Home | Politics | A do të pushojë i qetë Aleksandri i Madh?

A do të pushojë i qetë Aleksandri i Madh?

image
Perëndimi po zhvillon një fushatë të gjerë për riemërimin e Maqedonisë.

 

 

 

Nga Enver Robelli

 

 

Perëndimi po zhvillon një fushatë të gjerë për riemërimin e Maqedonisë. Më 30 shtator qytetarët vendosin. Dhe nëse vendosin sipas porosive të politikanëve perëndimorë, atëherë pason hyrja në NATO e këtij vendi ballkanik – me gjithë rezistencën nga Rusia.

 

Dikur gjithçka zhvillohej shpejt. Kur Aleksandri i Madh, mbreti dhe luftëtari i madh i Maqedonisë antike, në vitin 334 para erës së re filloi betejën e tij, askush nuk mund ta merrte me mend se brenda 11 vjetësh ai do të mposhtte persianët, egjiptianët dhe indianët dhe do të themelonte një perandori botërore. Aventurieri nga Maqedonia antike kaloi 32 mijë kilometra duke pushtuar toka.

 

Maqedonisë dhe Greqisë së sotme u janë dashur mbi 25 vjet, pra mbi një çerekshekulli për të filluar zgjidhjen e çështjes së emrit. Konflikti përshkallëzoi më 1991, kur Maqedonia në mënyrë paqësore u nda nga shteti shumëkombësh i Jugosllavisë dhe shpalli pavarësinë. Meqë një krahinë e Greqisë Veriore quhet Maqedoni, Qeveria në Athinë ia ndaloi vendit fqinj të bartë emrin Maqedoni. Të dyja palët pretendonin trashëgiminë antike, provokimet mes tyre ishin të ndërsjella, loja me emocione dhe ballkanike dhe me simbole helene shpeshherë ashpërsohej.

 

Në fillim të viteve ’90, Maqedonia s’mund të zhvillonte tregti as përmes Portit të Selanikut. Në OKB ky vend u pranua me emrin poshtërues “Fyrom” (“Former Yugoslav Republic of Macedonia”). Ky akronim i inspiroi cinikët: ata i quajtën banorët e këtij shteti ballkanik “fyromianë”. Greqia po ashtu bllokoi hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe integrimin në BE.

 

Përqafim te Liqeni i Prespës

 

Që nga viti 1994 diplomati amerikan Matthew Nimetz u përpoq të zgjidhë çështjen e emrit – së pari si i ngarkuar i Washingtonit, pastaj si emisar i OKB-së. Më 17 qershor Nimetz i përqafoi kryeministrat e Greqisë dhe të Maqedonisë te Liqeni i Prespës, i cili u takon këtyre vendeve (dhe Shqipërisë). Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev kishin arritur një marrëveshje për riemërimin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut. Për herë të parë këta dy politikanë u takuan në janar në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës, pastaj negociuan larg syve të opinionit botëror, me kalimin e kohës mirëbesimi mes tyre u rrit. Më 30 shtator pritet të merret vendimi historik: qytetarët e Maqedonisë do të votojnë në referendum mbi ndërrimin e emrit. Athina ka premtuar se nuk do ta bllokojë anëtarësimin në NATO të Maqedonisë së Veriut.

 

Për t’i bindur maqedonasit që të votojnë për ndryshimin e emrit Perëndimi po zhvillon një fushatë të vërtetë. Madje edhe Donald Trumpi ka ndërhyrë. Në një letër që e ka publikuar Ambasada e SHBA-së në Shkup, presidenti amerikan lavdëron marrëveshjen dhe bën një premtim të madh: anëtarësia e Maqedonisë në NATO do të rrisë “sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien”, shkruan Trump. Në fillim të javës së kaluar në Shkup erdhi ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i cili takoi politikanët kryesorë të vendit. Ai tha se referendumi mbi plotësimin e emrit të Maqedonisë është “zgjedhja më e rëndësishme në historinë e Maqedonisë” dhe shtoi: “Jemi të gatshëm t’ju mirëpresim në NATO si anëtarin e ‘30”.

 

Vizita e tij ishte një tërheqje e vërejtjes ndaj Moskës, e cila në Maqedoni po mbështet grupe rusofilë. “Ata (rusët) kanë transferuar para dhe po zhvillojnë fushata të gjera ndikimi”, tha Mattis. Faqe deri më tani të panjohura në Facebook po u bëjnë thirrje qytetarëve të djegin fletëvotimet. Kryeministri Zaev tha në korrik se “biznesmenët rusë” u kishin dhënë para fansave të klubit të futbollit Vardar që të provokojnë dhunë para referendumit. Detaje të tjera politikani socialdemokrat nuk dha. Ambasada ruse në Shkup e quajti deklaratën e Zaevit të papërgjegjshme dhe rusofobe.

