Home | Politics | Çasti historik për shqiptarët në Maqedoni

Çasti historik për shqiptarët në Maqedoni

image
Neni: " Republika e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i popullit shqiptar, si dhe i bashkësive të tjera etnike që jetojnë në të.”  

 

 

 

 Prof. Dr. Abdulla Mehmeti

 

 

Në emër të Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup, udhëheqësve të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, u bëj këtë

 

 A P E L


 Duke marrë parasysh situatën e krijuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, subjekteve politike dhe popullit shqiptar në Maqedoni u është krijuar një çast i jashtëzakonshëm historik, i cili nuk do të mund të përsëritet për gjatë kohë në të ardhmen.

Prandaj, pavarësisht nga rezultatet e arritura të subjekteve politike të shqiptarëve; pavarësisht nga opinionet e ndryshme të analistëve dhe ekspertëve të ndryshëm për dalje nga kriza aktuale politike në vend; qëllimet e dashamirëse të qarqeve politike në Tiranë dhe Prishtinë; liderët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni e kanë fjalën kryesore dhe përgjegjësinë për gjetjen e zgjidhjes në situatën e krijuar pas këtyre zgjedhjeve.

Nëse këta udhëheqës nuk kanë vullnet të mirë për t’u ulur në një tavolinë të përbashkët për të marrë vendimin e madh historik në interes të popullit që e përfaqësojnë, së paku të nënshkruajnë një Deklaratë të përbashkët, drejtuar opinionit dhe institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare, se: të gjithë liderët e subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoni, duke u mbështetur në vullnetin politik të popullit që e përfaqësojnë, janë të gatshëm të marrin një qëndrim të përbashkët, pavarësisht nga rezultatet e subjekteve të tyre në zgjedhjet e fundit, me çka do t’i tejkalojnë dallimet mes tyre në interes të popullit shqiptar, të cilin e përfaqësojnë, edhe atë:

Të gjithë së bashku, në emër të subjekteve politike që i përfaqësojnë, ta mbështesin formimin e qeverisë së re në Republikën e Maqedonisë nga koalicioni i partive opozitare të udhëhequra nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, nëse ajo pajtohet, me marrëveshje me shkrim dhe me garanci ndërkombëtare, ta iniciojë ndryshimin e Kushtetutës së vendit, me çka shqiptarëve do t’u garantohet statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit konstituiv në Republikën e Maqedonisë, përkundër statusit të deritashëm të pakicës kombëtare, i cili deri më sot ka qenë në kundërshtim me realitetin etnik dhe historik të këtij shteti.

Vetëm me ndryshimin e një neni të vetëm në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë do të sigurohej formimi i qeverisë së re dhe stabiliteti i këtij shteti në të ardhmen.

 Neni që duhet të përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, përmes amendamentit për ndryshimin e saj, duhet të ketë këtë përmbajtje:

" Republika e Maqedonisë është shtet nacional i popullit maqedonas dhe shtet i popullit shqiptar, si dhe i bashkësive të tjera etnike që jetojnë në të.”  

Në të kundërtën, përgjegjësia do të bie mbi liderët dhe strukturat udhëheqëse të subjekteve politike aktuale të shqiptarëve. Mosarritja e këtij qëndrimi nga liderët shqiptarë do t’i detyrojë qytetarët shqiptarë me këmbëngulje të kërkojnë zgjidhje të tjera, në përputhje me vullnetin politik dhe aspiratat e tyre historike.

 

* * *

 

KËRKONI ZGJIDHJE, MOS KËRKONI FAJTORË NË KËTO MOMENTE!

O politikanë dhe intelektualë të përgjumur, nëse ia doni të mirën popullit, e respektoni vullnetin e votuesve tuaj dhe u dëshironi ardhmëri të lumtur gjeneratave të reja:

- mos humbni kohë në debate duke përrallisur nëpër televizione; 

- mos u lodhni me reklamimin tuaj dhe të ideve shterpe që na sollën në këtë gjendje të mjerueshme; por,

- shkunduni një herë, kthjelluni dhe ndërmerrni hapa konkret për dalje nga kjo situatë, se çdo ditë e humbur shkon në dëm të kauzës tonë! 

Mos mendoni se dikush mund t’i ik përgjegjësisë për situatën e krijuar! 

Litari edhe në fytin tuaj shtrëngohet përditë e më shumë! 

Ne kërkojmë zgjidhje, jo kërkimin e fajtorit më të madh për këtë gjendje, o të mjerë!

 

(14.12.2016)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00