Populli dhe Europa presin vetingun, politika luan “kampingun”
Momenti e kërkon që forcat tona politike të mazhorancës dhe opozitës të ishin bashkë për problemet madhore që kalon vendi, rajoni dhe më gjerë, por për fat të keq dhe në këto raste kjo forcë politike që e donte Shqipërinë si Europa...
Nga Sokol Hysenaj
Për çdo vend që ka zgjedhur rrugën demokratike në sistemin shoqëror kapitalist, pozita dhe opozita luajnë rolet e tyre në tërë jetën politike, shoqërore ekonomike. Opozita është një institucion i respektuar dhe i domosdoshëm, nëse ajo mungon bie dhe vetë fjala demokraci. Me lëvizjet dhe qëndrimet e saj, ajo lufton të rifitojë besueshmërinë e popullit me synimin për të riardhur në pushtet, nëpërmjet votimeve të lira. Pozita dhe opozita mbajnë mbi supet e tyre të gjitha problemet dhe sfidat që kalon vendi, populli dhe kombi i tyre, prandaj për probleme të tilla të rëndësishme ato duhet të bashkojnë forcat deri në kapërcimin e situatave të rënda, siç ishte rasti i reformës në drejtësi. Ku ndryshimet kushtetuese u votuan nga të gjithë deputetët e mazhorancës dhe opozitës, pavarësisht kundërshtive, mosbesimeve dhe përplasjeve të cilat u kapërcyen.
Por gjithçka u arrit pas kaq përpjekjesh të faktorit të jashtëm dhe të brendshëm, pas një pune të vështirë dhe të gjatë, një pjesë e partive politike këtë reformë duan ta përmbysin, ta lënë të vdesë si fëmijën e porsalindur që “mamitë zihen” me njëra tjetrën dhe bëjnë sikur harrojnë t`i lidhin kërthizën. Opozita jonë po shquhet në përpjekjet e skajshme, për ta kthyer gjithçka që u arrit, në pikën zero, duke shpërdoruar lirinë për demonstrime dhe duke sjellë një pështjellim dhe dëm shumë të madh popullit, vendit dhe çështjes sonë kombëtare. PD-ja, kjo forcë politike që u krijua me logon: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, sot është kthyer në një parti që po përdoret për të ndaluar vendosjen apo implementimin e standardeve dhe vlerave të Evropës në Shqipëri. Një grusht njerëzish të frikësuar nga reforma në drejtësi po e përdorin PD-në si daulle tellalli apo qendër zëri, ku lëshohen ultimatume, sharje e mallkime jo vetëm për qeverinë dhe kryeministrin, por dhe për Evropën, Amerikën e përfaqësuesit e tyre dhe gjithkënd që nuk e hedh vallen sipas daulles së çadrës.
E gjithë kjo ka për synim të zerojë reformën në drejtësi që në Shqipëri të vazhdojë politika e mosndëshkimit, për të arritur një marrëveshje të dytë, si ajo e 20 viteve më parë, më 9 mars 1997 nga cila buruan të gjitha prapësitë e mëvonshme deri në ditët e sotme. Mendoj se një gjë të tillë mazhoranca nuk ka si ta pranojë, sepse do të merrte mbi vete një faj të rëndë para popullit që e votoi në 2013 për ta çuar vendin përpara me reforma të rëndësishme. Një nga kërkesat kryesore të opozitës është sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nëpërmjet një qeverie teknike, por kjo është fasada, sepse qëllimet janë të tjera. Të kërkosh dhe të këmbëngulësh për zgjedhje të lira është gjëja më e mirë që bënë opozita e cila jo vetëm kërkon siguri, por e ka dhe detyrë ta kërkojë. Por të aludosh se zgjedhjet do të vidhen, kjo është frikë nga humbja dhe dëshirë për të qëndruar në krye të partisë pas zgjedhjeve të humbura, sepse kjo mazhorancë nuk është provuar se si do t`i organizojë zgjedhjet. Kjo opozitë e cila deri sot nuk ka arritur të realizojë zgjedhje të lira brenda vetes, për të mos folur për zgjedhjet e tjera që ka katranosur kur ka qënë në qeverisje dhe rasti më ekstrem ishin ato të vitit 1996. Kërkesa e saj për qeveri teknike, është kërkesë për qeveri pazaresh për të bllokuar vetingun e reformës në drejtësi, në funksion të mos ndëshkimit dhe në vend të qeverisë të zgjedhur me votën e popullit të kalohet tek qeveria e pazareve apo qeveri të ardhur nga rruga.