 

Për “vëllazërinë sllave”

 

Në fillim të vitit në Shkup qëndroi ideologu i afërt me Kremlinin, Aleksander Dugin. Qëllimi i vizitës ishte intensifikimi i propagandës antiperëndimore dhe lavdërimi i “vëllazërisë sllave”.Ai kundërshtoi anëtarësimin në BE dhe NATO dhe e quajti atë “shantazh, poshtërim dhe kolonizim” nga ana e Perëndimit. Ideologjia liberale, sipas tij, nuk qenkësh gjë tjetër veçse totalitarizëm, i cili shkatërruaka traditat, kulturën, gjuhën dhe religjionin e popujve. Për të luftuar “fushatat ruse të dezinformimit” në Maqedoni, Kongresi i SHBA-së i ka dhënë këtij shteti të vogël ballkanik tetë milionë dollarë. Viteve të fundit Rusia vazhdimisht është përpjekur të sabotojë hyrjen e një vendi tjetër ballkanik në NATO: Malin e Zi. Më 2016 agjentë rusë dhe figura të dyshimta të nëntokës serbe tentuan të bënin puç në Mal të Zi.Ky synim dështoi dhe vendi i vogël buzë Adriatikut para një viti hyri në NATO. Pranimi i Maqedonisë në aleancën veriatlantike do të ishte një goditje tjetër për Rusinë.

 

Rusia me gjasë po përzihet edhe në Greqi. Qeveria në Athinë dëboi në korrik dy diplomatë rusë, të cilët po përpiqeshin të pengonin zgjidhjen e çështjes së emrit. Sipas mediave greke, ata ishin përpjekur të ushtronin ndikim mbi zyrtarë dhe metropolitë të Kishës Ortodokse Greke, duke premtuar “dhurata” financiare.

 

Krahas James Mattis ditëve të fundit Shkupin e kanë vizituar edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini, kryeministri austriak, Sebastian Kurz dhe disa ministra të Jashtëm të BE-së. Të gjithë këta patën, pak a shumë, të njëjtin mesazh si komisari i BE-së për zgjerim, Johannes Hahn. Ai tha: “Më 30 shtator ju do të keni shansin të vendosni për të ardhmen tuaj. Ky është një rast i papërsëritshëm për të marrë një vendim, i cili do të ketë ndikim ndaj qytetarëve, fëmijëve të tyre dhe gjeneratave, që ende nuk kanë lindur”.

 

Anketat tregojnë se shumica e votuesve do të përkrahin propozimin për emrin e ri të Maqedonisë. Por e paqartë është nëse do të arrihet kuorumi prej 50 për qind i pjesëmarrjes. Regjistrat zgjedhorë maqedonas numërojnë 1.8 milionë qytetarë. Por sipas Komisionit Zgjedhor mes tyre ka shumë “shpirtra të vdekur”. Po ashtu shumë shqiptarë nuk tregojnë ndonjë interesim për pjesëmarrje në votime, sepse jetojnë në diasporë në Zvicër, Itali, Gjermani dhe Austri. Së paku një e katërta e banorëve të Maqedonisë janë shqiptarë. Ata do të luajnë rol vendimtar në referendumin e ardhshëm. Për këtë arsye këto ditë partitë politike shqiptare po ftojnë edhe figura prominente të diasporës nga Zvicra për të përkrahur fushatën për referendum.

 

Vetura e shtrenjtë

 

Shumica sllave e popullsisë së Maqedonisë është e përçarë sa i përket emrit. Jo vetëm lëvizjet proruse dhe nacionalistët nga diaspora, por edhe pjesë të partisë opozitare VMRO po bëjnë thirrje për bojkot. Këto grupe thonë se ndryshimi i emrit rrezikon identitetin nacional të maqedonasve. Bie në sy heshtja e kryeministrit Nikolla Gruevski. Me klikën e tij klienteliste ai kishte ndërtuar një sistem ku lulëzonte korrupsioni, kishte përgjuar ilegalisht gazetarë, politikanë dhe dhjetëra e mijëra qytetarë të tjerë, kishte manipuluar zgjedhjet dhe me gjasë edhe inskenuar një përleshje të armatosur me një grup kriminelësh shqiptarë, me qëllim që të provokojë një konflikt ndëretnik.

 

Ndërkohë Gruevski është dënuar nga një gjykatë e shkallës së parë me dy vjet burgim. Gjatë mandatit të tij ai, mes tjerash, kundërligjshëm kishte blerë një veturë zyrtare në vlerë prej 600 mijë euro dhe arkëtuar provizion. Së fundi në Shkup njohës të rrethanave thanë se Gruevski ka vënë një kusht për të mos luftuar referendumin. Kushti quhet amnisti. Nëse Gruevski do të shpëtojë pa u futur në burg është po aq e paqartë sa epilogu i referendumit mbi emrin Maqedoni e Veriut. Këtu bëhet fjalë për gjashtë shkronja, por ato do të mundë të zgjidhnin një konflikt në dukje absurd. Pastaj Aleksandri i Madh ndoshta mund të pushojë i qetë – 2 300 vjet pas fundosjes së perandorisë së tij.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0