta të mazhorancës apo të opozitës. Këtu bashkohen në të gjitha të tjerat, bëjnë sikur nuk pajtohen, por edhe këtu, jo për interesat e qytetarëve, por vetëm që të mos veprojë drejtësia mbi dallaveret e që kanë bërë me djersën e këtij populli, që nuk po i shqitet skamja e fukarallëku prej shekujsh.

 

I dha këtij vendi, e ç‘nuk i dha natyra “zemërgjerë”! I dha pasuri përrallore, i dha pasuri mbi e nëntokësore, i dha ujë e minerale, naftë e flori, det e pyje e çfarë nuk i dha. Ishte ndoshta ndër shumë të paktat vende që natyra bujare i dha këtij vendi aq sa vendet e tjera u “ankuan” tek “zoti” për këtë privilegj që i bëri Shqipërisë”. “Keni të drejtë, u tha “zoti”, por unë ia bëra këtë privilegj, mbasi ai vend ka politikanë që dinë jo vetëm të vjedhin e të shkatërrojnë, por edhe të mos u hyjë “gjemb” në këmbë”! Ka patur shumë të drejtë “Zoti” dhe kjo është e vërtetë! Kemi një çerek shekulli që kemi hyrë në rrugën e demokracisë dhe vendin e fundit në rajon e më gjerë, nuk ia “lëshojmë” kujt tjetër, edhe për mirëqenie, edhe për cilësinë e jetesës, edhe për infrastrukturën, edhe për gjithçka tjetër. Nuk kemi asnjë argument, që të themi se kemi ecur përpara. 

 

“Dyert” na u hapën në vitet ‘90-të, por rrugët nuk i dinim, thotë një të vërtetë një i “lajthitur”, që doli në krye të atyre që kërkonin ndryshime qysh në fillimet e para të demokracisë. Rrugët vërtet nuk i dinte, por ato të mënyrës se si të përdorte qeverinë si “mburojë” për të vjedhur e grabitur, për të bërë ndere e privilegje vetëm për oborrin e tij, këtë rrugë e dinte! Nuk dinte vetëm rrugën e demokracisë, rrugën e shpresës e të shpëtimit nga e keqja! Nga idhtarët e tij u cilësua si Sali “bollëku”, ku ky “bollëk” shprehej në atë që u bë “iniciator” që njerëzit, kursimet e tyre t’i fusnin në firma piramidale e mbasi të “mbarseshin” këto firma, të “pillnin” dhjetra e qindra herë më tepër para nga sa kishin futur, dhe njerëzit të qëndronin në kafene e të pinin raki. Erdhi një ditë e ajo ç’ka u “ndërtua” apo u shkatërrua, nuk u ndërtua më. Armët që Diktatura i mbante për armikun e jashtëm, u rrëmbyen për të “vrarë” padrejtësitë e shtetit “padrejtësi” dhe për të vrarë njëri tjetrin siç vazhdojnë akoma. Qeveria e firmave piramidale, i la vendin qeverisë së Kazinove, sipas gustos të Kryeministrit socialist, pasardhës i atij “shpellar”! Kazinotë e Lotot, ishin vazhdim i firmave të dikurshme, ku në “lojë” nuk merrnin pjesë të gjithë, por të ndarë në “firma” më të shumta në numër ku njëri fiton e njëqind mbeten me gisht në gojë! Qeveria e kësaj periudhe u kthye në një qeveri sipas gustos së Kryetarit, jo për të qeverisur Shqipërinë, por të vjedhur edhe atë ç’ka kishte mbetur nga qeveria e drejtuar nga një bandit i zbritur nga malet. Qytetarët prisnin të merrnin paratë e humbura kurse qeveritarët “bixhozxhinj” bënin kërdinë! Aq shumë e zgjati zullumin kjo qeveri sa që qytetarët thanë: “Të shkojmë aty ku ishim, mbase ata kanë vënë mend”! Dhe ata kishin vënë “vërtet” mend! U krijua kështu, Qeveria “Rrumpallë”! Saliu e bëri realitet ëndrrën e tij “më bëni edhe një herë nuse pa dij unë si nusëroj”! Tani, qeveria e tij nuk ishte më e “egër”, “brutale”, por “babaxhane”! “Doni para ju, sa të doni do të merrni, vetëm votat më jepni. Mos kini frikë nga shteti, ai nuk ka asnjë “dhëmb” që të “kafshojë”. “Dhëmbë” ligje ka shumë, por mos u trembni, nuk i ka të “zararit”. Prandaj vidhni, mos paguani taksa, mos paguani tatime, ndërtoni ku të mundni e si të mundni. Ka për të gjithë. Ama, mos harroni, kur të vijnë votimet, e dini vetë ju, na lini neve në pushtet, sepse më të mirë se ne, nuk keni për të gjetur kurrë”! Deri në një farë rruge njerëzit i besuan, por më pas u bindën që këto ishin fjalët e “Ujkut”, që hiqej si “mama Dhia”! “Hall me burrë e hall pa burrë, hall të mos votosh kurrë”! I besuan “Rilindjes”, me shpresë se diçka do të “rilindë” nga gjithçka që kish “vdekur”! Diçka po bëhet për të “rilindur” atë që vdes e fundit, Shpresën! Premtimet e shumta, me kalimin e kohës u zbehën. Më shumë se premtimet dallojnë ngjyrat në piktura e në fasadat e ministrive. Dikur në tabelat e dyqaneve shkruhej “Kasap” e brenda gjeje mish! Tani sheh zyra pune ngjyra ngjyra dhe brenda sheh një punonjëse që bën depilim, depistim, make up, e rregullon thonjtë me xhel e pa xhel! Krahasuar me qeveritë e kaluara, qeveria aktuale, ka edhe shumë merita siç është ajo e luftës kundër informalitetit, e ndëshkimit të vjedhjeve të pronës publike, por kjo kur vidhet nga qytetarët, jo nga qeveritarët, e shumë të tjera që do të jenë një objekt më vete. Fakt është që dalëngadalë, zbatimi i ligjit po bëhet edukatë, pavarësisht “çjerrjeve të sorrave” në “lagunën” e PD-së, jo të SHQUP-it, sepse ata nuk e meritojnë këtë emër të nderuar! 

