Home | Politics | Me rrenca, me rrenca nuk ka shtet!

Me rrenca, me rrenca nuk ka shtet!

image
...e nuk ka as me popull që rri heshtur e këqyr seri qysh katër njerëz shpirtngushtë sjellin e pështjellin veç për ta rehatuar interesin personal...

 

 

 

Flaka Surroi

 

 

 

Mbase sot Kosova do të bëhet me Qeveri dhe me kryeministrin e tetë që nga 2002-a. Gjasat janë që dëshira e zjarrtë e Haradinajt për t’u bërë i pari i Qeverisë do të realizohet më në fund – një ëndërr e nisur me vetëdije të plotë se do t’i ndërpritej menjëherë, për shkak se në kohën kur e kishte negociuar ndarjen e pushtetit me Rugovën, tashmë e dinte se e kishte një aktakuzë nga Gjykata e Hagës.

 

Përderisa vetes ia siguroi mbrojtjen në liri, që në çastin që iu dorëzua Tribunalit vullnetarisht nga posti i kryeministrit, Kosovën e futi në të njëjtën listë me Serbinë: që të dyja, tashmë, kishin zyrtarë të lartë shtetërorë që akuzoheshin për krime lufte (me gjithë dallimin e madh ndërmjet viktimizuesit, Serbisë, dhe viktimës, Kosovës).

 

Zgjedhja e tij e atëhershme, më 2004, ishte realizimi i interesave të dy personave: Rugovës, që e donte postin e kryetarit veç për vete, dhe e Haradinajt, që e donte postin e kryeministrit veç për vete dhe shumë ministri në një Qeveri me 12 dikastere më duket. I kishte 8 deputetë që ia siguronin shumicën LDK-së – dhe e nxori maksimumin. Porse nuk mundi ta gëzonte këtë post më gjatë se 100 ditë. Dhe pa dyshim, kjo i ka mbetur zhig.

 

Përsëritja e pazarit

 

Aq zhig, sa kësaj radhe lidhi koalicion me PDK-në “e urryer”. Pas zgjedhjeve nuk pranoi të dorëzohej dhe të pajtohej se nuk i kishte numrat. Së bashku me Kadri Veselin, të cilin nuk dukej se e respektonte shumë gjatë legjislaturës së shkuar, e shtynë madje tre muaj konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Tre muaj iu deshën fillimisht për t’ia prishur shumicën e thjeshtë opozitës, me blerjen e Teuta Rugovës. E më pas, për të pritur si hienat, kur do ta zinin pre Pacollin. Ose kur do të lejonin që të ziheshin pre nga Pacolli, që kësaj radhe ua luajti lojën mjeshtërisht të gjithëve.

 

Pacollit duhet pranuar një gjë, për të cilën ka qenë i sinqertë prej fillimit: që nga inkuadrimi i tij në politikë nuk e ka fshehur kurrë ambicien për t’u bërë kryetar i Kosovës. Kurrë nuk e ka fshehur se do të donte ta ndryshonte rendin kushtetues dhe që Kosovën ta bënte demokraci presidenciale e jo parlamentare (nejse, demokraci nominalisht – diçka si në Rusi). Ia doli të zgjidhej i tillë më 2011; ndenji nja 35 ditë në atë zyrë; Kushtetuesja e rrëzoi – jo për ndonjë arsye të përnjëmendtë juridike; ia njohu zgjedhjen, por ia anuloi mandatin. Si e pse – do të duhej pyetur urdhërdhënësin dhe shpikësin e një vendimit të këtillë, Hashim Thaçin dhe Enver Hasanin.

 

Pra, me këtë ambicie nuk e kaloi pragun në zgjedhjet e 2014-s. Në zgjedhjet e fundit shkoi aty ku “nuk e kërcënuan” dhe ku i mashtroi duke i rrejtur se do t’i përmbahej marrëveshjes. E dinte me siguri se, në kombinim me LDK-në, ai do të kalonte, e me të edhe ndonjë kandidat i tij. Sa më shumë të kalonin, aq më shumë fuqi kushtëzimi. Por një gjë që dyshoj ta ketë menduar është se me fuqinë e tre deputetëve do të mbërrinte të marrë aq shumë pushtet në Qeverinë e re. Po atë pushtet që do të donte ta kishte edhe si kryetar i shtetit.

