Klubet elitë në Londër
Fshehtësia është kyçe. Një numër anëtarësh të klubit nuk iu përgjigjën kërkesës...
Prapa dyerve qendrore të disa prej adresave më ekskluzive në qendër të Londrës, anëtarët më të rëndësishëm të elitës politike angleze hanë, pijnë, takohen dhe flejnë – dhe gjejnë aty një mjedis të rehatshëm dhe të fshehtë, për të bërë ujdi dhe çarë përpara në politikë.
Ndonëse bota e klubeve ku lejohen vetëm anëtarë (dhe shpesh vetëm burra) nuk është më një pjesë qendrore e strukturës së politikës britanike, dhe një simbol tribuje politike, shumë prej anëtarëve të klasës politike ende e shohin anëtarësinë në këto institucione historike, si një pjesë kyçe të përparimit në Uestminster. Të tjerë i shohin si një vend të qetë, larg prej syve përgjues, apo edhe për një mbrëmje të qetë larg politikës.
“Natyrisht, klubi më i mirë në Londër është Dhoma e Përfaqësuesve dhe është një vend shumë i mirë për të takuar njerëz, por ndonjëherë është shumë e volitshme të takohesh gjetkë, për të kaluar një mbrëmje të qetë, me një pije përpara”, thotë ish Ministri i Foreign Office, Henry Bellingham, i cili është anëtar i klubit “White’s”, i cili pranon vetëm anëtarë meshkuj.
“Po të kthehemi 100 vjet pas, ka patur shumë ministra dhe deputetë për të cilët, anëtarësimi në klub ishte më i rëndësishëm, sepse kalonin shumë më tepër kohë aty. Tani, njerëzit kalojnë më shumë kohë në Parlament”.
Një problem është kostoja, teksa anëtarësimi shpesh herë shkon më shumë se 1000 stërlina në muaj. “Ka ende besnikëri politike ndaj këtyre klubeve, por është reduktuar shumë, pikërisht për shkak të kostos”, thotë Howard Flight, një ish deputet dhe tani anëtar i Dhomës së Lordëve, i cili është anëtar i tri klubeve të Londrës – “Carlton Club”, “Pratt’s” dhe “Boodle’s”. Ai thotë se tani, pjesën më të madhe të takimeve i bën në Pallatin e Uestminster.
Bellingham beson se ligjvënësit e rinj po vetëdijësohen për vlerën e hapësirave më private – “vende ku mund të takosh miq të vjetër dhe të bësh biznes”.
Më poshtë, disa prej klubeve më ekskluzive të Londrës dhe anëtarët politikë me shumë influencë, të tyre.
“The Carlton Club”
Nuk mund të bëhesh më konservator se sa në “The Carlton club”, i themeluar në vitin 1832. “Anëtarësimi në klub ishte një distinktiv për besnikëri ndaj Partisë Konservatore dhe klubi ofronte bërthamën për organizimin e partisë për disa dekada, sidomos përpara krijimit të Zyrës Qendrore Konservatore”, thuhet në faqen e internetit të klubit.
Anëtarët e klubit që kanë qenë dhe janë konservatorë, janë të panumërt, dhe kryeministrat konservatorë, përfshirë Theresa May, marrin anëtarësinë e nderit në klubin “St James’s’ Street”.
May u largua në vitin 2001, bashkë me ish Sekretarin e parë të shtetit, Damian Green, për shkak të politikës së klubit që pranon vetëm meshkuj. Në atë kohë gratë mund të ishin anëtare të asociuara, por nuk mund ta përdornin barin e zotërinjve apo të votonin. Ish Kryeministri, David Cameron refuzoi të anëtarësohet për të njëjtat arsye, por u bë anëtar kur klubi u dha të drejtë anëtarësimi të plotë grave, në vitin 2008. Deputete femra që janë aktualisht anëtare të klubit përfshijnë Harriet Baldwin, Nadine Dorries, Rachel Maclean dhe Victoria Prentis, e cila është në krye të komitetit politik të klubit.
“The Beefsteak Club”
Katër prej ministrave të Foreign Office të qeverisë, përfshirë Sekretarin e Jashtëm Boris Johnson, janë anëtarë të “The Beefsteak Club”, i cili pranon vetëm meshkuj.
Fshehtësia është kyçe. Një numër anëtarësh të klubit nuk iu përgjigjën kërkesës së politico.eu për komente. Një anëtar tha se drejtuesit janë shumë rigorozë dhe nuk lejojnë të flitet për klubin jashtë mureve të tij.
Por raportet për klubin, në Irving Street, sugjerojnë se anëtarët darkojnë së bashku në një tryezë me mysafirët. Tradita dikton që stjuardët dhe kamerierët e klubit të thirren të gjithë “Charles”.
Ministrat e Foreign Office Alan Duncan, Hugo Swire dhe Roy Stewart janë gjithashtu anëtarë, bashkë me ish kancelarët Norman Lamont dhe Nigel Lawson, si dhe mbështetësit e Brexit dhe ish deputetët Peter Lilley dhe Nicholas Soames, nipi i Winston Churchillit.
Anëtari i klubit, Stanley Johnson (babai i Borisit) thuhet se u përpoq të pengojë Sekretarin e Mjedisit Michael Gove që të hyjë në klub. Të dy ishin grindur gjatë garës së vitit 2016 për drejtimin e konservatorëve, gjatë të cilës Gove u dha fund shanseve të djalit të Stanleyt për t’u bërë deputet.
“Pratt’s”
Një klub vetëm me anëtarë meshkuj me një listë të gjatë deputetësh konservatorë, të sotëm dhe të djeshëm. Howard Flight e përshkruan si “shumë ekscentrik”.
