Tranzicioni ynë drejt epokës post-ideologjike
Politika si biznes. Europa e detyruar nga Trumpi, që të kërkojë strategji të reja. Kina, si arbitër i ri i ekuilibrave globalë. Të lidhim rripat e sigurimit, të udhëtojmë me shpejtësi të lartë drejt një bote të re...
Paolo Valentino
Duhet t’i themi lamtumirë Perëndimit? Eshtë fundi i botës transatlantike, i paktit mes vendeve demokratike që dolën nga Lufta e Dytë Botërore, dhe i bazuar mbi garancinë e sigurisë amerikane, që përvijohet përballë Europës, pas zgjedhjes së Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë?
Edhe pa ndarë pesimizmin e ish ministrit të jashtëm gjerman, Joshka Fisher, skenarët e politikës ndërkombëtare për vitet e ardhshëm parashikohen të luhatshëm dhe të ndryshueshëm. Askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë domethënie do të ketë konkretisht presidenca Trump për SHBA dhe demokracinë e tyre. I zgjedhur pasi shkeli çdo rregull të politikës amerikane, ai e ka bërë paparashikueshmërinë pikën e tij të fortë, dhe asgjë nuk të bën të mendosh që do të ndryshojë pasi të jetë futur në shtëpinë që ndodhet në adresën “1600 Pennsylvania Avenue”. Politika e jashtme nuk bën përjashtim.
Atëherë është e pamundur të bësh parashikime? Jo tamam. Mes deklaratave kontradiktore dhe emërimeve të para për administratën e ardhshme, një gjurmë nis të dallohet qartë mbi mënyrën se si Trumpi ka ndërmend të lëvizë në lidhje me botën. “Kissingeriane” e ka quajtur historiani anglez, Niall Ferguson, vizionin e tij strategjik. Nëse ekziston, ajo udhëhiqet prej idesë së “një bote të qeverisur nga fuqi të mëdha rajonale, me njerëz të fortë në krye, të gjithë të bindur se cilido rend botëror i qëndrueshëm duhet të jetë i ngritur mbi ekuilibrin e fuqive”. Dallimi themelor me Kissingerin është që ky i fundit nuk harroi kurrë që ta ndërfusë realpolitikën e tij në hullinë e vlerave perëndimore, ndërsa për Trumpin, një lider post-ideologjik, është transaksioni, marrëveshja e bazuar në interesat reciproke, tamam si në biznes, që vlen mbi të gjitha. Asgjë nuk e ilustron më mirë se sa qasja e tij ndaj Putinit, i forti, që thuhet se ndoshta i ka dhënë edhe një dorë për t’u zgjedhur.
Emërimi si Sekretar Shteti i Rex Tillersonit, kreu i ExxonMobil dhe një mik i mirë i udhëheqësit rus, paralajmëron një stinë mirëkuptimesh me Moskën: fund sanksionesh, marrëveshje për një Ukrainë neutrale dhe të decentralizuar (ide shumë e dashur kjo për Kissingerin) si dhe pranim i rolit dhe pranisë së qëndrueshme të Rusisë në Lindjen e Mesme, sidomos në Siri.
Janë skenarë që motivojnë parehatinë e Joshka Fisherit. “Duhet të presim një Jaltë 2.0, që të pranojë sferën e influencës së Kremlinit?”, pyet i alarmuar ish kreu i diplomacisë së Berlinit. Dhe janë skenarë që bëjnë nervozë vendet balltike dhe Poloninë, në krahun lindor të NATO-s. Aq më shumë që Trumpi në fushatën elektorale ka mohuar çdo lloj automatizmi në garancitë e sigurisë, duke i lidhur ato me pagimin e “kuotave të anëtarësimit”, pra pikërisht një transaksion. E megjithatë, emërimi në Pentagon i gjeneralit James Mattis, një “fajkua” që s’bën kompromis, duket sikur jep një farë garancie.
E sigurtë është që, me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, Europa nuk do të mund të fshihet më. Duhet që më në fund të vërë dorë në një mbrojtje të vërtetë europiane, duke marrë përgjegjësi të përbashkëta. Dakord, po cila Europë? Ajo e dobësuar dhe e kapur prej etheve të reja nacionaliste? Ku pas një viti mund të shohim Francën, Holandën e madje edhe Italinë, në duar të qeverive populiste antieuropiane? Natyrisht, nuk është e mirëqenë. Por edhe në skenarin më optimist (humbja e Frontit Nacional në Paris, rikonfirmimi i Angela Merkelit në Gjermani, qeveri pa ndjekësit e Grillos në Itali), europianët duhet të rigjejnë rikompaktësinë dhe një projeksion strategjik, duke investuar energji dhe burime. Jo vetëm për t’u mbrojtur, por edhe për të eleminuar që në burim problemin e tyre numër një: pa “migration compact”, ndihmat me objektiv stabilizimin dhe zhvillimin e vendeve prej nga vijnë imigrantët, nuk do i ndalim valët e të dëshpëruarve që nisen drejt kufijve tanë.
Nuk do të ketë paqe në Lindjen e Afërme, ku hezitimi i Trumpit (jo ndryshe nga i Obamës) për të marrë role imperialë, do i lërë fushë të hapur rivalitetit për hegjemoninë mes Iranit, Arabisë Saudite dhe Turqisë neootomane. Ndoshta do ta mposhtim ISIS-in, por krizat në Libi, Irak, Siri, Jemen do të jenë ende larg zgjidhjeve të qëndrueshme. Kuadrin mund ta komplikojë denoncimi nga ana e SHBA i marrëveshjes bërthamore me Teheranin: nëse ndodh, do të shohim një garë të rrezikshme dhe shqetësuese për riarmatim bërthamor në rajon.
Dhe në fund Azia, ku Trumpi është angazhuar për të anuluar Marrëveshjen e tregtisë së lirë në Paqësor. Një dhuratë për Kinën, e cila mund të bëhet garanti i vetëm i tregtisë së lirë globale. Për më tepër, nëse Trumpi do të denonconte edhe marrëveshjen për klimën, Pekini mund të veshë edhe mantelin e liderit të luftës kundër ngrohjes së planetit. Do të ndodhë gjithsesi që Kina të marrë rolin e arbitrit të ekuilibrave në botë. Por Donald Trumpi mund ta përshpejtojë këtë skenar. Të lidhim rripat e sigurimit, të udhëtojmë me shpejtësi të lartë drejt një bote të re. Ashtu si i ndodhi Stefan Cvajgut, me shumë gjasë do të ndjejmë keqardhje për atë të djeshmen.
Comments (0 posted)
Post your comment