 

Pacolli e dëshmoi veten në petkun e tij origjinal: të biznesmenit që nuk ka skrupuj. Duke e ditur se Haradinaj e Veseli janë mbështetur për mur, i ndrydhi për ta nxjerrë maksimumin dhe për t’iu treguar se kurdo që do ta vlerësojë, ai do të mundë ta rrëzojë këtë Qeveri. S’do ta kishte sefte, tashmë e kishte bërë njëherë më 2014.

 

Për tri votat e tij mori në këmbim postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe madje pesë ministri (përfshirë Bujqësinë që ia morën serbët). Tash në vend të ministrisë së humbur, do ta krijojë një të re – të Inovacionit po thonë. Nuk e kam dyshimin se kësaj ministrie Qeveria do t’ia ndajë një buxhet të majmë. Shtatë postet e zëvendësministrave nuk po i bëj hesap, se zëvendësministër në Kosovë bëhet ai që nuk është rehatuar në ndonjë post tjetër paraprakisht, e jo pse ka ndonjë fuqi ekzekutive. Këta shërbejnë për të krijuar vrima në buxhet.

 

Pacolli gënjeu se nuk do të bënte koalicion me PDK-në; gënjeu se do ta respektonte marrëveshjen me LDK-në; gënjen tash kur thotë se veprimin për të lidhur marrëveshje me PAN-in e bën për ta zhbllokuar bllokadën, e aq më tepër se e bën për të mirën e vendit. Këtë lëvizje e ka bërë për t’u bërë me pushtet të madh – në ato ministri ku ka shumë para, e ku ka fare apo hiç kontroll shpenzimesh buxhetore. Rren kur pajtohet me panistat që thonë se kjo do të jetë “qeveri reformatore”. Reformë nuk mund të ketë kur pushtetin e mbajnë të njëjtët që e kanë sakatuar këtë vend, prejse kanë hipur në pushtet mbas luftës.

 

Rrena shumë

 

Kështu Kosova do të bëhet me Qeverinë e re, e cila, natyrisht, nuk ka program qeveritar. E pse ta ketë, kur programi i vetëm që e kanë pasur në mendje është si të bëhen me pushtetin. Krejt të tjerat këtu janë irrelevante.

 

Qeverinë do ta udhëheqë njeriu, i cili ndenji gjatë në opozitë dhe i cili ia shiti shpirtin Hashim Thaçit kur u kthye nga Haga më 2012. Ai ia premtoi postin e kryeministrit që e mbante vetë, e në këmbim për premtimin mashtrues, i udhëzoi deputetët e tij që ta votonin Marrëveshjen për Zajednicën. Ia siguroi votat e mjaftueshme që ajo të kalonte. E pasi nuk u zgjodh kryeministër, e ktheu pllakën dhe filloi ta rezistonte kalimin e marrëveshjes së dytë. E mandej rezistoi edhe për demarkacionin, për të cilin tash thotë se do të kryhet shpejt dhe do të korrigjohet. Premtoi se vizat do të hiqen për 90 ditë nga dita kur do të vijë në pushtet – s’do të jetë as i pari e as i fundit që do të gënjejë për këtë punë. U mësuam më.

 

Edhe ky tha se kurrë s’do të lidhej me të këqijtë e këtij rrëfimi – porse vrapoi për të lidhur marrëveshje me PDK-në. Ende në zyrë e mban pankartën “Fillimi i ri” dhe tash është bërë miku më i ngushtë i Kadri Veselit – njeriut të nëntokës, siç e kanë quajtur jo rrallë deputetët e tij. Thotë se e ka lidhur marrëveshjen për të mirën e Kosovës – “se kemi shumë punë për të bërë”, dhe vendos që për ministër të Infrastrukturës ta caktojë një mjek dhe për ministër të FSK-së një gjeneral që ka biznes gurthyesi. Ka pranuar që Pacolli të ketë kontrollin mbi pesë ministrat e vet, dhe që Lista Srpska t’i mbajë madje tri ministri, mbi të cilat, natyrisht, nuk do të ketë kurrfarë autoriteti. Për të mirën e kujt do të punojë, nëse gjysmën e kabinetit qeveritar nuk do të mundë as ta qortojë, po qe se vjen puna deri aty, sepse e di që secilit prej tyre i mjafton t’i transferojë vetëm dy vota për ta rrëzuar nga kolltuku.

