T’ua japim pushtetin qytetarëve
Iluzionet e opozitës së sotme, për ardhjen në pushtet me mënyrën e vjetër, kur shembej sistemi komunist e nacionalist është sa i gabuar, aq edhe jashtë kohe.
Nga Sokol Hysenaj
Në këtë fillim viti, me borë e akuj të natyrës kanë nisur dhe fishkëllimat e para të erërave të politikës parazgjedhore, që shfaqen herë me acar dhe herë me zhugull, por me aromën e njëjtë prej 25 vjetësh. Njëra palë numëron sukseset, që i bie të jetë mazhoranca dhe tjetra, që është opozita të nxijë gjithçka, të luajë rolin e viktimës e të personazhit të vuajtur, të dhimbsur për hallet e popullit. Këtë parti nuk e lënë “t’u kthejë pushtetin qytetarëve”. “Pushtetin klasës punëtore”, “pushtetin masës”, “pushtetin popullit” e sa e sa slogane të tilla dëgjoi e duartrokiti populli, dhe jo vetëm te ne. Aq sa i vjen neveri sa herë i kthen sytë pas dhe sheh të kaluarën e tij. Asnjëherë, në asnjë kohë, në asnjë regjim, populli nuk ka patur pushtet, por forca e tij, djersa dhe gjaku i tij janë përdorur nga sundimtarët, pushtetarët dhe politikanët, për interesa të tyre, a klane të tyre. Ç`tragjedi! Ç`poshtërsi janë luajtur në emër të popullit, në emër të qytetarëve. Tragjikomedi, ku mund të qahet dhe qeshet njëkohësisht. Çfarë s`kanë dëgjuar veshët tanë të sëmurë nga zhurma e tyre. Por përse sillen kështu, sikur njerëzit e thjeshtë të jenë dele në vathën e tyre, ku megalomania, hipokrizia e gënjeshtra nuk kanë kufi?! Dhe ne duhet t’i dëgjojmë, t’i besojmë, t’i respektojmë e t`u bëjmë temena gjuhëve të tilla.
Ministra shkojnë fshat më fshat për të ndarë tapi dhe certifikata pronësie, por gjithmonë në prag fushatash elektorale, se në muaj të tjerë nuk bëhet kjo punë. Apo kanë kohë të tepërt e s`kanë punë të tjera tani?! Kurse drejtues të opozitës bëjnë ku-ku degë më degë për gjendjen e mjerueshme të popullit dhe këtë gjë e konstatuan veçse tani, që i zbritën nga kali i pushtetit. Por ç`bënë këta kur ishin ministra në disa ministri, apo kryetarë bashkie? Më mirë i dinë vetë ata, por dhe njerëzit i kanë parë përditë si atëherë dhe tani. Një frymë e tillë sjelljeje ndaj popullit, ndaj njerëzve, që nuk u janë hequr fukarallëku dhe hallet nga supet e rrëgjuara e shpirtrat e dërrmuar, ngjajnë si një tallje e pacipë. Jetojini pak çaste në mendje, ata lot të një nëne me tre fëmijë, që pret t’i falin një çapë bukë bashkëfshatarët, për të mbajtur frymën gjallë, e çatia ku jetonte t`u shembej mbi kokë në çdo çast.
Kur Shqipërisë i fali Zoti e natyra pasuri e resurse pafund, por bijtë e saj enden e sfiliten rrugëve të botës, jo për pasuri, por për të jetuar, e në vatrat e tyre pllakos heshtja dhe vetmia. Fshatra e krahina të boshatisura, pa njerëz, ngjajnë si pyje të prera a të djegura, ku tek-tuk ka mbetur ndonjë filiz, për të treguar se aty më parë është jetuar. Dy drejtuesit e forcave më të mëdha politike, sot u ngjajnë dy armiqve të egër, që pjesën më të madhe të forcës mendore e harxhojnë me kalkulime për marrjen apo mbajtjen e pushtetit dhe fare pak se çfarë do të bëjnë konkretisht me këtë pushtet për të mirën e vendit, apo popullit të tyre, të rropatur dhe të nginjur me slogane populiste. Me të tilla iluzione dhe slogane opozita e sotme e ka nisur fushatën elektorale për të ardhur në pushtet.
Ardhja në krye të “Shtëpisë së Bardhë” e presidentit Trump vërtet mund të zgjojë forcat nacionaliste dhe populiste, apo ardhjen në pushtet të manjatëve me financa të mëdha dhe me retorika agresive, të cilat ngjallin ëndërrime për “njësha” të fortë në krye, për të bërë shtete apo kombe të fortë. Por Amerika është e tillë dhe s`ka nevojë të bëhet.
Iluzionet e opozitës së sotme, për ardhjen në pushtet me mënyrën e vjetër, kur shembej sistemi komunist e nacionalist është sa i gabuar, aq edhe jashtë kohe.
Sloganet populiste se “do t`u japim pushtetin qytetarëve” janë bori të dëgjuara në forma e kohë të ndryshme, por që realisht dihet se populli apo qytetari pushtetin e ushtron vetëm në momentin e zgjedhjeve, një ditë në katër vjet dhe për më vonë këtë pushtet ia delegon të zgjedhurve të tij, që do ta përfaqësojnë. Këta të zgjedhur deri tani kanë punuar më tepër për vete, e jo për ata që i kanë zgjedhur dhe këtë të vërtetë askush s’e mohon.
