Home | Politics | Ligji i dosjeve, dritë mbi errësirën!

Ligji i dosjeve, dritë mbi errësirën!

image
Transparenca është dritë mbi të shkuarën, njohje, hulumtim, analizë mes të kaluarën komuniste dhe së ardhmes demokratike, mundësi e një e një brezi të tërë të njohë regjimin komunist dhe diktaturën si mundësi për të ndërtuar të ardhmen...

 

 

  

Nga Ilir Vata

 

 

 

Dritë mbi errësirën është mundësi për të parë udhën e së ardhmes, mundësi për t’i shtrirë dorën pajtimit kombëtar, për të parë shoqi-shoqin në sy, për të kërkuar ndjesë, për të njohur atë më të ligën që kaloi një komb në diktaturë, përpëlitmën e njerëzisë mes jetës dhe vdekjes, frikës, tutës, mungesë së lirisë si një dëshmi, amanet për brezat e rinj që regjime të tilla të mos përsëriten më. Akti i konstituimit të komisionit për ligjin e spiunëve të Sigurimit të Shtetit ishte një guxim, një dalje përtej çdo paragjykimi, një vlerësim për jetën, transparencë, një akt sublim që vetëm shtetarë të devotshëm e bëjnë, një ngushëllim për jetët e vrara në diktaturë, një meshë për vuajtjet, dhimbjet, torturat burgosjet dhe përndjekjen e mijëra jetë njerëzish në regjimin komunist.

 

Transparenca është dritë mbi të shkuarën, njohje, hulumtim, analizë mes të kaluarën komuniste dhe së ardhmes demokratike, mundësi e një e një brezi të tërë të njohë regjimin komunist dhe diktaturën si mundësi për të ndërtuar të ardhmen, pasi demokracia është kontrast i gjallë me regjimin komunist, është krejt e kundërta e asaj që presim të ndërtojnë shqiptarët dhe vendet demokratike në një botë të lirë.

 

Ferri ku kombet mund të kalojnë përgjatë regjimeve diktatoriale janë mundësia për të ndërtuar parajsën në demokraci, ku liria është me bollëk dhe mundësitë për të qenë në garë për jetën janë të mëdha e të barabarta sepse udhëhiqen nga ligji dhe ndriçohen nga shteti i së drejtës.

 

Plot 25 vite më vonë hidhet dritë mbi honin e krimit e mëkateve të një regjimi despotik, hidhet dritë mbi telajon gri të post komunizmit dhe nihilizmin e saj me transparencën. Politikanë të rinj guxojnë të dënojnë politikën e vjetër, shtetin unitar, guxojnë të kërkojnë ndjesë për atë që shteti diktatorial bëri mbi qytetarët e saj. Hera e parë që shteti flet me gjuhën e së drejtës dhe për të shkuarën si një vlerësim për të ardhmen dhe vetë jetën.

 

Shqiptarët sot janë më të lehtësuar se dje sepse pesha e mëkatit nuk rëndon më mbi ta, por mbi ligjin, vetë shtetin, pasi ai është përgjegjës tashmë për të nxjerrë në dritë pikërisht atë pjesë që u mbajt e klasifikuar, sekret dhe në errësirë me të vetmin qëllim për të fshehur mëkatin, krimet dhe persekucionet e një regjimi despotik si diktatura në Shqipëri.

 

Të përndjekurit treguan për afro 26 vite se nuk janë hakmarrës, madje nuk u shënua një rast hakmarrjeje në të gjithë vendin, që për shkak të burgosjes, përndjekjes ata të merrnin veprime të vetëgjyqësisë apo të ngjalljes së urrejtjes e neverisë, përçmimit, përkundrazi besuan në demokraci, në lirinë që pritën dhe ndonëse të prerë në besë ata duruan sa më në fund diçka u bë për të parë në sy të shkuarën, pra një çlirim nga makthi i së shkuarës. Në fakt duhet ta kishin bëra ata, por e bënë këta! Aspak s’ka rëndësi, vlerë ka se drita mbi errësirën u kuptua politikisht dhe ligjërisht, që është mundësia e së ardhmes. Të përndjekurit politikë nuk kanë pushtet të bëjnë ligjvënësin, as ligjzbatuesin sepse nëse diktatura i përndoqi, internoi, dëboi e burgosi dhe në mijëra raste i vrau dhe ekzekutoi, post-diktatura i përçmoi, injoroi, përdhosi, i la në harresë, pra i përshkoi në një farë ripërndjekje të re, madje më poshtëruese duke i përçudnuar.

 

S’ka më keq që jemi, por të paktë nga sot jemi më të çliruar, makthi ka ikur nga ne, besimi dhe shpresa u është shtuar pas një durimi 45 vjeçar në diktaturë dhe 25 vjeçare post saj, tashmë ka dritë mbi errësirën diktatoriale dhe mëkatet e saj. Ligji i dosjeve ishte një gur mbi varrin e atyre që ende nuk e kanë një dritë në tunelin e errësirës diktatoriale, një respekt për vuajtjen dhe një vlerësim për jetën, lirinë dhe të ardhmen. Kësaj radhe, shteti u soll me dinjitetin që i takon, të vendosë shtetasit e saj në një peshore ku vlerat janë pesha e shtetit dhe jo përçmimi ndaj vlerave.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0