Home | Politics | Na duhet një Parlament i reduktuar, cilësor dhe dinjitoz

Na duhet një Parlament i reduktuar, cilësor dhe dinjitoz

image
Ne jemi një vend i vogël e me resurse të kufizuara njerëzore e financiare, me një ekonomi të brishtë e me rritje të papërfillshme. Prandaj e theksoj vendosmërisht se 100 deputetë na dalin dhe na teprojnë.

      

 

 

Nga Pali Nito

 

 

Ne jemi një vend i vogël e me resurse të kufizuara njerëzore e financiare, me një ekonomi të brishtë e me rritje të papërfillshme. Shkurt dhe qartë nuk e kemi aspak luksin që të paguajmë koston e papërballueshme të 140 deputetëve që kemi aktualisht e që mbahen tejet me vështirësi nga xhepat e varfër të bashkëpaguesve tanë. Prandaj e theksoj vendosmërisht se 100 deputetë na dalin dhe na teprojnë.

 

Pra duhet me patjetër që ta reduktojmë këtë makineri parlamentare të rënduar që lëviz me vështirësi për shkak të skorieve të ndryshuara që e kanë mbërthyer duhen pastruar. Çuditërisht tek ne paradokset dhe absurditetet janë bërë gati pothuajse të zakonshme dhe që kanë fituar të drejtën e qytetarisë. Kjo gjë vërehet ngado dhe kudo, madje edhe në përbërjen numerike të parlamentit tonë të stërmadh. Në krahasim me Greqinë, Italinë por edhe vende të tjera europiane krahasuar me numrin e popullsisë ne jemi vendi më i pasur me deputetë por ama vetëm me deputetë se për ekonomi ku e ku ata dhe ku ne. Po e ilustroj me një shembull sinjikativ e tepër konkret e domethënës. Ukraina, një shtet me 45 milion banorë dhe ka vetëm 120 deputetë ndërsa ne me 3 milionë banorë kemi edhe 20 deputetë më tepër se Ukraina, që është një shtet relativisht i madh por edhe me goxha resurse ekonomike si qymyre, hekur por edhe me resurse të konsiderueshme bujqësore. Pra sikundër shihet ky është një paradoks që e sheh edhe i verbëri apo çdo kush tjetër që nuk ka dhe aq haber nga këto të flamosura punë. Më duhet të theksoj edhe faktin e pamohueshëm se deputetët tanë janë tepër të shtrenjtë jo nga vlera, jo, jo aspak nga vlera por nga kostoja e lartë financiare pasi rroga e një deputeti, shto këtu angazhimet në komisionet parlamentare si dhe favoret e tjera shkon të paktën në 4 milionë lekë të vjetra në muaj që është e papërballueshme për këllqet e ekonomisë tonë. Dhe po të krahasosh rrogën e një deputeti me pensionin e një pensionisti të mjerë të atij që merr vetëm 100 mijë lekë raporti del 1:40. Zotërinj politikanë, nëse u ka mbetur qoftë edhe një fije ndershmërie humanizmi ndaleni në tejskajshmëri dhe mizerabilitet të tillë kaq absurd dhe aspak të pranueshëm për një vend demokratik që aspiron dhe përpiqet për një mirëqenie sa më dinjitoze.

 

Por reduktimi i Parlamentit nga 140 në 100 deputetë i shërben më tepër se sa anës ekonomike anës cilësore, e theksoj sidomos përmirësimit dhe lartësimit të anës cilësore të jetës dhe veprimtarisë parlamentare e cila për hir të së vërtetës lë shumë për të dëshiruar dhe kemi rastin dhe momentin përshtatshëm për ndërhyrje kirurgjikale e pa as më të voglin ngurim e mëdyshje. Si qytetar, intelektual dhe njeri i medias e quaj me vend dhe tepër të mençur arsyetimin dhe njëherazi shqetësimin e kryeparlamentarit, zotit Ilir Meta kur deklaroi para do kohësh se Parlamenti i viteve ‘90-të ka qenë më cilësor. Dhe ka shumë të drejtë pasi Parlamenti aktual dominohet nga mediokriteti dhe paaftësia intelektuale, nga parazitizmi dhe mungesa e etikës, nga vulgariteti dhe falsiteti, nga retorika zhurmuese e krejt pa vlerë e të padobishme. Në të vazhdojnë të vegjetojnë deputetë me nga 6 dhe 5 mandate radhazi, të lodhur e të konsumuar e për rrjedhojë nuk kanë më se çfarë të thonë e çfarë të bëjnë pra, duhet të vetëlargohen e tua lënë vendin të tjerëve e sidomos të rinjve intelektualë, energjikë, operativë e që janë në gjendje e të aftë të gjejnë e të shpalosin alternative që i shërbejnë qytetarëve, zhvillimit ekonomik, vendit dhe shoqërisë, duke synuar cilësinë parlamentare ne e spastrojmë një herë e mirë parlamentin nga batakçinjtë, sharlatanët, dallaverexhinjtë, të implikuarit në krime e korrupsion, në vrasje apo trafikim armësh dhe lëndësh narkotike, prostitucioni e një mori problematikash e pisllëqesh të panumërta. Duke insistuar te cilësia, unë personalisht arsyetoj dhe gjykoj këmbëngulësisht dhe pa ngurrim se ka ardhur koha që të kërkojmë dhe gjejmë figura të reja dhe me potencial intelektual që sjellin një frymë të re. Shënjestrimi për deputetët e Parlamentit të ardhshëm lipset të jenë njerëz nga bota intelektuale si pedagogë, profesorë, juristë, shkencëtarë, agronomë dhe akademikë me emër, që janë të pastër e të papërlyer pikërisht ata që gëzojnë reputacion e që janë në gjendje që mund e duhet ti kontribuojnë denjësisht, me vullnet e impenjim zhvillimit normal dhe me efikasitet, jetës dhe veprimtarisë parlamentare. Një përzgjedhje e tillë si në sitën e imët do ta çlironte Parlamentin nga shamataxhinjtë, nga thashethemexhinjtë, nga shpifësit dhe intrigantët, nga ata që shajnë dhe bëjnë akuza të ndërsjella, apo nga ata që merren me take takime të kota e pa asnjë vlerë të dobishme e krejt të paprincipta.

 

Për qarkun e Fierit, që e njoh mirë, konkretisht sugjeroj që të ketë jo më shumë se 10 deputetë nga 16 që ka aktualisht. Po kështu të veprohet njëherazi edhe me qarqet e tjera duke reduktuar ndjeshëm numrin e deputetëve në zgjedhjet e ardhshme politike të 18 qershorit. Për arritjen e këtij synimi kërkohet si domosdoshmëri vullnet dhe vendosmëri nga forcat politike dhe institucionet që e kanë në kompetencë këtë çështje që përkon edhe me dëshirën e qytetarëve. Pra, si përfundim gjithë vëmendja të fokusohet tek cilësia, moraliteti, fisnikëria dhe produktiviteti i Parlamentit të ardhshëm.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00