Qiraxhinjtë e "mjerë", deputetët milionerë
Ligjet për privilegje ekstra nuk i ka bërë populli. Ai i ka votuar deputetët të përfaqësojnë interesat e tij, jo xhepat e tyre...
Nga Bardhyl Bejko
Jo vetëm në Shqipëri, po në gjithë botën, familje edhe të kamura zgjedhin të mos blejnë shtëpi, po të jetojnë me qira. Është një zgjidhje që buron nga dëshira për mosngurtësim të mijëra eurove për blerjen e banesave, por edhe për të qenë të mundshëm të përzgjedhin qytete të ndryshme për të jetuar. Dhe kjo risi është si në vendet e varfëra edhe në ato të zhvilluara. Janë miliona familje në botë që paguajnë qira banese dhe po kaq që jetojnë me të ardhurat e majme që paguajnë bujtësit. Në shtete të ndryshme, pagesat për të banuar në shtëpi me qira, variojnë nga 100 euro kur flitet për mjedise bodrume pa dritare, deri në dhjetra mijëra euro. Varet nga pozita gjeografike e qytetit dhe vendndodhja e banesës nga qendra. Përcaktuese është cilësia dhe komoditeti që ofron një banesë. Kryesorja mbetet sipërfaqja e banimit dhe resurset shtesë si; pishina, kopshtet, plazhet, salla e dhjetra mjedise që e rrisin në mënyrë galopante vlerën e qirasë. Pa folur për resortet, ku jetojnë për kohë të shkurtër VIP-at e biznesit, sportit, aktorët e kinemasë, të artit, kulturës, futbollistë e pasanikë, që nuk dinë ku i kanë paratë. Sheikët e naftës nuk e kanë për gjë që, fëmijëve të tyre në qendrat më të rëndësishme të botës në kryeqytetet më të shtrenjta të marrin mjedise për fëmijët e tyre, për të ruajtur standartin në të cilin janë rritur, duke vijuar edhe shkollimin. Qira të kripura, po që janë vetëm ca thërrime për të pasurit. Megjithatë, tek e fundit ata paguajnë nga xhepat e tyre, përjashtuar rasteve kur janë përfaqësues zyrtarë të misioneve të shteteve në vendet respektive. Po edhe në këto raste, paratë janë nën kontroll se nuk mund të shpenzohet pa llogari. Bota e civilizuar kontrollon edhe centin e fundit për t`i prerë rrugën abuzimit dhe për të ndalur shpërdorimet, pasi edhe në këto vende askush nuk është i imunizuar nga korrupsioni. Po në vendin tonë?
Me mijëra familje enden në Tiranë, para çdo fillim viti për të gjetur një dhomë për fëmijët e tyre, që ata të ndihen mirë e të sigurtë dhe të kenë minimumin e nevojave të domosdoshme për të bërë një jetë normale dhe mundësinë për t’u shkolluar. Pagesat dalin nga portofoli i varfër i familjeve shqiptare, duke i privuar vetes edhe ushqimin, pa folur për shpenzime luksi. Shqiptarët paguajnë për fëmijët e për të bërë një jetë shumë herë mbi mundësitë që kanë. Kur paguhet për fëmijët një qira, hiqet nga shpenzimet familjare, të cilat reduktohen në masë të ndjeshme pasi të ardhurat tona dihen. Ato janë të limituara. Dhe këtu nuk bëjnë përjashtim studentët që vijojnë studimet, si në universitetet publike edhe ato private. Po nuk janë vetëm studentët që banojnë me qira. Për këto tre dekada, migrimi drejt Tiranës dhe qyteteve të mëdha të Shqipërisë, ku janë dyndur mijëra familje. Edhe ata paguajnë shuma të majme sipas kërkesës së pronarëve. Në këtë mënyrë, në qytetet ku nevojat për shtëpi me qira janë më të mëdha edhe çmimet janë më të kripura, shumë herë shkojnë në vlerën e një page mesatare të një nëpunësi apo zyrtari që punon në këto qytete. Po banesa është domosdoshmëri ndaj edhe pagesa për to nuk mund të vihet në pikëpyetje. Shtresa e varfër e shoqërisë, po edhe ata me një jetesë mesatare e kanë vështirë të paguajnë çdo muaj një dorë me para. Para për qira. Është një kredi e fshehur që shkon në xhepat e fatlumëve që kanë një banesë më shumë dhe që jetojnë duke “qethur” kupona.
