Home | Politics | Vetingu, mundësi e politikës për reflektim

Vetingu, mundësi e politikës për reflektim

image
Shoqëria jonë e lodhur nga mëkatet e politikës, shpreson për një reformë të thellë, që do të sjelli ndryshime rrënjësore në jetën e vendit. A do të jetë politika jonë në një hap me vlerat më të mira të shoqërisë sonë demokratike?

 

      

 Nga Sokol Hysenaj

 

 

 

Ligji i vetingut është elementi kyç për zbatimin e reformës në drejtësi, që u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në muajin gusht vetëm me votat e mazhorancës. Kjo reformë është e rëndësishme për vendin tonë, pasi një drejtësi e pastër ruan të pastër gjithë shoqërinë. Vetingu është ligji, që u shoqërua me polemikat më të ashpra në politikën tonë. Ky ligj që prej tre muajsh, mbahet peng prej aleancës së korrupsionit në politikë dhe në drejtësi. Vetingu sot ka ngelur mbi tryezën e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo nuk po merr një vendim për këtë ligj jetik për vendin tonë. Ajo kërkoi dhe mendimin autoritar nga Komisionit i Venecias, që me gjuhën e mprehtë të argumenteve ligjore, i rrëzoi të katër pretendimet e mykura të ngritura nga opozita jonë. Në këtë maskaradë të shëmtuar i janë bashkuar dhe ajo pjesë e molepsur në gjyqësor, që nuk ka kurajo të përballet me një drejtësi të pastër. Por kalvari i zvarritjeve për reformën a do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, pasi të tjera “pretendime” për dhunime të Kushtetutës nga ligji, që do ta shëndoshte dhe pastronte atë, janë depozituar në sirtarët e saj? A do të dali ky institucion mbi fjalën autoritare të Komisionit të Venecias?

 

Opozita nuk ka forcë për t`u vetëkorrigjuar dhe për t`u kthyer një forcë politike serioze, ndërsa i kundërvihet vetingut, duke u bërë mburojë për korrupsionin dhe hajdutërinë të ngritura në sistem. Ajo me një verbëri djallëzore e anatemoi vetingun me argumente absurde, se ligji ishte miratuar jashtë konsensusit politik, nuk kishte standartet e domosdoshme evropiane dhe dhunonte Kushtetutën e vendit. Kështu, opozita, qëndrimin e saj antireformë e ka kthyer në një vijë të ashpër politike duke krijuar dhe ngërçe artificiale për integrimin e vendit në familjen e madhe europiane.

 

Me të tilla argumente absurde, opozita ngriti barriera burokratike, duke e dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke ngrirë zbatimin e reformës më jetike të vendit për disa muaj. Ky ngërç artificial ngriu dhe proceset e integrimit të vendit tonë në familjen e madhe evropiane. Opozita me argumentet e saj, si një daulle e grisur, për muaj u mundua të manipulonte shoqërinë tonë. Manovrat e saj politike janë të mbushura me cinizën dhe hipokrizi, për ta kthyer këtë reformë jetike në një kauzë të gjymtuar.

 

Ajo u mundua t`i tregojë shoqërisë sonë, se do të jetë kjo forcë politike, që do ta nxjerrë vendin nga letargjia, që ka mpirë ekonominë e vendit. Për hir të së vërtetës, duhet të pohojmë, se opozita e sotme dy herë që erdhi në pushtet, e la vendin në një gjendje të mjerueshme, si në pranverën e zezë të ‘97-ës dhe në kolapsin ekonomik të 2013. Shoqëria jonë e ka vështirë t`u besojë argumenteve të saj, që veç ndotin ambjentin politik të vendit. Kundër këtyre pretendimeve groteske erdhën dhe argumentet e forta të Komisionit të Venecias.

 

Por dhe mazhoranca, ndonëse e votoi këtë ligj në Kuvend, nuk tregoi një vullnet të fortë politik për ta përmbyllur në kohën e duhur, këtë proces të rëndësishëm të reformës dhe për t`i hapur rrugë zbatimit të saj, aq të domosdoshëm për të ardhmen e vendit. Reformat e saj delitanteske në ekonomi, në arsim dhe në shëndetësi e kanë lënë Shqipërinë peng të doktrinave pa standarte dhe me nivelin më të ulët ekonomik në rajon, duke zhgënjyer shpresat e mëdha të shqiptarëve për ndryshime progresive. Sot mazhoranca nuk ka të plotë vullnetin politik, për të ndërmarrë angazhime të përbashkëta me faktorët brenda dhe jashtë vendit, në të mirë të reformës dhe për t`u larguar nga maskarada politike.