 

Të vijmë tani aty ku e lamë, tek reforma në drejtësi, ose “shtrembësia” pa formë. Premtoi “Rilindja” se “do t’i shkohet deri në fund drejtësisë, do të ndëshkohen të korruptuarit, e do të vendoset në vend drejtësia”! Kohët kaluan dhe tashmë nuk ka besim kush. Flasin e ç’nuk flasin, flasin ministra, deputetë, analistë e specialist e kush nuk flet. Më shumë se sa tek këta, njerëzit kanë një fije besimi më tepër tek z. Lu. Por z. Lu nuk e ka mësuar akoma që këtu, çdo njeri është një shtet më vete, është një “Komision Venecie” më vete! Këtu, të gjithë janë fajtorë të “pafajshëm”! Të gjithë politikanët, të majtë e të djathtë, krerët e mazhorancës apo opozitës, e kanë frikë reformën, sepse e kanë “mizën nën kësulë”! Kjo është e para. E dyta është ajo që nuk është faji i njërit apo tjetrit që vjedh, që shkel ligjet, që nuk ndëshkon fajtorët. Faji është i këtij farë sistemi “paçavure” që kjo klasë politike, që më shumë se shtet i të drejtës ka qenë shtet sipas gustove të kryeministrave, qysh nga fillimet e demokracisë “Trarët” e sistemit “çati” janë kalbur e “çatia” fut ujë nga të katër anët. Cilindo që të nxjerrësh jashtë e të futësh brenda në këtë “kasolle” sistem, përsëri do të themi: “Ku ishim? “Hiçgjëkundi”!Ata që janë më afër “Lopës” shtet, janë krerët e politikës, ata e kanë “mjelë” e do ta “mjelin”, kurse taksapaguesit, janë ata që hyjnë nga deriçka e “bajgave” vetëm për të sjellë ndonjë “vandak jonxhë” për këtë “lopë”, e si shpërblim, të marrin “bajgat” që u hedhin qeveritarët si ato për Vitin e Ri! Këta taksapagues që vjedhin ndonjë gjë aq sa nxë xhepi, do t’u vijë rradha të ndëshkohen, pasi të jenë ndëshkuar mijëra të tjerë që “mjelin” këtë shtet, që jo vetëm hanë e pijnë qumësht, por edhe lahen me të. Por, a ka mundësi që këta politikanë të hedhin firmën për të bërë reformën në drejtësi? “Ç‘është ai njeri që kërkon të firmosi ndëshkimin me dorën e vet? A ka dhënë deri më sot prova ndonjë politikan që lufton për interesat e popullit, të këtij populli të katandisur në pikë të hallit, që lufton për të mbijetuar? Askush! Nuk është vetëm drejtësia, por shihni edhe shëndetësinë si është katandisur, si ai që lëngon në shtratin e vdekjes, që është në grahmat e fundit e si për t’u tallur politikanët, i kanë vënë edhe emrin “Nënë Tereza”. Nënë Tereza u bë e njohur në tërë botën për bamirësitë e saj kurse politikanët tanë që i “vdesin” përditë pacientët me mungesën e barnave, me korrupsionin e kushtet skandaloze, mburren me emrin e kësaj Nëne Nobeliste! Sikur të ngrihej nga varri, me siguri do të endej nëpër dyert e gjykatave tona e nuk do ta pyeste kush për hallin e saj, për përdhosjen që i kanë bërë dinjitetit të saj dhe të vetmin bust të saj e kanë hedhur përmbys midis mbeturinave pranë një shtëpie. Mos u “mërzitni” o Nënë e Madhe, këtu, e tërë historia është kthyer përmbys dhe nuk jeni e vetmja! 

 

Dy rrugë mbeten për drejtësinë tonë. Ose do të bëhet reformë e të ndëshkohen kriminelët e hajdutët, çfarëdo qofshin ata, ose vendi do të vazhdojë të drejtohet nga kriminelët e të korruptuarit deri në fyt. As njëra e as tjetra nuk i leverdis klasës politike, që edhe i “ha” edhe i “djeg”! Por çfarë do të bëhet? Do të bëhet një reformë as mish as peshk, siç kemi bërë gjithmonë ne, shqiptarët, një reformë gjysmake dhe kjo, meqë e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët. Do të bëhet një reformë që “edhe mishi të piqet, por edhe helli të mos digjet”! Ka edhe mundësi që të “digjet” edhe pak “mish” që të ruhet “helli” sa të kalojë edhe kjo “valë”, për t’i lënë vendin “llokmave” të tjera! 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00