Vota e shqiptarëve, si ndëshkim për politikanët
Ne shqiptarët, ende kemi besimin se diçka mund të ndryshojë me Vettingun e Drejtësisë, sepse reformën po e drejtojnë amerikanët dhe BE...
Nga Riza Hoxha
Një çadër që gjeti shesh në qendër të Tiranës duke bërë përshesh gjithë Shqipërinë. Aq sa kjo çadër do të mbahet mend vetëm sa evidentoi se vetëm shtet ende nuk kemi mundur të ndërtojmë në shqiptarët.
Një çadër që do të hyjë në historinë moderne të shqiptarëve. Sepse tregoi sa poshtë kemi rënë ne shqiptarët. Sa nuk mund të zgjidhim asgjë pa ndihmën e miqve ndërkombëtarë. Për ne shqiptarët, dy dinozaurët tanë, më shumë u trembën prej të mëdhenjve që i detyruan të puthen me gëzim befas në një mesnatë që çuditi dynjanë. Na duket e çuditshme që ndër ligjet e para që miratuan së bashku ishte ligji i dënimit për votuesit e varfër që shesin votën. Ndëshkimi i rëndë për çdo njeri që shet, apo blen votën. Ka ndodhur që ndonjë i varfër ta shesë votën e tij për një krodhe bukë për fëmijët e uritur. Vetë dy dinozaurët e kësaj farë politike nuk mund të na thonë se, varfëria nuk është në rritje në vendin e shqiponjave.
Vetëm këta ligjvënës që këto ditë pa na çajnë veshët me zhurmën që bëjnë duke na e kërkuar të shkretën votë vetëm përmes mashtrimeve. Edhe pse vetë e dimë se asnjë gjë nuk e thonë për së vërteti. Duan të na dënojnë për një votë të shitur që askujt nuk i prish ndonjë punë edhe nëse ndodh. Ndërsa në mënyrën më të paturpshme heshtin kur vetë shesin mijëra vota. Tregu i tyre është bërë tashmë i zakonshëm. Bile krenohen kur tregu u ecën mirë. Sa deputetë vetëm këtë legjislaturë ndryshuan forcën politike. Votën e morën nga e djathta, por i shërbyen së majtës, ose anasjelltas. A nuk është më i ndyrë ky lloj tregu se ai tregu i varfanjakëve që nxjerrin diçka duke shitur votën e tyre? Dhe sot ata dënohen, ndërsa kjo farë deputetësh nderohen kur shesin votën e mijëra votuesve. Në fund të fundit ju vetëm i mashtroni varfanjakët. Sa këto ditë nuk u pushon goja me lloj lloj premtimesh. Po asnjëherë nuk i treguat këtij populli pse dini vetëm të mashtroni?
Tashmë gjithë shqiptarët janë të bindur se duhet ta ndëshkojnë me votën e tyre gjithë klasën politike që deri tani vetëm i ka ndëshkuar përmes ndërtimit të një shteti oligarkiko – familjar, të një shteti të paturpshëm sa të gjithë sot i themi “me nder me thënë shtet që kemi”.
Tashmë jemi të gjithë të bindur se me 25 qershor duhet ta ndëshkojmë këtë farë klase politike. Përndryshe do të vazhdojmë të mbetemi të harruar dhe të braktisur. Në gjendjen që kemi mbetur prej vitesh, ku varfëria zë kryet e vendit në sofrën tonë, është e domosdoshme që t’i shërbejmë vetes dhe familjes. Jo më si deri tani duke i shërbyer vetëm grupit oligarkik dhe grupit familjar në pushtet. Duhet të ndryshojmë shumëçka sepse është ky farë pushteti familjar që ka bërë që varfëria të na zejë për fyti e të mos na lëshojë. Bile ajo sa vjen e rritet nga viti në vit. Ndërsa politikanët tanë të gjithë janë vënë kundër të gjithëve. Ndërsa sot janë bashkuar të gjithë bashkë vetëm për të mposhtur popullin. Askujt nuk i shkon mendja të punojë pak çaste për Shqipërinë. Kemi arritur në atë shkallë sa shumica e shqiptarëve kanë nisur t’i japin të drejtë Enverit që i shtypi për gjysmë shekulli. “Ai e kuptoi se çfarë ishim ne, ndaj gjeti zgjidhjen më efikase duke na nënshtruar lehtësisht për gjysmë shekulli”,- thonë tashmë shqiptarët e tejlodhur nga oligarkia dhe pushteti familjar.