Etiketa dikton që të ulesh për darkë në një tryezë rrumbullake në karrigen e disponueshme, pranë dikujt që “mund të zbulosh se ka drejtuar një vend në Afrikë 20 vjet më parë”.
“Ka gjithfarësoj njerëzish interesantë dhe ekscentrikë”.
Ashtu si “Beefsteak”, stafi që shërben ka vetëm një emër, ku burrat i thërrasin me emrin “George” dhe gratë me emrin “Georgina”.
Deputetë konservatorë që janë anëtarë përfshijnë Edward Garnier, James Gray, Adam Holloway, Swire dhe Soames.
Mes anëtarëve të rinj janë ish zëvendës kryeministri Michael Heseltine, ish lideri konservator Michael Howard dhe Lawson. Ish kryeministri John Major është gjithashtu anëtar.
“White’s”
Cameron u largua nga “White’s” në St James’s në vitin 2008. Ndalimi që klubi u bënte grave nuk shkonte me përpjekjen e tij për t’u shfaqur si një udhëheqës modernizues i konservatorëve.
Por një numër konservatorësh vazhdojnë të jenë anëtarë, si Heseltine, Lamont, Soames, Swire dhe Bellingham.
Bellingham e përshkruan si një vendfshehje për konservatorët. Eshtë relativisht i vogël, nuk ka shumë funksione dhe është me profil të ulët, tha ai.
Ai e përdor për qëllime sociale dhe politike. “Nëse dua të kem një takim të qetë me dikë jashtë parlamentit, atëherë ai është një vend shumë i mirë sepse nuk ke njerëz që të rrijnë ngjitur gjatë gjithë kohës. Parlamenti është shumë i mirë, por nëse do një takim me një ministër a koleg, ke gjithmonë njerëz vërdallë që vijnë e të ndërpresin, kështu që nuk është shumë i përshtatshëm”.
Bellingham e mbron politikën e tij për vetëm anëtarë meshkuj, duke thënë se “është shumë i vogël”.
“Nuk ka patur kërkesa për bashkëshortet e anëtarëve, apo për gra që duan të futen dhe unë mendoj se karakteristikat e tij, e gjithë atmosfera e tij është e bazuar në vetëm anëtarë meshkuj”.
Ai i përshkroi klubet privatë si një shtëpi private, dhe tha se besonte që është ok të kesh një politikë me vetëm meshkuj.
“The Garrick Club”
“The Garrick Club”, i themeluar në vitin 1831, ndodhet në zemër të West End të Londrës. Ka një librari të madhe dhe zotëron shumë dorëshkrime dhe dokumenta origjinale, bashkë me një koleksion të gjerë pikturash dhe vizatimesh.
Lideri i rebelëve të një dalje të butë të Britanisë nga BE, Dominic Grieve, amendamenti i të cilit para Krishtlindjeve i shkaktoi një humbje të fortë qeverisë, është anëtar, bashkë me Ken Clarke, një konservator pro qëndrimit në BE.
Edhe Michael Portillo, ish deputet i bërë analist dhe më pas transmetues emisionesh udhëtimesh, është gjithashtu anëtar. Edhe ish ambasadori në Uashington, Christopher Meyers është anëtar, edhe pse ai vetë tha që nuk e përdor klubin shumë shpesh. “Kur e bëj, e bëj për shoqërinë, mjedisin, ushqimin dhe verën. Disa klube janë ishuj qetësie në një qytet të zhurmshëm. Nuk ka domethënie politike anëtarësimi im aty”, thotë Meyer.
“The Marleybone Cricket Club”
Anëtarësia e “The Marleybone Cricket Club” përfshin gjithashtu disa anëtarë me lidhje politike. Drejtori i Departamentit për Daljen nga Bashkimi Evropian, Alex Ellis, ish Ministri i Drejtësisë Crispin Blunt, ish Sekretari i Përhershëm i Thesarit Nicholas MacPherson dhe ish këshilltari special i Boris Johnsonit, Will Walden, janë anëtarë të institucionit të rinovuar.
Walden, që ka qenë anëtar prej vitit 2001 (por që është propozuar që në ditëlindjen e gjashtëmbëdhjetë në vitin 1987), tha se anëtarësimi ka të bëjë me të qënit një “ruajtës i traditës së cricketit”, dhe të luajturit “një rol të vogël për të udhëhequr të ardhmen e cricketit dhe ruajtur integritetin e tij”.
“Ditët e qosheve plot tym duhani dhe rrjeteve të burrave me mjekrra kanë marrë fund tashmë. Që të jem i sinqertë, unë më shumë e përdor publikun për t’i ikur politikës, se sa për të folur për politikë. Cricketin e kam në vena, është pasioni dhe relaksimi im, kështu që kur ka ditë ndeshjesh flasim për ekipe dhe cricket dhe jo për ligje dhe Brexit”.
“East India Club”
Themeluar në mesin e shekullit 19, anëtarët fillestarë të klubit punonin në East India Company dhe paguanin oficerë në ushtri dhe marinë. Ish lideri i UKIP, dhe mbështetës i flaktë i Brexit, Nigel Farage ka qenë anëtar aktiv që kur iu bashkua klubit më shumë se 20 vjet më parë.
Ai nuk është një vend shumë politik, sipas Farage. Ai thotë se ka përdorur sallat e mbledhjeve të klubit për takime të rëndësishme, ndonëse nuk e hap gojën kur pyetet se kush ka qenë aty. “Eshtë një vend i mrekullueshëm dhe i fshehtë ku mund të takosh njerëz dhe nuk përfundon në faqet e thashethemeve”. /Politico.eu/ Bota.al
Comments (0 posted)
Post your comment