Home | Politics | Falsifikimi i zgjedhjeve në Maqedoni

Falsifikimi i zgjedhjeve në Maqedoni

image
Dyshohet se me letërnjoftime të dyfishta, të falsifikuara, janë pajisur edhe një pjesë e madhe qytetarëve vendës, duke u evidentuar nga dy herë në listat e votuesve, në vendlindjet e tyre dhe në vendbanimet ku kanë jetuar, ose vazhdojnë të jetojnë aktualisht.

 

 

Nga Abdulla Mehmeti

 

  

Falsifikimi i zgjedhjeve në Maqedoni

 

Tetovë, 21. 11. 2016: (Falsifikimi i numrit të votuesve sipas përkatësisë etnike) - ARSYEJA E PESTË pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është FALSIFIKIMI I ZGJEDHJEVE, përmes falsifikimit të numrit të votuesve sipas përkatësisë etnike. 

 

Sipas përbërjes etnike të popullsisë në Maqedoni, numri i deputetëve shqiptarë dhe deputetëve nga bashkësitë tjera etnike jo maqedonase duhet të jetë afër 50 %, në mos edhe më tepër, në raport me numrin e deputetëve me përkatësi nacionale maqedonase. 

 

Në të gjitha ciklet zgjedhore, nga viti 1990 e deri më sot, ky numër ka qenë më i vogël se 30%. Kjo dëshmon qartë për falsifikimin e zgjedhjeve në këtë vend, në të gjitha ciklet zgjedhore deri më sot. 

 

Edhe pse ky falsifikim paraqet shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive qytetare të garantuara me kushtetutën e këtij vendi dhe me konventat ndërkombëtare, organet kompetente, Ministria e Punëve të Brendshme, Enti Shtetëror i Statistikës dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, nuk kanë ndërmarrë masa të nevojshme për sigurimin e barazisë së votës së qytetarëve në Maqedoni, dhe me këtë e kanë shkelur parimin e përfaqësimit të drejtë e proporcional, sipas përkatësisë etnike, në organin ligjvënës të vendit, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. 

 

Për ilustrim të këtij konstatimi, ju sjellim më poshtë të dhënat zyrtare të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës, në publikimin me titull: ,,Maqedonia në numra – 2014”. 

Në mungesë të regjistrimit të popullsisë (edhe regjistrimi i popullsisë në këtë shtet është falsifikuar në të kaluarën), me këtë edhe sigurimin e të dhënave të sakta për numrin e votuesve sipas përkatësisë etnike, të dhënat e mëposhtme për fëmijët e lindur në Maqedoni, sipas përkatësisë etnike të nënës dhe babait, janë dëshmi e fortë se manipulimi me numrin e votuesve sipas përkatësisë etnike në Maqedoni është tepër i madh. 

 

Sipas të dhënave zyrtare për përkatësinë etnike të fëmijëve të lindur në vitin 2013, në Maqedoni kanë lindur gjithsej 23 138 fëmijë, prej të cilëve 11550 me përkatësi etnike maqedonase, dhe 11588 fëmijë me përkatësi etnike shqiptare dhe përkatësi etnike nga bashkësitë tjera pakicë. 

 

Këta fëmijë të lindur në vitin 2013, tanimë janë në moshën 4 vjeçare, ndërsa prindërit e tyre sigurisht që jenë qytetarë me të drejtë vote! 

 

Si mund të arsyetohet ky ndryshim i madh mes numrit të popullsisë dhe votuesve sipas përkatësisë etnike, me numrin e mandateve të fituara për deputetë në organin ligjvënës të vendit?! 

 

Sipas kësaj logjike, asnjëherë një parti politike, ose një koalicion i partive politike maqedonase, nëse mbahen zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike në Maqedoni, nuk do ta kishte shumicën e nevojshme të deputetëve, mbi 50% të votave për formimin e qeverisë, pa përfshirjen sasiore dhe cilësore të deputetëve shqiptarë dhe deputetëve të bashkësive të tjera etnike pakicë, të cilët duhet të përbëjnë 50 % të deputetëve, në mos edhe më tepër se gjysmën e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë! 

 

Në përbërjen e fundit parlamentare (2014-2016), subjektet politike të shqiptarëve janë përfaqësuar me gjithsej 27 deputetë, që së bashku me 5-6 deputetët e bashkësive etnike pakicë nuk përbëjnë më tepër se 27 % të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Ky numër sipas përbërjes së popullsisë duhet të jetë afër 50%. Në cilat labirinte dhe manipulimeve nga organet e pushtetit humbet gjithë ky numër i madh i qytetarëve me të drejtë vote, barazinë e së cilës ua garanton edhe kushtetuta e vendit, mbetet të japin përgjigje organet më përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Ministria e Punëve të Brendshme, Enti Shtetëror i Statistikës, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, por edhe udhëheqësit e subjekteve politike, të cilët siç duket janë të interesuar vetëm për pjesëmarrje në pushtet dhe jo edhe për realizimin e të drejtave të qytetarëve të këtij shteti!

 

Shih tabelën në vazhdim:

Fëmijë të lindur sipas përkatësisë etnike të nënës dhe babait, në vitin 2013, në Republikën e Maqedonisë, *

 

Gjithsej: 23 138 fëmijë të lindur në vitin 2013

Maqedonas: 11 550 

Shqiptarë: 8 137 

Turq: 1 104 

Rom: 1 554 

Vllahë: 17 

Serbë: 120 

Boshnjakë: 248 

Të tjerë: 396 

Të panjohur: 12

Enti Shtetëror i Statistikës, publikimi me titull "Maqedonia në numra - 2014”, f. 14, Shkup.