Po në marrëdhënien mes pronarëve të banesave dhe familjeve në nevojë për një shtëpi me qira është një veprimtari normale dhe e domosdoshme që rregullohet përmes kontratave mes palëve ka edhe një qira që është e pazakontë. Qiraja e deputetëve jabanxhinj. Me deputetët, puna ndryshon kryekëput. Përballë familjarëve e studentëve që paguajnë nga halli me buxhetet e tyre modeste, ka një grup të përzgjedhur, VIP të politikës, të zgjedhur me votën e popullit, që edhe pse i kanë të gjitha, shteti bujar nga taksat tona u paguan qiranë e banesës. Së paku nga informacionet e siguruara, janë dhjetë deputetë, që edhe pse milionerë u akordohet çdo muaj një çek prej 35 mijë lekë nga shteti. Natyrisht të reja. Se qiraja e banesave të tyre është e majme. Nuk mund të jetojnë në periferi. As në mjedise të vogla. Pa kushte. Si të ishin njerëz të zakonshëm, punëtorë apo studentë xhepgrisur. Mes tyre dhe kategorisë që jeton me qira ka një ndryshim të thellë që nuk ka tregues ta mati.
E para, deputetët janë të mbuluar me gjithë shërbimet për “merita” të veçanta, për punët e mëdha, mundin, djersën që derdhin në sallat me kondicioner, në takimet e shumta me popullin, streset që përballojnë kur i shajnë e etiketojnë si “bosa të krimit” si të “korruptuar”, “hajdutë” apo më keq akoma kur marrin përsipër një “risk” të jashtëzakonshëm dhe ulen në karrigen e ministrit apo ambasadorit, zyrtarë të rëndësishëm të këtij vendi. Dhe pas tërë këtij “stresi” dhe “mundi” që vetëm ata mund ta përballojnë, si “baballarë” të kombit dhe njerëz që mendojnë për fatet e këtij vendi, si të mos mjaftonin shpenzimet për pagën, komisionet, dietat, makinat, sekretaret, naftën, udhëtimet jashtë shtetit, biletat e avionit dhe ato të teatrit apo kudo që shkelin, këta të shumë munduarit gëzojnë edhe një pagesë ekstra, qiraja për “jabanxhinjtë” deputetë. I bie më mirë që deputetët të mos jenë nga Tirana. Ç`u duhet banesa private?! Të shpenzojnë për lyerje. Ujë. Energji. Mirëmbajtje. Shtëpia e tjetrit është mall belik. E ka ai detyrim për ta mirëmbajtur. Në këtë mënyrë, e ardhura dyfishohet për qiramarrësit deputetë. Shpenzimet janë njëra anë. Përfitimet tjetra. Kjo sepse të ardhurat e tyre shtohen plot me 35 mijë lekë, që janë sa një pagë me të cilën jeton një familje me tetë persona ose sa tetë ndihma ekonomike. Është një listë me dhjetë deputetë qiraxhinj. Edhe deputetë me paga milionere edhe qiraxhinj të mjerë! Edhe lart në qiell tek retë me privilegjet, edhe me qira nga shteti si të ishin të mjerë. Si të ishin të pamjaftueshme pagesat për dhjetra shërbime, edhe qiraja u mungonte Ndokës, Nasufit, Ulqinakut, Bushajt, Meçorapaj, Harushës… Këtu mes qiraxhinjve ka konsensus të plotë. Keni dëgjuar ndonjë sherr për përfitimet? Grindje. Sharje. Mallkime? Mos u mundoni. Kurrë nuk do ketë të tilla. Për paranë, edhe deputetët tanë tersë e vërtisin sherjan siç na ka lënë kujtim Hasan Zyko Kamberi. Deputetët për pagesën e qirasë mund të thonë se e fitojnë me ligj. Na e japin. Nuk e vjedhim. As abuzojmë. Se nuk është faji i ynë. Nuk ka pse ta kundërshtojnë, siç trumbetojnë është hipokrizi. As se ua jep shteti. Kjo nuk justifikon pagesën e qirasë, e cila është e pajustifikuar.
