Rusi-Kinë, aleancë fluide interesash...
Rusia dhe Kina nuk “janë aleatë, por në përgjigje të presionit nga Shtetet e Bashkuara, ato po sinjalizojnë se nuk e shohin më njëra-tjetrën si kërcënim...
Nga Wesley Morgan
Ushtria ruse, përfundoi të dielën stërvitjen më të madhe ushtarake të epokës së pas Luftës së Ftohtë në Siberi, me një sërë stërvitjesh që përfshinë edhe trupat kineze. Por loja e luftës, përfaqëson një partneritet të përkohshëm dhe për efekte konjukturale, dhe jo një aleancë të ngritur kundër Shteteve të Bashkuara, thonë ish-zyrtarët e qeverisë amerikane dhe ekspertët mbi Rusinë.
Mediat ruse të kontrolluara nga qeveria, i kanë trumbetuar stërvitjet si më të mëdhatë ndër dekada, duke përfshirë 300 mijë trupa, që ushtrohen për të mbrojtur vendin ndaj sulmeve detare dhe ajrore, dhe përhapjen e mësimeve luftarake të mësuara në Siri.
Në stërvitje marrin pjesë edhe 3 mijë trupa kineze. Pentagoni dhe agjencitë e inteligjencës amerikane ndoqën nga afër stërvitjen 5-ditore që nisi më 11 shtator, dhe përfshiu helikopterët dhe uljet me parashutë nga forcat ruse të këmbësorisë. Imazhet satelitore, treguan gjithashtu formacione të automjeteve të blinduara, që parakaluan në parade para presidentit rus Vladimir Putin.
Por njerëzit me një përvojë të drejtpërdrejtë në studimin ushtrisë ruse, thonë se shifra e trupave të përfshira është e fryrë. “Unë mendoj se ndoshta po e hiperbolizojnë madhësinë e saj”- tha gjenerali Ben Houxh tashme në pension, që ka qenë komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Europë, deri në fillim të këtij viti.
Houxh vuri në dukje se gjatë stërvitjes “Zapat 2017” të vitit të kaluar në lindjen europiane të Rusisë, rusët bënë të kundërtën, duke pretenduar se kishin angazhuar vetëm 13.000 trupa, “kur çdo ushtar profesionist dhe vëzhgues, e dinte se aty ishin rreth 100.000 trupa”.
Stërvitja e fundit, e cila nisi të martën, njihet si “Vostok 2018”, sipas emrit të distriktit ushtarak lindor ku dhe po zhvillohet. Ajo kryhet 9 muaj pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Xhejms Matis, shpalosi një strategji të re të mbrojtjes kombëtare, që e vë theksin mbi “konkurrencën strategjike” të Rusisë dhe Kinës, dhe në mesin e përkeqësimit të marrëdhënieve të SHBA-së me të dyja vendet.
Lojërat e luftës në Lindjen e Largët të Rusisë, nuk janë subjekt i monitorimit nga vëzhguesit ushtarakë ndërkombëtarë, çka mund të siguronte një verifikim të shifrave që jep Moska, thotë Majkëll Kofman, i cili studion ushtrinë ruse në Qendrën për Analiza Detare, një think-tank i lidhur me qeverinë amerikane.
Kjo sipas tij do të thotë se “ushtria ruse mund të zbadhojë shifrat për stërvitjen e Vostokut, në një mënyrë që ata nuk mund ta bëjnë për të tjerët”- tha ai. “Është një stërvitje shumë e madhe, por unë dyshoj se do të jenë më pak se 100 mijë trupa” -tha Kofman. Disa vëzhgues të Rusisë, i kanë kushtuar më shumë rëndësi pranisë së trupave kineze – veçanërisht për shkak se stërvitjet e mëparshme ruse në rajon, besohet se janë projektuar pjesërisht për të qenë të përgatitura ndaj sulmeve të mundshme kineze.
“Rusia po i thotë Pekinit, se nuk është më në qendër të planifikimit rus në Lindjen e Largët, dhe sinjalizon SHBA dhe NATO-n se nëse marrëdhënia mbetet e keqe, Rusia ka opsione të tjera- shprehet Xhefri Mankof i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, dhe ish-këshilltar për marrëdhëniet SHBA-Rusi në Departamentin e Shtetit.
Rusia dhe Kina nuk “janë aleatë, por në përgjigje të presionit nga Shtetet e Bashkuara, ato po sinjalizojnë se nuk e shohin më njëra-tjetrën si kërcënim, shtoi Kofman. “Ato të dyja cilësohen
si konkurrente strategjikë në strategjinë amerikane të mbrojtjes kombëtare”.
