BE në udhëkryq
Bashkimi Evropian sot është në një udhëkryq që shënjon të ardhmen e tij të pasigurt.
Nga Ilir Kalemaj
Bashkimi Evropian është duke u përballur me sfida të shumëfishta për sa i përket konkurrueshmërisë së tij në tregjet globale, marrëdhënien e komplikuar me Washingtonin, e cila pas luftës tregtare, u vështirësua edhe më tepër me tërheqjen e SHBA-së nga traktati me Iranin, procesin e Brexit-it, ballafaqimet gjeopolitike dhe tregtare me Rusinë dhe Kinën, mosdakordësinë për shpejtësinë e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e kështu me radhë. Shpesh të fokusuar vetëm në këtë pjesën e fundit dhe më specifikisht duke parë thjesht dhe vetëm nahijen tonë, pra Shqipërinë dhe fatin e mbramë të hapjes së negociatave për të, ne qëllimisht harrojmë apo anashkalojnë kontekstin e zhvillimeve globale dhe evropiane, dinamikat e së cilës janë mjaft të rëndësishme për të parë përtej hundës sonë, por edhe për të kuptuar më mirë fatin edhe të vendit, i cili në një botë përherë e më të ndërlidhur nuk mund të ngelet fenomen sui generis.
Në terma globalë, vendet e BE-së përfaqësojnë vetëm shtatë për qind të popullsisë së botës, por 20 për qind të shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim si dhe një të tretën e publikimeve shkencore të nivelit të lartë. Por, nga ana tjetër e medaljes, BE është mjaft më mbrapa në inovacion dhe teknologji. Fjala bie, ka tri herë më pak patenta shpikjesh se Japonia, pesë herë më pak kapital bashkë-financues për ndërmarrjet e reja se SHBA-ja apo numrin e kompanive të reja të suksesshme, si dhe më pak se gjysma e ndërmarrjeve të manifakturës së produkteve hi-tech që ka Koreja e Jugut.
Debatet mbi thellimin e BE-së sot, flamurtar i së cilave është kthyer presidenti francez Macron, synojnë të fokusojnë diskutimet dhe mundësisht vendim-marrjen mbi krijimin e një kompasi fiskal, krijimin e një Ministrie Financash të BE-së dhe koordinimin më të mirë të politikës monetare për zonën Euro. Gjithashtu synohet të krijohet një politikë mbrojtje mbikombëtare me kulmin e saj, ushtrinë e përbashkët. Është ironi ndoshta e historisë që një politikë e tillë u propozua qysh në 1955 po nga francezët (ang. Evropean Defence Community) dhe u rrëzua po nga ta, kryesisht nën influencën e De Gaulle-it euroskeptik nga frika e këtij të fundit se kërcënonte sovranitetin e Francës. Një sovranist i bindur, De Gaulle, madje tërhoqi më vonë dhe vendin e tij nga NATO, si dhe krijimin e krizës së “karriges bosh të Luksemburgut” ku tërhoqi Francën nga presidenca e Këshillit derisa me kompromisin e mëvonshëm u ra dakord për veton në rast prekje të sovranitetit. Është sërish një paradoks historik që Franca euroskeptike e De Gaullit kthehet sot në euroentuziaste të flaktë, por skeptike ndaj zgjerimit, sepse ky i fundit pengon përpjekjet federalizuese brenda 27 vendeve (pas Brexit-it).
Debate që synojnë thellimin kanë të bëjnë, gjithashtu, me mosprekjen e lëvizjes së lirë brenda zonës Shengen, bash ku disa shtete kishin rivendosur apo diskutuar për rivendosje të kufizimeve të tilla që lidheshin me vendet e treta për t’u mbrojtur nga rreziqet e valës së refugjatëve apo terrorizmit. Kontrollet kufitare ndërkohë janë duke u shtuar dhe kufizime shtesë për vendet jo-anëtare, ku përfshihet edhe Shqipëria do të hyjnë në fuqi nga 1 janari i 2020-ës. Gjithashtu, politikat e azilit, të formuluara përmes traktateve të Dublinit, në fakt, kanë rezultuar aspak efektive dhe kanë nxitur një debat të brendshëm mes vendeve anëtare për moszbatueshmërinë e tyre në praktikë.
Bashkimi Evropian sot është në një udhëkryq që shënjon të ardhmen e tij të pasigurt. Një forcë unike ekonomike, me një treg prej 500 milionë konsumatorësh, partner kryesor tregtar i SHBA-ve, Kinës, Rusisë, Afrikës e me radhë, një eksperiment i jashtëzakonshëm i triumfit mbi interesat parokiale dhe forcë emancipuese dhe liberalizuese e paprecedentë, është, gjithashtu, një mbartëse kontradiktash që asnjë sistem tjetër federal apo konfederativ nuk i ka pasur. Mes të qenit një shtet dhe një organizatë ndërkombëtare, por, në fakt, po qenë as njëra, as tjetra prej tyre, BE sot qëndron në kapërcyell të fatit të saj historik. Se cilin kah pritet të marrë, është e rëndësishme dhe për ata që presin pas dere si Shqipëria dhe fqinjët e saj ballkano-perëndimor, të cilat kanë lidhur shpresat e tyre për zhvillim ekonomik, demokratizim dhe forcim të shtetit të së drejtës pikërisht me fatin e mbramë të Bashkimit Evropian.
Comments (0 posted)
Post your comment