Vetingu është pjesë e Kushtetutës, që u votua nga të gjitha palët, dhe kushdo që e pengon atë është kundër Kushtetutës. Opozita e sotme, po të shihet në retrospektivë për qëndrimet që ka mbajtur në momentet kulmore që ka kaluar vendi dhe kombi, më tepër u është kundërvënë interesave tona, duke çuar ujë mullirin e fqinjëve. Kam parasysh qëndrimet e saj për Rambujen, për luftën në Kosovë, për embargon ndaj Serbisë, në lëshimin e territoreve ujore dhe tani në prag të pranimit në Bashkimin Evropian e mbanë vendin peng për të mos u prekur të inkriminuarët e saj dhe të gjithë Shqipërisë. Është e gatshme të ndezë urat e urrejtjes dhe ta çojë vendin në katastrofë, me anë të ndonjë skenari të ri të mendjeve të vjetrave dhe të mbrapshta si në 98-ën.
Momenti e kërkon që forcat tona politike të mazhorancës dhe opozitës të ishin bashkë për problemet madhore që kalon vendi, rajoni dhe më gjerë, por për fat të keq dhe në këto raste kjo forcë politike që e donte Shqipërinë si Evropa, po u kundërvihet interesave të vendit dhe rekomandimeve që vijnë nga Evropa dhe SHBA-ja!
Marrëzia dhe hileja janë bërë bashkë në një çadër që është bërë megafon i gjuhës së urrejtjes të një grushti njerëzish të cilët nga frika e reformimit të drejtësisë, i vënë stërkëmbësha vetingut e vendit në tërësi, në emër të një force politike gjoja të viktimizuar, duke i bërë thirrje popullit t`i mbrojë me luftë, mos bindje, thyerje xhamash e tërheqje zvarrë të atyre që i zgjodhi vota e popullit. Por populli dhe situatat nuk janë ato të 97-ës e t`u besojë broçkullave bajate që gatuan kuzhina e çadrës, e cila nuk është ngritur për hallet e popullit, por është bunkeri i të inkriminuarve, ku një grusht njerëzish kërkojnë të lozin me fatet e vendit për të mbrojtur lëkurën e tyre.
Gishti që tundet fortë në foltoren e çadrës, fillimisht të pyesë veten: “A është fortë i larë për vete dhe a e mbajnë supet e tij përgjegjësinë para popullit, vendit dhe kombit, para faktorit ndërkombëtar, të cilët në këto momente kërkojnë të bëhet vetingu dhe mos të luhet me kampingje?”. Kjo që bëjnë politikanët tanë nuk tregon as dhimbsuri për vendin e popullin, as përpjekje për të ndryshuar ndonjë gjë për mirë, por tregon hileqarëri, paburrëri e haxhiqamilëri.
Tërheqja e opozitës nga një hulli e tillë, ku është futur, kërkon zgjuarsi dhe mençuri, të cilat nuk mungojnë brenda PD-së, ndryshe në hullinë e marrosjes së saj nuk e tërheq dot tërë vendin, sepse nuk përsëritet njësojë historia, dhe aq më tepër kur kushtet ndryshojnë plotësisht. Populli është i mençur vetë dhe askush, dhe asnjë forcë politike nuk e merr dot për dore, e aq më pak kalibri i ngushtë i një pjese politikanësh tanë që i ka bërë rastësia politikanë. Ata përfundimisht do të mbeten dritëshkurtër dhe nuk do të mundin ta futin vendin në spirale konfliktualesh të gjata, duke minuar interesat e çështjes sonë kombëtare. Çadrizmi nuk ka të ardhme!
Comments (0 posted)
Post your comment