Por zyrtarët e lartë amerikanë, e panë atë si një “martesë” të komoditetit, dhe jo një të ngjarje që mund të zgjasë në kohë, për shkak të konkurrencës së madhe mes Moskës dhe Pekinit.
“Unë nuk shoh ndonjë perspektivë afatgjatë, që harmonizon Rusinë dhe Kinën”- u tha Matis gazetarëve më herët gjatë kësaj jave.
Edhe të tjerët, bien dakord më këtë konstatim. “Këto stërvitje, janë planifikuar muaj, në mos vite më parë, dhe nuk janë diçka që ndodhi brenda natës”- thekson Mark Simakovski i “Atlantic Council”, i cili ndihmoi në mbikëqyrjen e politikës së Rusisë, si një zyrtar i Pentagonit të administratës së Obamës. “Unë nuk besoj se kjo stërvitje, flet për një aleancë më të gjerë kundër Shteteve të Bashkuara. Por është qartë, që këto dy vende do të vazhdojnë të bashkëpunojnë për të sabotuar interesat amerikane në Azi”.
Mankof, ish-këshilltar i Departamentit të Shtetit të Rusisë, ndan të njëjtin mendim. “Lindja e Largët Ruse, është shumë e distancuar nga territori i NATO-s, dhe unë nuk mendoj se Kina në veçanti, po synon ta përfshijë atë në luftë”- tha ai. “Nuk ka asgjë element që tregon provokim apo kërcënim për NATO-n. Rusët dhe kinezët, nuk po përgatiten të fillojnë një luftë kundër askujt”.
Në një nivel ushtarak më praktik, ushtria ruse dhe kineze përfitojnë nga stërvitja – kryesisht për shkak se shkalla e “Vostok 2018”, është më e vogël se pretendimet e Rusisë, por sërish më e madhe se sa stërvitjet e ngjashme të NATO, të cilat më së shumti përfshijnë deri në 40.000 trupa.
Stërvitja “nënvizon” rëndësinë që Rusia i jep një mobilizim masiv dhe dislokimi forcash në distanca të mëdha- thotë Jan Brzhezhinski, një ish-zyrtar i Pentagonit që mbikëqyri politikën e NATO-s dhe Europës në administratën e Xhorxh W.Bush. “Kjo është shqetësuese, pasi SHBA dhe NATO nuk kryejnë stërvitje të këtyre përmasave”- shtoi ai.
Stërvitja ofron gjithashtu mundësinë për të përhapur leksionet që ushtria ruse ka mësuar në Siri, mendon Kofman. Ndërsa prania ushtarake ruse në Siri është e vogël, të gjitha degët ushtarake të Rusisë, e kanë përdorur stërvitjen si një mundësi për të përfshirë sa më shumë zyrtarë të lartë që të jetë e mundur, për të fituar eksperiencë në botën reale.
Zyrtarisht Moska e mohon se stërvitja është përqendruar në ndonjë armik potencial. “Vostok 2018, nuk është kundër vendeve të tjera, por në përputhje me doktrinën tonë ushtarake, e cila është mbrojtëse në karakterin e saj”- tha Nikolai Lakhonin, një zëdhënës i ambasadës ruse në Uashington.
Por ushtria amerikane i ka bërë thirrje Rusisë, të zbulojë më shumë detaje rreth stërvitjes. Ndërkaq për kinezët, lojrat e luftës janë “një mundësi për të mësuar nga rusët disa leksione mbi mobilizimin dhe vendosjen e forcës, fusha ku Kina ka një rrugë të gjatë për të bërë”- thotë gjenerali në pension, Bill Hiks, që deri në pranverën e këtij viti ndihmoi në mbikëqyrjen e përpjekjeve të ushtrisë amerikane, për të modernizuar një konflikt të mundshëm të ardhshëm me një fuqi të madhe, dhe vëzhgon nga afër zhvillimet ushtarake ruse.
Por në fakt rusët kanë nevojë për kinezët, më shumë se sa e kundërta, thotë Brzhezhinski. “Unë nuk shoh që kinezët po i marrin rusët seriozisht si një partner strategjik të rëndësishëm”- tha ai. “Fuqia ushtarake kineze, e lë në hije atë ruse. Ajo që po ndodh është një bashkëpunim taktik, dhe jo strategjik”- thotë ai.
Burimi: “Politico.eu”/ Në shqip nga bota.al
Comments (0 posted)
Post your comment