 

Kështu aleanca antiveting ka krijuar lozhën e saj në ballinën e shoqërisë, duke qëndruar stoike në mbrojtje të krimit dhe korrupsionit, që brejnë nën dhe vendin. Zvarritjet e saj të fryra janë fyerje për qytetarët e ndershëm të këtij vendi, që aspirojnë një Shqipëri demokratike, larg krimit ekonomik dhe politik.

 

Ethet e vetingut kanë frikësuar segmente të politikës dhe të drejtësisë, të zhytur deri në grykë, në llumin e korrupsionit. Kështu politika jonë, diku me zë dhe diku heshtazi, u bë pjesë e barrikadës së regresit, duke iu kundërvënë kohës dhe shoqërisë sonë. Rezymeja e propagandës së tyre, nuk është veçse një kredi premtimesh të këqija, që do të ketë një kosto të lartë për shoqërinë tonë. Kjo politikë e krisur i kundërvihet kohës dhe shoqërisë sonë duke tjerrë konflikte banale.”Kjo lozhë e shoqërisë sonë” duke u pozicionuar kundër vetingut mundohet të ruajë “të drejtat e saj të paprekshme” duke u fshehur nën mantelin e të drejtave kushtetuese.

 

Reforma në drejtësi do të garantonte të drejtën e çdo qytetari për t`u gjykuar dhe për t`u mbrojtur nën akuzë, duke u hequr ombrellën politike. Askush nuk mund t`i fshihet ligjit, duke u fshehur pas karriges së pushtetit. Vetingu, eshtra e kësaj reforme, që do të shëndoshi shtetin ligjor dhe do të nisi pastrimin e radhëve të drejtësisë nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit, që për gati një çerek shekulli mbajnë peng vendin, duke u bërë një barrikadë regresive për të ardhmen.

 

Deri më sot, gjyqtarët e papërgjegjshëm kanë kryer afera dhe pazare të pista me detyrën, duke marrë në këtë mënyrë peng drejtësinë. Kjo reformë, që është shpresa e shqiptarëve, nuk mund të gjymtohet për interesa të ngushta, apo për të përfituar kapital politik.

 

Shoqëria jonë e lodhur nga mëkatet e politikës, shpreson për një reformë të thellë, që do të sjelli ndryshime rrënjësore në jetën e vendit. A do të jetë politika jonë në një hap me vlerat më të mira të shoqërisë sonë demokratike? Prania e të huajve në procesin e vetingut shton besimin për pastrimin e drejtësisë sonë nga të “korruptuarit e paprekshëm”, duke sjellë erën perëndimore në vendin tonë. Politika është ajo që do të shtrojë binarët e së ardhmes progresive, në një shoqëri demokratike. Shtylla kurrizore e këtij procesi të vështirë do të jenë organet e vetingut. Dërgimi i vetingut në Gjykatën Kushtetuese të krijon idenë, se politika po kryqëzon ligjet për t`i shpëtuar ndëshkimit. Kjo politikë që mbanë mbi supe pelerinën e rendë të korrupsionit, deri më sot ka xhongluar me ligjet, ashtu si ia kanë dashur interesat e saj meskine.

 

Në këtë proces të rëndësishëm lozha anti-veting nuk solli ide dhe alternativa progresive, por vetëm baltë dhe fyerje nga më banalet. Kjo lojë hipokrite vazhdoi dhe para përfaqësuesve të Brukselit, duke dëmtuar dhe procesin e integrimit të vendit tonë në këtë organizëm. Mbi këtë reformë të mirëpritur nga shoqëria shqiptare, segmente të inkriminuara në politikë dhe në gjyqësor skërmitin dhëmbët e krimbur të korrupsionit. Kjo lozhë e shoqërisë sonë për të ruajtur privilegjet e saj rrotullohet në qerthullin e vetvetes. Kapriçot e saj të papërgjegjshme bien në kundërshtim të ashpër me aspiratën e shoqërisë sonë.

 

Kjo reformë ka ngjallur frikën e humbjes së karriges së pushtetit, që për një çerek shekulli e mbajnë në kthetrat e tyre. Një reformë e pastër dhe funksionale do të mbyllte një epokë të errët të abuzimeve orientale, që segmente të politikës dhe gjyqësorit kanë bërë me pushtetin. Ndaj shoqëria jonë dëshiron ndryshime progresive dhe jo kthim prapa në praktikat bizantine të abuzimeve me pushtetin. Reforma në drejtësi do të gjejë zbatim për të krijuar një realitet të ri demokratik larg kthetrave të molepsura të korrupsionit, ku do të sundojë ligji dhe e drejta. Shqipëria nuk mund të ngelet peng e maskaradave politike, që po e lënë jashtë dyerve të Evropës. Besoj, se vendi ynë do të gjejë energji pozitive në vetvete, për të bërë hapa përpara në këto momente deçizive për të sotmen dhe të ardhmen e tij.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00