 

Tha: “Listën Serbe s’e solla unë, por e gjeta në mesin tuaj” – ama harroi të thoshte se në Komisionin Kushtetues e ka pasur edhe përfaqësuesin e vet që e ka votuar zgjidhjen e ministrive të obligueshme për serbët. Ata nuk u fuqizuan vetë – ata u fuqizuan duke iu falënderuar “ekspertëve” partiakë, përfshirë edhe ekspertin e AAK-së, që na sollën këtu ku jemi sot. Ta kishte pasur përnjëmend se po punon për Kosovën, nuk kishte lejuar që formimi i ekzekutivit të varej nga 20 votat e rezervuara të minoriteteve, e për më keq, që veprimet e Qeverisë të varen nga Lista Srpska, me kusht që këtë t’ua miratojë Vuçiqi – shefi i tyre i vërtetë.

 

Parimi, çka është ajo?

 

Por nga ky përshkrim nuk ka sesi të mënjanohet “N”-ja e koalicionit parazgjedhor. Ndryshimi i diskursit të të gjithë deputetëve të kësaj partie, prej një legjislature në tjetrën, është neveritës dhe absolutisht pa asnjë parim. Për shkak se po të kishte pasur parim, “P”-ja dhe “N”-ja kurrë nuk do të bëheshin bashkë, për shkak se NISMA qe fraksion i PDK-së. Pra, njerëzit që deri në zgjedhjet e 2014-s ishin pjesë e po këtij pushteti që e shkatërroi Kosovën, të njëjtët për tri vjet kinse e kundërshtuan PDK-në, për t’u bërë sërish bashkë tash.

 

Natyrisht se interesi i bëri bashkë – për më tepër, interesi do të ketë qenë aq i madh, sa e lejoi Limajn ta pranojë postin e zëvendëskryeministrit, ani që gjatë gjithë fushatës zgjedhore emri i partisë së tij madje as nuk figuronte në posterët e koalicionit. Ani që në përmbylljen e fushatës Haradinaj e ngrehu me zor për ta çuar në podium, e për ta përshëndetur masën. Ku mbetën dinjiteti, parimi, e hidhërimi, etj., etj.?

 

Qysh i shkoi në mendje të thoshte se “po krijojmë Qeveri reformatore” kur në të do të jetë edhe ai, që është i akuzuar për korrupsion derisa ka qenë ministër. Po të kishte parim, edhe pse gjykata ende nuk ka vendosur përfundimisht, do të duhej të rrinte anash, se akuza mbi të po qëndron qe shtatë vjet. Po qe se gjykata do të vendoste për pafajësinë e tij, atëherë do të mundë të pretendonte të mbante ndonjë post në ekzekutiv – si shembull i mirë. Por tash dëshmohet vetëm si shembull i keq – si njeri që nuk ka parime, dhe që krejt çka i intereson është ta ketë një post të lartë shtetëror dhe ta përkrahë një qeveri të varur nga Beogradi.

 

* * *

 

Qeveria e re është kombinimi më i keq që ka mundur t’i ndodhte Kosovës (nejse, më keq ka mundur të bëhej po t’i ishte bashkuar edhe LDK-ja, sikurse bëri herën e shkuar kur ia zgjati jetën PDK-së). Krahu i luftës, i përkrahur nga një tyxhar që e futi në grackë, nuk mund të krijojë Qeveri afatgjatë. Për shkak se është krijuar nga njerëzit që rrenën e kanë program politik. Janë njerëz që nuk ua kanë besën atyre që qesin nënshkrime në letra, e që mandej nuk i respektojnë marrëveshjet. Për shkak se ashtu funksionojnë. Për shkak se nuk janë mësuar të japin përgjegjësi. Sepse nuk kanë kujt.

 

Popull që hesht kaq gjatë; popull që zgjedh të ikë para se ta luftojë të keqen këtu; popull që përherë do të gjejë arsyetime koti për krejt çka po na ndodh – zor që mund të gjendet bile në rajon. E përderisa nuk do të dimë të kërkojmë përgjegjësi nga këta, nga policia dhe nga gjyqësia, do të vazhdojmë të jetojmë në shtetin ku rrena është mbretëreshë./koha.net

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00