Donald Tusk viziton Tiranën
“Jeni më evropianë ju këtu se disa evropianë të BE-së”, tha Tusk...
Turin Ballkanik, Donald Tusk e nisi nga Shqipëria, por mesazhi i dhënë për negociatat e anëtarësimit në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama prekte gjithë Ballkanin Perëndimor dhe ishte një apel i fortë për vendet anëtare që të hedhin vështrimin nga perspektiva evropiane e rajonit.
“Unë jam dhe në të gjithë përvojën time politike kam qenë një mik i përkushtuar ndaj Shqipërisë”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, në përgëzimin që i bëri popullit shqiptar për rekomandimin për çeljen e negociatave.
“Është ëndrra ime që Shqipëria të ndjekë rrugëtimin në BE. Në historinë tuaj krenare, me Skënderbeun që mbrojti Evropën nga Perandoria Otomane, s’kam dyshim që ju do ta bëni këtë. Ajo që keni bërë është e mjaftueshme për të çelur negociatat”, u shpreh Tusk.
Por më tej ai theksoi se do të na duhet të garojmë në një cirkuit me pengesa dhe jo autostradë siç e kishim menduar.
“Mund të them se jam optimist kur bëhet fjalë për këtë investim afatshkurtër, por edhe afatgjatë. Kjo do t’i ngjajë një gare me pengesa, por nuk ka dyshim se BE dhe BP e kanë vendin së bashku”, deklaroi me bindje Tusk.
Për Presidentin e KE, “një tjetër sfidë do të jetë të bindim të gjitha vendet anëtare për të votuar pro rekomandimit në qershor”.
“Nuk do të ndodh brenda natës, do të ketë shumë sfida për shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën ambicioze të drejtësisë”, theksoi ai.
“Jeni më evropianë ju këtu se disa evropianë të BE-së”, tha Tusk, kur shpjegoi se Shqipëria dhe Ballkani perëndimor e kanë vendin në gjirin e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Për të treguar një shëmbëlltyrë të ndryshimit që do të pësojë Shqipëria me çeljen e negociatave, ai përdori rrugëtimin evropian të vendit të tij, Polonisë.
Ndërkohë për Samitin e Sofjes theksoi se BE-së do t’i duhet të riafirmojmë aty perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe të përcaktojë mënyrat e mjetet për të përmirësuar lidhjen brenda rajonit.
“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor duhet të integrohen në rrugët evropiane të transportit. Nuk duhen zgjatur fluturimet për në Pekin. Duhen përmirësuar rrjetet energjetike. Të rinjtë nga rajoni duhet të shkollohen në BE. Ne duhet të rrisim përpjekjet e përbashkëta për shkëmbimet kulturore. Është koha për të shfrytëzuar momentin. Udhëheqësit do të diskutojnë në samit për luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmin. Më lini të vlerësoj kryeministrin Rama për bashkëpunimin në sfidat tona të përbashkëta siç ishte sulmi ndaj Sergei Skripal. Bashkëjetesa fetare mund të jetë shembull i themeleve mbi të cilat të ndërtojmë të ardhmen”, nënvizoi Tusk.
Comments (0 posted)
Post your comment