 

* * *

 

Falsifikimi i dokumenteve për identifikimin e votuesve, praktikë e kahershme në Maqedoni

 

Arsyeja e gjashtë pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është PAJISJA E VOTUESVE TË PALIGJSHËM (VIKTIV) ME DOKUMENTE TË FAKSIFIKUARA. 

 

Tanimë dihet botërisht se në Republikën e Maqedonisë janë prodhuar dhe janë dhënë në mënyrë të paligjshme me mijëra letërnjoftime të falsifikuara, me të cilat janë pajisur mijëra persona nga Pusteci, disa vendbanime të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe nga vendet tjera fqinje, të cilat janë përdorur me qëllim të mbushjes së Listës së përgjithshme të votuesve në Maqedoni.  

 

Dyshohet se me letërnjoftime të dyfishta, të falsifikuara, janë pajisur edhe një pjesë e madhe qytetarëve vendës, duke u evidentuar nga dy herë në listat e votuesve, në vendlindjet e tyre dhe në vendbanimet ku kanë jetuar, ose vazhdojnë të jetojnë aktualisht.  

 

Sipas organeve kompetente, raste të shumta janë zbuluar në Kërçovë, Resnje dhe qytete të tjera, ku sipas këtyre dokumenteve të identifikimit, atyre u është caktuar edhe vendbanimi i rrejshëm. Shumë raste të këtilla janë zbuluar, si në shtëpinë e një funksionari partiak në Prespë (P.T.), në shtëpinë e të cilit janë regjistrojnë 20 persona, në shtëpinë e drejtorit të gjimnazit të Kërçovës (B.S.) janë regjistruar 18 persona, në Komunën Qendër të Shkupit, në disa adresa janë regjistruar 424 persona vetëm nga Pusteci, si dhe shumë raste të tjera.

 

Sa është numri i saktë i këtyre personave të pajisur me letërnjoftime të falsifikuara, këtë përgjigje nuk mund ta japin as organet e pushtetit, pa u zhvilluar hetime të hollësishme në lidhje me këtë skandal. 

 

Edhe institucionet kompetente në Maqedoni kanë pranuar publikisht se bëhet fjalë për një numër të pa verifikuar të letërnjoftimeve të falsifikuara, me këtë edhe parashtrohet dilema se ku qëndron arsyeja që numri i votuesve është gati i barabartë me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni.

 

Mediumet vendëse deri më tani kanë dhënë shumë dëshmi konkrete për numrin e votuesve nga brenda dhe jashtë vendit, të cilët ditën e votimit qarkullojnë nëpër Maqedoni duke votuar disa herë.  

 

Tashmë është vërtetuar se në Maqedoni janë dhënë në mënyrë të paligjshme një numër i madh i letërnjoftimeve, edhe pse zyrtarisht flitet për një numër prej vetëm 30 mijë sosh, dyshohet se ky numër është shumë më i madh dhe shkon deri në disa qindra mijë.

 

Në bazë të parashikimeve nga ekspertët e fushës përkatëse, numri letërnjoftime të falsifikuara mund të jetë mbi 200 mijë, për aq sa është dallimi mes numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe numrit të votuesve në Listën e përgjithshme të votuesve në Maqedoni.

 

Nga organet kompetente në Maqedoni është bërë publik gjithashtu edhe skandali me prodhimin e paligjshëm të pasaportave, të cilat jenë përdorur nga votues të paligjshëm, edhe atë, në disa cikle zgjedhore në të kaluarën. Kjo praktikë edhe pse është zbuluar gjatë këtij viti, besojmë se nuk është risi në këtë vend, duke pasur parasysh parregullsitë e shumta të evidentuara në ciklet zgjedhore të mëhershme. 

 

Prodhimi i këtyre dokumenteve të falsifikuara, letërnjoftimeve dhe pasaportave, nga organet kompetente thuhet se është realizuar në një fabrikë brenda vendit dhe tanimë është lëndë e hetimeve nga Prokuroria Publike Speciale.

 

Tanimë është pranuar edhe botërisht se skandali me numrin e madh të letërnjoftimeve dhe pasaportave të falsifikuara e dëmton rëndë procesin zgjedhor në Maqedoni, e komprometon shtetin në arenën ndërkombëtare dhe me këtë vihet në pikëpyetje procesi i integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

 

Si mund të shpjegohet ky skandal me prodhimin dhe pajisjen me letërnjoftime dhe pasaporta të falsifikuara disa mijëra personave nga jashtë, kurse nuk u jepet shtetësia dhe pajisja me këto dokumente personale e afër 50 mijë qytetarëve vendës, të cilët e meritojnë atë sipas ligjit? A mos vallë kjo ndodh vetëm pse ata janë shqiptarë?!

 

Pushteti në Maqedoni njihet edhe për shumë forma dhe teknika të tjera për falsifikimin e zgjedhjeve. Në fillim të këtij viti, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Piter van Hojte, i cili u shpall person i padëshirueshëm (non grata) nga pushteti aktual në Maqedoni, pat deklaruar se Maqedonisë i duhen së paku dy vjet për eliminimin e këtyre anomalive për krijimin e kushteve normale për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, ndërsa udhëheqësit e subjekteve politike të shqiptarëve u ngutën se kush më parë të merr pjesë në zgjedhjet parlamentare dosido, të 11 dhjetorit 2016, vetëm sa për t’u instaluar në organet e pushtetit, pa i llogaritur pasojat e mëvonshme për qytetarët që ata do t’i mbështesin me votën e tyre në këto zgjedhje! 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00