Shqiptarët dhe Ballkani Perëndimor
Shqipëria dhe shqiptarët tani, pas një shekulli, kanë hyrë aktualisht në kohën e tyre për të nxjerrë në pah historinë reale të Shqipërisë...
Nga Spartak Ngjela
Korrupsioni i sotëm shqiptar i liderëve politikë nuk është një rastësi, por është rrjedhojë e një vazhdimësie historike antishqiptare në rajon.
Ka 100 vjet që qeverisjet shqiptare janë pagëzuar nga fqinjët pushtues, dhe kanë sunduar në Shqipëri nëpërmjet korrupsionit të brendshëm dhe padrejtësisë njëqind vjeçare.
Varfëria shqiptare është pasojë e një shkaku tragjik që ka ecur sipas kësaj filozofie: të minimizohet territori shqiptar me genocid në favor të fqinjëve ardhacakë, duke blerë krerët e korruptuar të shtetit shqiptar.
Kjo ka qenë zanafilla e trishtimit historik shqiptar, por ajo që vijon të jetë ende pezmi dhe trishtimi i sotëm shqiptar, në Shqipëri, është padrejtësia e imponuar nëpërmjet korrupsionit kryeministror shqiptar.
Blejini! Kjo ka qenë thirrma makabër e genocidit antishqiptar serb për lidershipet e korruptuar kryeministrorë shqiptarë - deri në zhdukjen e racës arbërore.
Zhdukni nga jeta aktive gjuhën shqipe! Kjo ka qenë sokëllima e osmanëve, dhe e kishës e reaksionit grek, deri në zhdukjen e plotë të kontinuitetit historik arbër- shqiptar, e cila është rrjedhojë e zhvillimit epiroto-ilir në kohët moderne.
l.
Shqipëria dhe shqiptarët tani, pas një shekulli, kanë hyrë aktualisht në kohën e tyre për të nxjerrë në pah historinë reale të Shqipërisë, të fshehur dhe të humbur.
E gjithë kjo histori e fshehur shqiptare, ka ardhur nga përdhuna e pushtimeve dhe nga korrupsioni i vazhdueshëm i krerëve të shtetit shqiptar.
Por beteja e fundit e shqiptarëve për të rifituar historinë e tyre të fshehur, është përqëndruar sot te lufta kundër korrupsionit aktual qeveritar.
Ky korrupsion, në një sens historik njëqind vjeçar, ka qenë epiqëndra e fatkeqësisë shqiptare. Sigurisht kjo ka arsyet e veta që flasin edhe për dobësinë që ka treguar koshienca shoqërore shqiptare, por ne këtu po flasim sot për faktin dhe jo për arsyen e ardhjes së faktit: kjo që po shprehim, është pasoja; kurse shkaku është detyrë e historisë moderne shqiptare, e cila do të vijë e të shkruhet, sigurisht, pas likuidimit të korrupsionit kryeministror shqiptar.
ll.
Likuidimi i plotë i korrupsionit të sotëm shqiptar është një proces i pakthyeshëm që do të shkojë deri në fund. Në fakt, ky është një proces i strukturuar ndërkombtarisht, dhe kjo përbën edhe garancinë e procesit.
Historia e kombeve dhe shteteve ka ecur gjithmonë nën një shtysë interesash; dhe kështu do të jetë ngaherë. Shteti është rrjedhojë politike, dhe politika e një qeverie është interesi kombëtar.
Por, historia e shtetit shqiptar ka pasur gjithmonë në ecjen e saj defektin e shitjes së interesit kombëtar: kjo është edhe arsyeja kryesore e korrupsionit kryeministror shqiptar në një histori njëqind vjeçare.
Po sot?
Edhe sot korrupsioni kryeministror shqiptar ka qenë frenues i zhvillimit shqiptar, dhe njëherësh edhe tregti në funksion të interesit kombëtar të shitur te fqinjët.
Kurse tani koha e solli më në fund që interesi shqiptar të konvergojë në një pikë me interesin amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Ballkani Perëndimor është interes i madh në strukturën e interesit global amerikan, dhe ky interes amerikan arrihet në këtë zonë vetëm nëpërmjet botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Ja, ky është fakti i sotëm historik, i cili është bashkuar me historinë e ardheshme të Shqipërisë.
Interesi amerikan kërkon çlirimin e historisë së fshehur shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe shqiptarët me forcën e politikës së madhe botërore erdhën më në fund në kohën e rishfaqjes të historisë së tyre të madhe. Ajo po rishfaqet përditë me dokumentacionin e shpërthyer nepër arkivat, pas një fshehjeje të gjatë.
Dhe ky, sigurisht që kuptohet se është sot intencioni i politikës amerikano-gjermane, i cili do të vijojë.
lll.
Kjo është arsyeja që sot po vërshojnë dokumenta të shumtë provuesë të arbërisë si histori dhe të shqiptarëve si populli më i vjetër i Gadishullit Ilirik - se edhe emri i këtij Gadishulli është ndërruar nga Gadishulli Ilirik në Gadishullin Ballkanik, për të errësuar historinë dhe heroikën historike arbërore dhe shqiptare.
Dhe normalisht që ky proces po ecën për të identifikuar personalitetin e nëpërkëmbur të të gjithë shqiptarëve të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, botë kjo që aktualisht do të provohet se është shumë më e madhe në numur nga sa paraqitet e fshehur sot nga përdhuna historike.
Identifikimi real i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor është bërë sot një proces pa kthim. Por pengesa më e madhe dallon se është korrupsioni kryeministror shqiptar.
I gjithë korrupsioni shihet që është shpërndarë sot me frikë kudo, për të shkatërruar aleancën shqiptaro - amerikane. Ai punon sa në Ankara, në Moskë dhe nëpër organizmat antiamerikane që kanë dekada në një betejë sterile antiamerikane.
Por realisht, lodhen kot së koti dhe fare kot kundër kësaj aleance.
Sot, kjo aleancë, kuptohet se ka hyrë në fazën e akzekutimit të saj faktik: gjithçka që ka filluar të zbulohet në Shqipëri përditë si krim, është ekspozimi amerikan i provave që duhen për të denoncuar korrupsionin shqiptar.
Tani, këto që do shihen përditë, do të duken si pa lidhje me korrupsionin politik, por shpejt do shfaqen stekat e mëdha të korrupsionit kryeministror shqiptar. Sepse këto që po ekspozohen, dalin në pah për të identifikuar më pas krimin e organizuar, si një segment bashkëpunues i politikës së lartë me eksponentët e mëdhenj të krimit shqiptar.
Politika amerikanë kuptohet se do të punojë rregullisht tani e më tej me ekspozimin e fakteve, për shpëtimin e shqiptarëve nga zgjedha një shekullore e padrejtësisë.
Comments (0 posted)
Post your comment