Vetëm pak ditë më parë, këta farë politikanësh ishin mjaft të shqetësuar se, nuk mund të kryheshin votime pa opozitën që kishte gjetur rehat në çadër. Ajo doli nga çadra, bile u bashkua dhe u bë bythë e brekë me Rilindjen. Po tani, asnjërës palë nuk i shkoi mendja të shqetësohet se, pa opozitë zgjedhjet janë të kota. Sepse siç kanë ardhur punët në këtë Shqipërinë tonë, vetëm opozitë nuk ka. Këta farë politikanësh që na plaçkitin çdo ditë janë dakordësuar që të jenë bashkë në pushtet, bashkë në plaçkitje.
U mblodh parlamenti dy ditë më parë. Të gjithë duartrokisnin njëri tjetrin. Njëri që u kujtua të ngrinte zërin e protestës për çfarë po ndodhte në këtë farë parlamenti iu hakërryen menjëherë të gjithë të tjerët. Dhe kështu u detyrua të heshtë dhe ai. Ndaj themi: ky farë parlamenti askujt nuk i duhet. Kësisoj, duhet ndëshkuar masivisht me votën e gjithë shqiptarëve. Këto lloj politikanësh që i kemi mbi shpinë prej 27 vitesh duhet t’i rrëzojmë e t’i flakim tej.
Askujt nuk i duhet edhe Republika e Re, apo mashtrimi më i ri i këtyre farë politikanëve që i tremben si djalli temjanit Vettingut, i cili pritet të pastrojë Drejtësinë nga plazhistët e Durrësit, që brenda një viti janë kthyer në milionerë. Ndërsa ne e dimë se ç’ndodhi me Rrugën e Kombit që ende nuk ka mbaruar, ndonëse janë shpenzuar rreth 1,4 miliard euro, me Gërdecin ku u vranë fëmijë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, me 21 Janarin ku u vranë të pafajshëm që qëndronin bashkë me gazetarët e shumë fatkeqësi të tjera që i kanë mbërthyer shqiptarët e varfër.
Ne shqiptarët, ende kemi besimin se diçka mund të ndryshojë me Vettingun e Drejtësisë, sepse reformën po e drejtojnë amerikanët dhe BE. Përndryshe, me këtë farë klase politike që kemi ne, nuk shkohet as në hale. Jo më t’i besosh reforma të tilla si reformën e Drejtësisë. Kur klani i politikanëve është rritur aq sa sot edhe pse kemi 129 parti, vazhdojnë të ngrihen të reja. Ndaj duhet ta ndëshkojmë këtë klasë që t’i heqim edhe dëshirën për të ngritur lloj-lloj patickash që po çudisin dynjanë. Sepse edhe pse janë bashkuar duke fshirë opozitën, vazhdojnë të na përrallisin për Republikën e Re. A thua se ajo e vjetra ç’nuk na bëri... vetëm na varfëroi. Kjo e reja po ngrihet t’u shërbejë më mirë oligarkëve. Sepse nuk mund të bëjë gjë tjetër, nuk mund të bëjë vezën me dy të kuqe. Nuk na duhen Republika të reja, por na duhet të luftojmë me efikasitet korrupsionin e shtrirë gjithandej, militantizmin e shfrenuar, nepotizmin idiotesk dhe të këqija të tjera që kanë pushtuar vendin tonë. Na kërkohet ta ringjallim demokracinë me të cilën nuk u kënaqëm një ditë. Sepse ajo sa erdhi u zu për fyti nga lloj-lloj monstrash të kësaj farë klase politike që ne ende e kemi nëpër këmbë. Kjo është arsyeja, pse i domosdoshëm është ndëshkimi i kësaj klase politike që po bën çmos të mos lëshojë karrigen e deputetllëkut.
Comments (0 posted)
Post your comment