Ligjet për privilegje ekstra nuk i ka bërë populli. Ai i ka votuar deputetët të përfaqësojnë interesat e tij, jo xhepat e tyre. Ndaj s`është dakord që të bëjnë ligje vetëm për privilegje. Se është privilegj i shumëfishtë. Të jesh deputet. Të udhëtosh me makinën e kuvendit. Gradis. Të furnizohesh me karburant me tollona. Të fluturosh me avion me bileta të paguara nga kuvendi. Të emërosh njerëz në punë. Të largosh nga puna. T`i bësh të gjitha. Dhe në fund të fitosh edhe pagesën e qirasë për shtëpinë ku jeton! Është pak të thuhet turp. Është ironi me qiraxhinjtë studentë, familjarët hallexhinj. Për deputetët e zgjedhur, populli nuk është xheloz që ata të jetojnë shumë më mirë nga pjesa e votuesve. Të kenë mundësi më shumë. Akses për shkollim të fëmijëve jashtë shtetit. Pagesa ekstra nga tërë anët. Imunitet. Paprekshmëri. Privilegje të mëdha. Po edhe qiranë ta paguajë shteti?! Ky shteti fukara!? Epo kjo,- thotë populli është vërtetë hata! Nuk ka pse të jemi xhelozë që shumë nga deputetët tanë janë milionerë. Nuk jemi kundër milionerëve. Kush vjen nga radhët e biznesit, detyrimisht do jetë i pasur. Kush nuk përfiton nga qënia deputet, cili nga fëmijët e deputetëve nuk shpërblehet me fonde e tendera dhe cili biznesin e ka ngritur vetë, le të fitojë dhe të bëhet supermbret. Le ta ketë pasurinë det. Kuptohet, pa prekur moralin. Pa kërkuar privilegje.
Pa qenë vetë në krye të bizneseve. Se edhe biznesmen, edhe deputet sikur nuk shkon. Se kështu, deputeti ushqen biznesin dhe biznesi deputetin. Po le të vijmë në privilegjet e deputetëve, pa folur për pagesat në komisionet parlamentare, shtesat në pensione që i kalojnë vetë pensionet, punë për gratë, e dhjetra të tjera ekstra. Le të mbetemi vetëm me qiranë që u paguhet nga taksa e shtetasve shqiptarë. Është pak të quhet kriminale përfitimi i qirasë për deputet, që më e pakta kanë nga katër-pesë shtëpi. Një deputet, pa folur për pagën më të lartë në piramidën e pagave në vendin tonë, ka nëpër llogari bankare miliona lekë e mijëra euro e dollarë dhe të presë si të ishte në kategorinë e ndihmës ekonomike, t`i paguajë shteti qiranë e shtëpisë është vërtetë e habitshme. Deputet me tre e katër shtëpi. Një në qytetin nga vjen. Një në Tiranë. Një buzë detit. Një në mal. Një në emër të gruas. Tjetra të dhëndrit. I mbesës. I gjyshit. I babës. I hallës. Të tjera nëpër plazhe. Dhe në fund pret goxha deputet që të marri edhe thërrimet. As një qindarkë të mos shkojnë tek të varfërit po te portofoli i të pasurit tek deputeti që nuk i kënaq as paga, as ryshfeti, as tenderi, as fitimet e mëdha. Pa folur për llogaritë bankare, fituar nga detyrat që kanë ushtruar deri në zgjedhjen në kuvend.
Po tek ne, morali i politikës është i barazuar me sa kemi fituar! Fitova? Jam deputet! Tani bëj si di vetë! Nuk ka ligj të më pengojë, vetëm të fitoj! Psikologjia e deputetëve tanë është si të fitojnë, jo vetëm përmes pagës dhe dietave, shtesave e privilegjeve as shërbimeve të shumta, po edhe me pagesat ekstra siç është qiraja e banesave. Është e çuditshme që deputetët përfitues të qirasë fshihen pas një ligji që vetë e kanë miratuar. Dhe dalin nëpër qytete me plot dinjitet, kërkojnë ndërgjegje tek fermeri, biznesi, njeriu pa xhep, pa pyetur për ata që mbrëmjeve i mungon edhe buka!
Comments (0 posted)
Post your comment