Home | Politics | Nga padija apo nga papërgjegjshmëria?!

Nga padija apo nga papërgjegjshmëria?!

image
Institucione të ndryshme shtetërore dhe private përdorin, krahas flamurit kombëtar edhe flamurin e stemën e tyre, si për shembull, çdo bashki ka stemën e vet përkatëse...

 

 

     

Nga Sazan Goliku

 

 

(Refleksione për simbolet tona kombëtare)

Një shtet i konsoliduar e serioz që zbaton Kushtetutën në çdo nen e paragraf të saj nuk të fal as kur shikon të shkelen e të shpërdorohen edhe tiparet e heraldikës së tij. Mos të harrojmë se nën hijen e këtyre simboleve kanë derdhur gjakun shqiptarët e vërtetë atdhetarë në betejat e përpjekjet për liri e pavarësi. Shembulli i shkëlqyer është dhe ai i kosovarëve në ditët tona, që për një flamur shqiptar u burgosën, u torturuan shtazërisht dhe janë vranë. Vargjet e Fan Nolit: “O Flamur gjak, o Flamur shkabë, / O vent e vatr’, o nën’ e babë, / Lagur me lot, djegur me flagë, / Flamur i kuq, Flamur i zi!” janë përjetuar e mishëruar historikisht nga kombi ynë.

 

Pas përmbysjes së shtetit të diktaturës së proletariatit, në fillim të viteve ’90 të shekullit të shkuar, u miratua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë heqja e yllit të kuq nga flamuri dhe nga stema e ndryshuar e Republikës së Shqipërisë. Ylli i kuq dhe konceptimi i stemës ishin simbole të internacionalizmit dhe të sistemit totalitar komunist. Gjithashtu në Kuvend u propozua nga një grup deputetësh, që të zëvendësohej shqiponja dykrenore e flamurit e ngritur më 1911 në Deçiq nga trimat e Dedë Gjon Lulit, nga dora e Ismail Qemalit në bazë të vendimit të Kuvendit historik të Vlorës më 28 Nëntor 1912, nga çetat kryengritëse shqiptare, nga banorët e trojeve të pushtuara shqiptare në festat familjare e popullore, nga shteti shqiptar që nga 1920 deri në ditët që po diskutohej ky problem.

 

Dihet që shqiponja dykrenore ka qenë përdorur që në lashtësi nga popuj, etni, mbretëri e perandori të ndryshme. Në Perandorinë Romake të Lindjes (Bizanti), dy familjet perandorake, që alternoheshin me njëra-tjetrën, ajo e paleologëve dhe ajo e ungjillorëve, përdornin në flamujt e tyre shqiponja dykrenore përkatësisht me krahët lart dhe me krahët poshtë. Si ndikim, edhe më vonë, shtete të tjera si Rusia, Serbia, Mali i Zi, si dhe Patriarkana e Stambollit etj., e morën këtë simbol, e modifikuan dhe e stilizuan sipas dëshirave e qëllimeve të tyre politike e fetare.

 

Pra, është absurde që ndonjë zë “i ditur” na “zbulon” se flamuri ynë nuk na qenka shqiptar. Edhe interpretimi naiv romantik, se dy krerët e shqiponjës përfaqësojnë dy krahinat tona të mëdha: Gegëninë e Toskërinë, i përket fantazisë folklorike.

 

Institucione të ndryshme shtetërore dhe private përdorin, krahas flamurit kombëtar edhe flamurin e stemën e tyre, si për shembull, çdo bashki ka stemën e vet përkatëse, disa degë të ushtrisë kanë flamujt e distinktivët e vet, po kështu edhe skuadrat e sporteve të ndryshme. Kjo larmi flamujsh e stemash të posaçme nuk e prekin identitetin dhe integritetin e simboleve shtetërore kushtetuese, kur përdoren në vendet përkatëse, por në asnjë mënyrë, në asnjë rast, në asnjë vend e në asnjë kohë nuk mund të zëvendësojnë simbolet kombëtare. Çdo individ mund të bëjë variacione stilistike sipas dëshirës me këto simbole, por kategorikisht nuk lejohet të kryhen të tilla veprime nga institucionet shtetërore. Presidenti, Kuvendi i Republikës, Kryeministria, gjykatat, prokuroria dhe institucionet e tjera qendrore duhet të kenë në selitë e mjediset e tyre vetëm flamurin e stemën kushtetuese.

 

Në Kushtetutën e Republikës sonë, në nenin14/7 shkruhet: “Forma dhe përmasat e simboleve kombëtare, përmbajtja e tekstit të himnit kombëtar, si dhe përdorimi i tyre rregullohen me ligj.” A e njohin dhe a e zbatojnë këtë ligj të gjithë ligjvënësit, organet ekzekutive e ligjore, administrata shtetërore? Shembujt e mëposhtëm flasin për të kundërtën.

 

Meqenëse u shpall Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë (dhe jo Presidenti i Shqipërisë, siç e shkruajnë ca gazeta dhe e thonë disa folës në disa TV) po shkruaj për ato që kam parë, jo vetëm njëherë, për simbolet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

 

Padija nuk është faj, po nuk duhet të të lejojë të punosh atje ku nuk e ke vendin. Papërgjegjësia ose pakujdesia flet hapur se ti nëpunës i shtetit e merr pagesën kot, pa e merituar dhe duhesh të flakesh nga karrigia e shtetit.

 

Disa vjet më parë, në kohën e “mbretërimit” të Topallit, shqiptarët (por jo deputetët e nderuar) shqyen sytë, për të mos thënë u skandalizuan, kur panë që në sallën e Kuvendit të Republikës ishte vendosur stema e Republikës e shfytyruar, e gjitha ishte bërë e artë, kur në Kushtetutë, e zeza mbi të bardhë, shkruhet në nenin 14/3 : “Stema e Republikës së Shqipërisë paraqet me fushë të kuqe me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes...” Vetëm pas ca kohësh, nga reagimet e disa deputetëve, u rivendos stema kushtetuese. Por turpi mbeti. Por ende stema e Republikës së Shqipërisë në disa salla të institucioneve është ravijëzuar arbitrarisht me ngjyrë të verdhë ose të bardhë. Madje një stemë të tillë e shohim edhe në sallën kryesore të gjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Pse sot e kësaj dite nëpër disa institucione të ndryshme shtetërore gjejmë të varur, jashtë e brenda, flamurin kombëtar të zbukuruar me thekë të verdhë, kur në nenin 14/2 të Kushtetutës shkruhet: “Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes”?

 

Gjithë shtetet kanë një flamur shtetëror. Vetëm për ish-presidentin Nishani kishte dy. Këtë e kemi parë në zyrën e tij kur priste vizitorë. Në njërën anë flamuri kombëtar, në anën tjetër një flamur me shqiponjën me krahët e ulura poshtë (sic). Po në këtë zyrë bëri takimet e para edhe Presidenti i ri Meta dhe vazhdon t’i bëjë.

 

Në oborrin e selisë së Presidentit (dhe jo në Presidencë, siç përdoret rëndom gabimisht ky term edhe nga zyrtarët e presidentëve, madje e edhe nga juristë e gazetarë të nderuar) së fundi pamë këto ditë gjatë ceremonisë festive të betimit të Presidentit të ri, dy flamuj: Nga e majta atë me shqiponjë krahëposhtë (sic) dhe në të djathtë flamurin kombëtar. Nga krismat e topave të ftuarit nuk arritën ta shohin këtë “enigmë” qesharake, për të mos thënë e turpshme.

 

Kjo dukuri është, as më pak e as më shumë, një shkelje e Kushtetutës sonë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00