Home | Politics | Hapësira Shengen

Hapësira Shengen

image
Sot, zona e Shengenit përfshin 26 vende, 22 prej të cilëve janë anëtarë të BE-së ...

 

 

 

  

 

 

 

 

 

 

Ato e prezantojnë veten gjithnjë si ishuj stabiliteti dhe sigurie – e megjithatë ende nuk po pranohen në hapësirën Shengen. Bullgaria dhe Rumania mbeten fëmijët e pashtruar të Europës.

 

Ministrja e Jashtme dhe zëvendëskryeministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva, e ka sjellë çështjen “Shengen” sërish në qendër të vëmendjes së opinionit gjerman dhe europian. Në një intervistë me të përditshmen “Die Welt” ajo ka kërkuar jo vetëm heqjen e kontrolleve kufitare brenda BE-së, por që deri në fund të vitit dy fqinjët në buzë të Danubit, Bullgaria dhe Rumania, t’i bashkohen zonës Shengen.

 

Ky sugjerim i kryediplomates bullgare merr një rëndësi të veçantë, sepse vendi i saj ka kryesinë e BE-së në gjysmën e parë të 2018-ës. Por nisma nuk është e re. Politikanët nga Bullgaria dhe Rumania e kërkojnë prej kohësh me ngulm pranimin e tyre në zonën Shengen, çfarë qe premtuar se do të bëhej në vitin 2011. Por kërkesa e tyre refuzohet për shkak të mangësive në sektorët e shtetit ligjor dhe të luftimit të korrupsionit.

 

Edhe pse këto vende, sipas Komisionit të BE-së, i plotësojnë të gjitha kriteret teknike, disa anëtare të BE-së, sidomos Gjermania dhe Franca, vazhdojnë të kenë rezerva. Dhe me të drejtë, thonë kritikët e zgjerimit të nxituar të zonës Shengen.

 

Kontrollet do të vazhdojnë

 

Njëri nga skeptikët më të spikatur është ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann. Në planin afatgjatë do të ishte e dëshirueshme që dy vendet të hynin në Shengen, tha politikani kristiansocial në janar në një intervistë për një gazetë. Por zona Shengen nuk mund të zgjerohet në kosto të sigurisë së popullsisë gjermane, theksoi ai. E rreziku ekziston, duke pasur parasysh “korrupsionin gëlues dhe problemet e  mëdha me krimin e organizuar” në Bullgari dhe Rumani. Herrmann tha edhe se do të ishte e vështirë t’u shpjegohej qytetarëve gjermanë se përse ka kontrolle në kufirin austriako-gjerman, e në kufijtë me Bullgarinë dhe Rumaninë ato hiqen, pa pasur garantim të verifikueshëm të sigurisë në kufijtë e jashtëm të BE-së.

 

Vetëm para zgjedhjeve të përgjithshme, në vjeshtën e 2017-ës, kancelarja Angela Merkel kërkoi që të gjitha vendet e BE-së të bashkohen në zonën e Shengenit. Sugjerimin e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, për të futur në Shengen me hapa të shpejtë Bullgarinë dhe Rumaninë Merkel e quajti “një qasje të arsyeshme.” Por në të njëjtën kohë ajo foli edhe për zgjatjen pa afat të kontrolleve në kufirin gjerman. Merkel e arsyetoi këtë me mangësitë ende të evidentueshme në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. “Deri sa të funksionojë mbrojtja e kufijve të jashtëm ashtu siç e përfytyrojmë ne, është më se e drejtë që të ketë edhe më tej kontrolle në segmente të rëndësishme të kufijve të brendshëm”, tha Merkel në një intervistë për gazetë.

 

Rumani: Junckeri tërhiqet

 

Ndërkohë presidenti i komisionit, Juncker, po tregohet pak më i rezervuar me kërkesën e tij, të paktën përsa i përket Rumanisë. Edhe pse ai e pranon se vendi ka bërë përparime thelbësore në fushën e shtetit ligjor, para ca kohësh në Bruksel ai tha se Komisioni nuk mund t’i pranojë kurrsesi zhvillimet më të fundit. Aludimet janë më se të qarta. Në Bukuresht aktualisht qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët po përpiqet ta zbusë pavarësinë e gjyqësorit dhe të dobësojë luftën kundër korrupsionit. Nëse e ashtuquajtura reformë e gjyqësorit nuk do të rishikohet, edhe pranimi i vendit në Shengen do të diskutohet nga një këndvështrim tjetër, tha Juncker.

 

Sot, zona e Shengenit përfshin 26 vende, 22 prej të cilëve janë anëtarë të BE-së – të gjitha, përveç Britanisë së Madhe, Irlandës, Bullgarisë, Rumanisë, Kroacisë dhe Qipros – si edhe Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Edhe pse kontrollet e brendshme kufitare këtu janë hequr, që nga fillimi i krizës së refugjatëve në shumë vende të zonës Shengen ka pasur kontrolle.

 

Duke pasur parasysh rritjen e rrezikut të sulmeve terroriste në Europë, Komisioni i BE-së synon të lejojë afate më të gjata për kontrollet e përkohshme kufitare brenda zonës Shengen. Rregullorja aktuale parashikon që, nëse nevojitet, kontrollet të zgjaten çdo gjashtë muaj.

 

Komisioni është i mendimit se për shkak të gjendjes së tensionuar, ky afat mund të zgjatet deri në tre vjet. Ndër vendet e zonës Shengen që bëjnë kontrolle në kufi janë Gjermania, Franca dhe Austria. Por argumenti që sjellin këto vende për këto kontrolle nuk është rreziku i sulmeve terroriste, por mangësitë në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00