Home | Politics | Mjeshtërit e farsës

Mjeshtërit e farsës

image
Ëndrrën e një vendi normal, që do të mundë të prodhonte edhe satelitë telekomunikimi po të mos i kishte udhëheqësit zhvatës...

 

 

 

Nga Flaka Surroi

 

 

Ëndrrën e një vendi normal, që do të mundë të prodhonte edhe satelitë telekomunikimi po të mos i kishte udhëheqësit zhvatës, e reduktuan në një vend që jetën e mbyll nëpër kafehane e fejsbuk. Në një vend të mbytur që më nuk ka as fuqi e as kapacitet për t'u ankuar e as për të imponuar ndryshime, ngase jeton në mashtrimin se pas çlirimit nga serbët u bëmë të zotët e vetvetes. Kur në fakt u bëmë robër të një brezi njerëzish, që as për një vit pastrimi intensiv nuk do të mundë të hiqen.

 

Më kishte ikur para ca kohësh, po dje e kuptova se 2018-a është shpallur Viti i Pastrimit të Kosovës. Sikur të ishte kjo e vërtetë, nuk do të kishte gëzim më të madh për Kosovën sesa të pastrohej nga kjo kastë udhëheqësish që e dërrmuan këtë vend deri në skaj. Por edhe kjo fushatë do të mbetet në harresë shumë shpejt, si shumë të tjera, që me pompozitet i kemi dëgjuar tek proklamohen me vite të tëra. Toka jonë as nuk do të gjelbërohet e as pastrohet, e as Kosova nuk do të përjetojë dëlirje politike. Së paku jo sivjet.

 

Farsa e përgjegjësisë

 

Jo shumë kohë më parë me shumë vrull e insistim u mbajt seanca e Kuvendit, ku u diskutua çështja e dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Përfundoi me miratimin e një rezolute katërpikëshe, që përfshinte edhe themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, që do të merret me të gjitha aspektet e kësaj çështjeje.

 

Kaluan gati dy javë e komisioni ende nuk është themeluar. Se kur do të ndodhë kjo, mbase do të na e tregojë ndonjë falltare, se sa për Kuvendin zor që do ta kuptojmë pos kur të ndodhë. Llomotitja e kuvendarëve për shumë punët që i kanë, përderisa caktohen mbledhjet e Kuvendit me nga 25 pika të rendit të ditës dhe përderisa nuk mbërrijnë ta kalojnë as një duzinë ligjesh për më shumë se gjashtë muaj veç flet për atë se përgjegjësia e tyre është në fakt veç një farsë. Farsë të cilën e kanë shfaqur me vite të tëra ata që ia kanë dalë të rizgjidhen deputetë në më shumë mandate duke shpëtuar pa ndëshkimin, që do të duhej ta jepte vota e qytetarit.

 

Tash mbetet të shihet se me çka konkretisht do të merret ky komision, por qysh tash ravijëzohen problemet me të cilat do të ballafaqohet: Kuvendi, nëpërmjet Komisionit të vet përkatës, nuk po ia del ta ushtrojë kontrollin kushtetues mbi AKI-në. Kjo, ngase tashmë tri herë krerët e këtij institucioni refuzojnë t'u përgjigjen ftesave të Kuvendit. Frika është se edhe ky hetim parlamentar në fund nuk do të dalë asgjë më tepër sesa një kurrgjë.

 

Farsa e ligjshmërisë

 

Tashmë u bënë tre ministra ndaj të cilëve janë ngritur aktakuzat për vepra të ndryshme penale, që duhet të marrin epilogun përfundimtar në gjykatë. Nëse ndonjëherë u vjen rendi, kuptohet. Por kjo nuk është arsye e mjaftueshme për kryeministrin dhe shefat e partive të koalicionit që të marrin masa që këta tre, pa e paragjykuar fajësinë e tyre, të shkarkohen nga këto poste.

 

Kryeministri thotë se nuk do të ketë shkarkime përderisa nuk ka vendim gjyqësor që do të duhej të ishte i plotfuqishëm (pra që në perspektivë do të ndodhë për nja 3 a 5 vjet), kurse njëri nga të akuzuarit, ministri Lekaj, i lejon vetes të shpotitet. Me pafytyrësinë më të madhe del e deklaron: "Kjo nuk është aktakuzë, por janë pretendime që duhet të dëshmohen në gjyq" -- që përafërsisht i bie, "kot e keni, se shpinën e kam të fortë".

 

Premtimet se do t'i përmbahen ligjshmërisë dhe se do t'i respektojnë kërkesat e BE-së dhe të amerikanëve që në poste udhëheqëse të mos mbajnë njerëz që potencialisht kanë lidhje me krimin, natyrisht se nuk mbahen. Për shkak se mbrojtja e ligjshmërisë zë vend në listën e farsave që e bëjnë këtë shtet.

 

Farsa institucionaliste

 

Një nga fjalitë ku më së miri fle kryefjala e kësaj kolumne do të mundë të ishte kjo: "Arena politike është thjesht një farsë, ku një grumbull taravelësh luftojnë për pushtet".

 

Dhe nuk ka dyshim se në të gjithë këta vjet kemi parë luftën për pushtet të të gjithëve njësoj: edhe të atyre që kanë folur në emër të luftës, e edhe atyre që e kanë quajtur veten institucionalistë.

 

E kur jemi te këta të dytët, vëmendja na kthehet nga LDK-ja dhe veprimet e tyre krejt të çuditshme, dhe vështirë të kuptueshme si racionale. Përderisa kur ndodhi puna me turqit e dëbuar u kërkua shkuarja në zgjedhje të reja, LDK-ja nuk ndërmori as të vetmin hap që ta niste mocionin e votëbesimit.

