Pse tremben të korruptuarit?
Kriza aktuale... Jetojmë në një moment krize, e cila është shumë e rëndë, sepse kjo krizë ka një rrënjë te trefishtë: krizë në qeverisje; krizë në ekonomi dhe krizë në besimin shoqëror për të ardhmen.
Nga Spartak Ngjela
Kriza aktuale... Jetojmë në një moment krize, e cila është shumë e rëndë, sepse kjo krizë ka një rrënjë te trefishtë: krizë në qeverisje; krizë në ekonomi dhe krizë në besimin shoqëror për të ardhmen. Të tria bashkë konvergojnë në një degradim të përditshëm të jetës shoqërore. Kriza në qeverisje reflekton te izolimi ynë ndërkombëtar, në lidhje me Perëndimin. Kriza në ekonomi, reflekton në treg, dhe prodhon papunësi; kriza në besimin ndaj të ardhmes, ndryshe nga dy të parat, është psikologjike dhe, shqiptari i sotëm nuk po beson që po qeveriset drejt, nuk ka besim se do gjejë punë, dhe, prandaj i trembet shumë të ardhmes. Ai po kërkon të ikë nga ky vend.
Por, e gjithë kjo situatë e pashpresë që është krijuar, e ka shkakun te qeverisjet. Qeverisjet e paafta kanë mbjellë korrupsion të felligesht në Shqipëri ; korrupsioni ka dëmtuar menaxhimin e institucioneve dhe tregun, sepse, për të drejtuar i qetë, korrupsioni ka operuar me injorancën.
Një qeveri e paaftë dhe që vjedh, e dëmton dy herë shoqerine: ajo nuk di të sjellë zhvillim, dhe bllokon tregun. Tregun e bllokon me anë të klientelizmit, sepse, në funksion të tij, mpin konkurrencën dhe ndan fitimet me klientin.
Kjo është arsyeja që sot, për ta shkatërruar këtë gjendje, po ndërhyn politika amerikane dhe ajo europiano-perëndimore, sepse, abuzivizmi shtetëror, e ka krijuar këtë gjendje, që kjo të punojë në favor të tij. Por, a do ta shkallmojë dot kjo politikë këtë gjendje?
Shenjat duken se po. Kjo për faktin se, të gjithë ketë gjendje abuzive, e mban në këmbë një pushtet gjyqësor krejtësisht i korruptuar. Perëndimorët po i imponojnë politikës shqiptare Reformën në Drejtësi. Ky imponim ka sjellë në fakt trazirën që vjen nga të korruptuarit e pushtetshëm. Këta janë bëre bllok dhe duan ta frenojnë gjendjen.
Reformë në Drejtësi do të thotë vendosja e moralitetit në Shqipëri. Vendosja e moralitetit do të thotë ndëshkim i abuzuesëve me pushtetin. Por abuzuesit me pushtetin janë sërish në pushtet, dhe reforma kërkon vota në Parlament, sepse dihet që reformë do të thotë ligj. Atëherë, si do të zgjidhet kjo nyje? Në fakt, kjo nyje, nuk zgjidhet, ajo pritet. Por, edhe këtu ka sërish një pyetje: kush do ta presë këtë nyje?
Ja, këtu fillon dyshimi shqiptar i të gjithë shqiptareve: kush?
Por, edhe këtu ka një pyetje: politika amerikane dhe europiano-perendimore që po imponohet, nuk ka ajo një skemë mbështetëse brenda Shqipërisë? Logjika të thotë se ajo e ka një të tillë, sepse, po të mos e kishte, pse trembet Meta dhe Berisha dhe Presidenti Nishani? Sepse ajo politike e ka të domosdoshme sot ekzistencën e një tregu Ballkanik, pa prezencën ruse në të. Domethënë, interesi i shqiptareve sot eshte edhe interes petendimor. Dhe kjo nuk eshte pak. Por, edhe këtu ka një pyetje: po pushtetarët e korruptuarë shqiptarë, a ka mundësi që, për të shpëtuar veten dhe milionat që kanë vjedhë, të bashkohen me tendencën ruse?
Në fakt, kjo është politika e degraduar e Enver Hoxhës, që rroposi jetën e shqiptarëve për interes të pushtetit të tij personal. Por, a mund të përsëritet kjo sërish në Shqipëri? Unë mendoj se jo. Dhe, duke u kthyer sërish te argumenti i parë, na duhet të pyesim: pse tremben të korruptuarit?
Comments (0 posted)
Post your comment