Home | Politics | Asistencë nga BE për Vettingun

Asistencë nga BE për Vettingun

image
Bashkimi Europian paralajmëron se zbatimi i Vettingut do të nisë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit.

 

      

 

 

 

 

 

Bashkimi Europian paralajmëron se zbatimi i Vettingut do të nisë menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Zyrtarë të lartë të BE do asistojnë në procesin e Vettingut që pastrimi i drejtësisë të ndodhë sa më shpejt. Lajmin e ka bërë të ditur eurodeputeti Knut Fleckenstein, duke theksuar se zbatimi i Vetingut është kusht thelbësor për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë. “Jam i kënaqur që një nga prioritetet e kryeministrit ishte zbatimi i vetingut dhe kjo ka filluar. Nuk ka dyshim që pas zgjedhjeve, puna për vetingun do vazhdojë. Kjo ishte dhe është parakusht për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne do të nxisim që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh Fleckenstein.

Ndërkaq, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, ka folur edhe për arritjen e marrëveshjes Rama-Basha. Ai shpreh kënaqësinë për arritjen e marrëveshjes politike në Shqipëri, për të cilën ka kontribuar edhe ai. I pyetur se kush fitoi Rama apo Basha, ai tha: “Nuk më intereson fare. Vërtet nuk më intereson. Nëse kryeministri dhe lideri i opozitës gjetën dakordësi për mënyrën se si të zhvillojnë zgjedhjet e përgjithshme dhe për të gjitha elementet e nevojshme që paraprijnë zgjedhjet, unë jam i kënaqur me këtë. Jam shumë i lumtur, që McAllister, Lee dhe ndoshta dhe unë kontribuuam për këtë rezultat, pro në fund, ishin 2 bosët që vendosën se si do të vijojnë. Ky është një hap pozitiv dhe shpresoj që një dakordësi e tillë të arrihet pa asistencën tonë herën e ardhshme”.

 

Eurodeputeti Fleckenstein dha një koment edhe për koalicionet politike. Ai tha se nuk mund të përjashtohet mundësia e një koalicioni të madh, kur nuk ka alternativë tjetër, ashtu siç po ndodh në Gjermani. Pra, në këtë rast, ai do ta mbështeste një koalicion PD-PS. “Për mua, koalicionet e mëdha janë gjithnjë një përjashtim, edhe pse në Gjermani u bënë vite që vendi qeveriset nga një koalicion i madh. Nëse nuk do ketë asnjë alternativë tjetër për koalicion, atëherë një koalicion i tillë i madh, qoftë dhe teorikisht, mund të formohet. Pse jo?”, u shpreh Fleckenstein. Sa i takon monitorimit të zgjedhjeve, ai tha se nuk do jetë pjesë e misionit vëzhgues, ndërsa tha se pas shpalljes së rezultatit, do vijojë puna për procesin e integrimit të Shqipërisë. “Jo, nuk do jem, por di që ka shumë kolegë që do shkojnë atje dhe jam i sigurt që ata do bëjnë një punë të mirë. Unë do jem i lumtur të pres rezultatin dhe pastaj ne do vazhdojmë punën për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian. 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00