Pozita të mos vargosi me mburrje listën e arritjeve dhe sukseseve, por të qaset më afër halleve dhe problemeve emergjente, apo të mëvonshme për t’i zgjidhur dhe për të rimëkëmbur ekonominë duke përmirësuar çdo ditë jetën e qytetarëve të këtij vendi, që tek ata të ngjallet shpresa për të punuar dhe jetuar këtu, e jo të marrin këmbët në krah dhe të enden në tërë botën, për pakëz bukë në shekullin XXI.
Kurse opozita do të ishte mirë ti qante hallet brenda shtëpisë së saj, të shëronte plagët tek vetja, duke u ndarë nga fryma e vjetër, që e ka ferrë nëpër këmbë, për të përparuar e të eci përpara, të bëhet forcë e besueshme në sytë e popullit dhe të tregojë se ajo ka vetë energji të brendshme, e s`ka nevojë të marrë “miell hua” dhe as t`ia shtrojnë rrugën të tjerët për të ardhur në pushtet. Të japi alternativa për zgjidhjen e problemeve, të marrë mbi supe peshën e rëndë të përgjegjësive para popullit e vendit të saj. Drejtuesit e saj nuk kanë nevojë të servilosen e qurraviten salloneve të botës, se u janë mohuar të drejtat, e s`kanë hapësira ku të tregojnë talentin e tyre të madh, për të qeverisur e drejtuar këtë vend, sepse vota e popullit ua ka dhënë disa herë këtë mundësi, të cilën e kanë shpërdoruar deri në shkatërrim të ekonomisë dhe të shtetit.
Populli që i ka hequr në kurriz, i mban mend mirë të gjitha, sa kanë shkëlqyer ata gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje. Fushata është në fillimet e saj dhe jam i bindur, se do të dëgjojmë plotë “xhevahire” nga gjuhët e gurta e të palara të politikanëve tanë. Forca e fjalës nuk qëndron tek tingulli i fortë, gërthitja, hungërima apo trashja e zërit, por tek përmbajtja, thelbi dhe kuptimi i saj, nga koha e vendi ku thuhet.
Është bërë zakon, që nëpër fushata dhe mitingje të afrohen grupi i borive, daullexhinjve zhurmëmëdhenj, që hakërrohen e përbetohen për karrigen që u duhet për b… e atij që trash zërin e tund gishtin në tribune, që sa u peshon ora, s’u peshon gjuha.
Shumë herë ballafaqime të tilla me tribuna e fjalime, me kashtë pa kokrra janë aq vulgare dhe të dala boje, sa të ngjasojnë si zënkat e çiliminjve të lagjeve, kurse garipi i tyre fryhet se do t`ua tregojë qejfin sapo të marri në dorë “shkopin”.
Populli ua ka parë hajrin e ua ka matur mendjen, si kur gërthasin dhe ulërasin, apo kur gënjejnë e mashtrojnë me premtime për ura pa lumë, çeqe e simite nga qielli. Ka qeshur me to, ka parë punët dhe hallet e tij dhe është munduar t`i harrojë. Me mençuri dhe urtësi, me durim dhe shpirt të vrarë ka pritur gjithmonë të vetëpastrohen nga llumi i krimit dhe i korrupsionit e t`u japin zgjidhje problemeve të mëdha sociale dhe ekonomike, që mundon poshtë shtresat në nevojë. Është i tejngopur me teatrot tuaja, kush hedh baltë më shumë në fytyrën e tjetrit, për t`u dukur vetë i pastër.
Qylafin sipas kokës do ta kenë, sepse nuk është më populli i viteve ‘90-të, i paparë, i padalë, apo “i mbyllur në vathën e tij”. Nuk ka përmbysje sistemi apo komunizmi. Populli është më i zgjuar dhe i mençur e do t`ju çmojë nga puna që bëni apo keni bërë, e jo nga dokrrat dhe kopaçet që këpusni përditë.
Zoti Trump është zgjedhur presidenti i një vendi të madh, siç është SHBA, që Shqipërisë i ka dalë krah në momentet më të rënda dhe është partneri ynë strategjik, ku ne jemi mbështetur. Nuk ka nevojë t’i përmendim ne si fëmijë i keq “shiko vëllai im të shau ty dje”, por unë do t`ia tregoj qejfin.
Çdo udhëheqës i një vendi të madh ka vizionet dhe parimet e tij, për të drejtuar me efikasitet anijen e madhe të botës, në mes shumë dallgëve dhe të papriturave e nuk ka nge të merret me cic-micjet e pickitjet, nga përplasja e këmbëve tuaja. Qytetarëve tuaj ju jepni punën, ju jepni bukën, lërini fjalët e mëdha “t`u japim larinë, t`u japim pushtetin qytetarëve”, se këto i ka dëgjuar aq sa i dhemb koka nga boritë tuaja e hallet e tij. Peshorja e tij do të anojë kush ia vret vërtet varfërinë e i hap rrugë shpresës për të ardhmen.
Comments (0 posted)
Post your comment