Barack Obama, presidenti i ri i SHBA-es
Presidenti Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve të punojnë së bashku për të përballuar sfidat me të cilat ndeshet vendi në këto momente krize ekonomike dhe i përfshirë në dy luftëra.
Pas betimit, presidenti i ri iu drejtua mbi një milion të pranishmëve që ishin mbledhur në Parkun Kombëtar në Washington për të dëgjuar fjalimin e presidentit të 44.
Obama tha se vendi po ndeshet me një krizë ekonomike të shkaktuar nga grykësia dhe dështimi kolektiv për të marrë vendime të vështira. Gjendja e ekonomisë, tha ai, kërkon veprime të shpejta e të guximshme, për të hapur vende të reja pune dhe për të hedhur themelet e një zhvillimi të ri ekonomik.
Për politikën e jashtme, presidenti Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të luajnë përsëri rol udhëheqës dhe të bashkëpunojnë me botën. Ai u zotua t'ua lërë me përgjegjshmëri Irakun vetë irakianëve dhe të vendosë paqen në Afganistan.
Shtetet e Bashkuara tha ai, po kërkojnë për rrugë të reja për të sjellë përparim në botën myslimane, bazuar në interesin dhe respektin reciprok. Ai u zotua të ndihmojë popujt e vendeve të varfra për zhvillimin e tyre.
Obama, demokrat, është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ardhja e tij në pushtet, i jep fund, administratës 8 vjeçare të presidentit republikan George Bush.
Comments (0 posted)
Post your comment