 

Logjikshëm, kjo nuk ndodhi për shkak se LDK-së iu kthye Isa Mustafa nga shërimi në Gjermani. Si njëri që pranoi të lidhte koalicion me PDK-në "për shkak se ashtu e këshilluan miqtë ndërkombëtarë", i tillë do të refuzojë të autorizojë çfarëdo mocioni derisa të mos i ndizet drita e gjelbër nga ana e BE-së. Qershori thuhet të jetë data kur pakoja e ligjeve të kërkuara nga BE-ja duhet të kalojë, prandaj deri atëherë do të ketë status quo, dhe ndonjë deklaratë aty-këtu se "kjo Qeveri duhet të bjerë". Ndërkohë, do ta shfrytëzojë këtë kohë për ta pastruar a rehatuar punën në LDK, edhe me zgjedhjen e liderit të ri që do ta zëvendësojë.

 

Ndërkohë erdhi një qëndrim dyfytyrësh i shqiptuar nga Avdullah Hoti në lidhje me kërkesën e VV-së për formimin e Komisionit Hetimor që do ta hetonte SHIK-un. Tha, përafërsisht, se nuk do ta përkrahin iniciativën, për shkak se ky hetim mund të bëhet vetëm kur LDK-ja ta marrë pushtetin. Hoti me gjasë deshi ta harronte se LDK-ja e kishte pasur pushtetin në Qeverinë e kaluar dhe edhe atëherë e kishte refuzuar formimin e komisionit -- edhe pse kishte qenë më e zëshmja në akuzat që ia bënte SHIK-ut për vrasjet politike të anëtarëve të vet.

 

Farsë kjo e LDK-së për qëllimet që i ka në lidhje me zbulimin e vrasjeve politike. Për shkak se në fakt partitë në pushtet qysh tash nuk e kanë shumicën në Kuvend, kurse nëpër komisione parlamentare, për këtë punë, nuk e bëjnë shumicën -- sepse SHIK-u identifikohet me PDK-në e pjesërisht me NISMA-n, por jo edhe me partitë e tjera.

 

Për t'u larguar nga trashëgimia e keqe që LDK-ja ka lënë pas në vitet e pasluftës, ku mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krejt dështimet që nuk i zë një enciklopedi për t'i numëruar, për shkak se përherë ka qenë pjesë e pushtetit -- kësaj partie i nevojitet një revolucion i brendshëm. Pa të, do të mbetet kjo që është: institucionaliste për aq sa i konvenon shefit për t'u bërë kryetar a kryeministër.

 

Farsa e shtetit

 

E "institucionalist" është vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e madje 2000 parcelave të tokës për ta ndërtuar kompleksin qeveritar/rezidencial diku andej kah vila e Pacollit.

 

Në kushtet kur nuk e kemi as idenë më të vogël sesi janë duke u shpenzuar paratë e buxhetit, ku nuk ka asnjë llogaridhënie dhe ku e jetojmë farsën e demokracisë, Qeverisë i kujtohet se shtetit më të varfër në Evropë i nevojitet një kompleks qeveritaro/rezidencial, për t'ia dhënë një grim të trashë një vendi që nuk e di as ku i ka kufijtë.

 

Po mundem ta paramendoj zhvillimin e projektit dhe të tenderit për një kompleks të tillë. Shpallet një tender ndërkombëtar për projektim dhe atë e fiton një firmë me pronar shqiptar diku në Zvicër. Miratohet. Buxheti caktohet në nja 1 miliard euro, që duhet të paguhen nga buxheti, sepse organizmat financiarë ndërkombëtarë nuk do të jepnin para për megalomani të tillë. Shpallet tenderi kombëtar për ndërtim, dhe atë e fiton firma kosovare me pronar shqiptar nga Perëndimi, që ka përvojë të gjatë ndërtimi pallatesh rokokoeske dhe tendash nëpër shkretëtira. Dhe në fund, bëhemi me një sërë pallatesh, që nuk na shërbejnë për asgjë tjetër, pos për të shitur mend. Për t'u shfaqur plotësisht komikë para të huajve të cilët mëtojmë t'i impresionojmë me ngrehinat e shekullit XXI, që duken më klasike se ato të shekujve XVII-XVIII të shpërndara anekënd Evropës.

 

Loja më e madhe sërish do të sillet rreth tallit që nënkupton një ndërmarrje e këtillë, e kotë, e aq karakteristike për shtetet e vockla që udhëhiqen nga njerëz që mendojnë se janë të mëdhenj. Se e lënë pas një trashëgimi të shëmtuar me shije pelini -- ajo nuk u intereson. Me rëndësi me luajt shtet. Dhe sa më shumë varfëri, aq më shumë para për lukse për ata që e jetojnë jetën në pallat.

 

* * *

 

E keqja e këtij vendi është se prej kohësh udhëhiqet nga taravelët që luftuan dhe bënë çmos që ta marrin pushtetin në dorë. Problemi me ta është se përherë i luajtën keq rolet e aktorëve komikë, që në vend të qeshjes na kanë ngjallur vajin.

 

Ëndrrën e një vendi normal, që do të mundë të prodhonte edhe satelitë telekomunikimi po të mos i kishte udhëheqësit zhvatës, e reduktuan në një vend që jetën e mbyll nëpër kafehane e fejsbuk. Në një vend të mbytur që më nuk ka as fuqi e as kapacitet për t'u ankuar e as për të imponuar ndryshime, ngase jeton në mashtrimin se pas çlirimit nga serbët u bëmë të zotët e vetvetes. Kur në fakt u bëmë robër të një brezi njerëzish, që as për një vit pastrimi intensiv nuk do të mundë të hiqen. Pos nëse ia nisin t'ia hanë kokën njëri-tjetrit, e që kjo të mos jetë farsë./koha net

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00