Home | Politics | Perspektiva e BE-së, tërë Ballkani Perëndimor

Perspektiva e BE-së, tërë Ballkani Perëndimor

image
Ndryshe, anëtarësimi në BE do t’i përkasë një kohe të largët.

 

 

 

 

Leonidha Mërtiri

 

 

 

Sipas Zëdhënëses së Komisionit Evropian, kolegji i këtij Komisioni do të miratojë këto ditë strategjinë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Pavarësisht faktit që BE-ja ka qenë dhe është duke u përballur me problemet e veta, duket, kjo nuk po e pengon atë të diskutojë posaçërisht për perspektivën e rajonit tonë. Puna, sidomos me reformat në drejtësi, sundimi i ligjit në këto vende, rritja dhe forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit midis tyre, vlerësohen me përparësi.

Procesi i Berlinit i vitit 2014, me nismën, vizionin e kthjelltë të Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, i ndjekur nga samitet e Vjenës, Parisit, Triestes do të synonin angazhim më të madh për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Sot problemi është si të nxiten dhe të inkurajohen më tej këto vende për shpejtimin e negociatave. Siç është e njohur, Serbia dhe Mali i Zi janë më përpara me negociatat nga vendet e tjera të rajonit dhe parashihet që të dyja vendet, pas pesë vjetësh, t’i kenë përfunduar ato për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian në vitin 2025.

 

 

Por, edhe midis këtyre vendeve ka diferenca. Mali i Zi e mori statusin e shtetit kandidat në vitin 2010. Serbia do ta merrte atë dy vjet më vonë, kur Mali i Zi, në po këtë vit, nisi negociatat. Për Beogradin ndikoi fillimi i dialogut me Prishtinën. E përditshmja e Beogradit, gazeta “Veçernje Novosti”, vlerëson këto ditë faktin që Serbisë i duhet të arrijë medoemos një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën, duke mbyllur deri në fund të vitit të ardhshëm të gjitha çështjet e diskutueshme. Ajo çka të bën përshtypje është se kjo media nuk e sheh të pamundur këtë arritje. Mendojmë se kjo nuk do të mjaftonte pa e njohur Kosovën.

 

Është thënë vazhdimisht që Brukseli duhet të këmbëngulë për këtë. Mbajtja varur, hiq e mos e këput, vetëm inkurajon forcat nacionaliste në vend, të cilat janë të gatshme të krijojnë dhe konflikte. Pranimi i Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia është një kusht real dhe i domosdoshëm për anëtarësimin e saj në BE.

 

E themi këtë se, nisur nga deklaratat e liderëve serbë, ecejaket dhe manovrimet diplomatike që në të vërtetë u kundërvihen bisedimeve dhe marrëveshjeve midis dy vendeve, sot për sot, kjo nuk duket fort e afërt. Kur mendon dhe rolin negativ të faktorëve të tjerë, madje dhe të koordinuar, me ndikim jo të vogël si Rusia, të interesuar për zhbërjen e arritjeve të deritanishme të Kosovës, njohja e saj bëhet edhe më e largët.

 

Këto qëndrime janë paradoksale përballë realitetit të pranuar nga 115 shtete, sikurse janë paradoksale qëndrimet e pesë shteteve anëtare të BE-së: Greqisë, Rumanisë, Qipros, Spanjës dhe Sllovakisë, që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, motivuar kjo me drojën e krijimit të “precedentit” në këto vende. Situata e paqëndrueshme dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor përballë integrimit të tyre në BE, nuk ka kaluar pa shqetësimin e Brukselit, edhe pse në raste të ndryshme mund të ketë qenë dhe rakitik.

Maqedonia fqinje, statusin e shtetit kandidat e ka marrë qysh në vitin 2005 dhe katër vjet më vonë u rekomandua fillimi i negociatave me BE-në. Mungesa e stabilitetit dhe ngërçi me Greqinë bënë që gjërat të mbeten në vend. Aktualisht, pas nëntë vjetësh, duket një erë tjetër pro rinisë për të kaluar pengesat e deritanishme. Roli i BE-së, i SHBA-së në këto drejtime, për realizimin e reformave të ndryshme, funksionimin e shtetit ligjor etj, përgjithësisht ka qenë konkret.

 

Bisedimet e njëpasnjëshme midis qeverisë greke dhe asaj maqedonase duket se po sjellin vendimin e përbashkët për zgjidhjen e nyjës së derisotme mbi njëzetegjashtë vjeçare, çështjen e emrit të Maqedonisë duke respektuar interesat e të dy palëve. Strategjia për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor synon që procesi integrues të jetë më i shpejtë. Lidhur me Shqipërinë sikurse dhe për vendet e tjera, varet nga progresi në prioritetet e njohura tashmë, që Komisioni Evropian të rekomandojë hapjen këtë vit të negociatave.

 

Por me sa shihet, ai do jetë dhe më i lodhur me ne, përderisa pozitë dhe opozitë vazhdojnë avazin e njohur dhe ne t’ua hedhim fajin vetëm të tjerëve. Bosnjë-Hercegovina, e cila e ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhjetë vjet më parë, nuk ka përparuar në procesin e anëtarësimit në BE. Ky i fundit, me gjithë kujdesin, mendojmë gjithashtu se duhet ta kthejë më shumë vështrimin nga Kosova, njëlloj si për shtetet fqinje të saj.

 

 

Ajo e ka nënshkruar MSA-në në vitin 2015. Strategjia që përmendëm është e nevojshme të parashohë për të, si edhe për të tjerët, limitet e nevojshme kohore të pranimit. Raportet mbi arritjet, sikurse është bërë e ditur, do të jenë të njohura në prill dhe në maj do të mbahet Samiti i rëndësishëm për rajonin tonë në Sofje ku Bullgaria, shteti i parë i Ballkanit, kryeson Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian deri në fund të këtij gjashtëmujori.

 

Në këtë kuadër, Bullgaria është e interesuar për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE, si zë i fuqishëm i tij. Por pavarësisht vëmendjes së deritanishme të kryesuesve dhe të Bashkimit Evropian në tërësi, e rëndësishme është që vetë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kryejnë në radhë të parë detyrat e tyre të shtëpisë. Ndryshe, anëtarësimi në BE do t’i përkasë një kohe të largët. /Panorama/

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00