Home | Politics | SEFARAD (ספרד - סלוניקי)

SEFARAD (ספרד - סלוניקי)

image
Gjyshi im quhej Samuel, dhe si reminishenca jetësh të shkuara...

 

 

 

 

 

 

 

Arrita pasdite, në qytetin e Selanikut, në veri të Greqisë, nga Stambolli.

U gjenda në një vend fort të pakëndshëm, ndonëse linja e udhëtimeve kishte shërbim furgonësh për në qendër të qytetit falas. Kisha ardhur të qëmtoja Sefaradin tim vetjak... që nuk është gjë tjetër veç emrit të Spanjës në hebraishten mesjetare. Erdha se isha peng i kujtesës.

Mbretëresha Izabel katolikja, i pati përzënë hebrenjtë spanjollë dhe arabët nga Spanja, në vitin 1492. Gjyshi im quhej Samuel, dhe si reminishenca jetësh të shkuara, gjithmonë kisha parandier mëdyshjen se familja ime nga dega atërore, prirej nga Ylli i Davidit.

Mbiemrat spanjollë si: “De Dios”, “De Jesús”, “De la Iglesia”, dikur mbivendoseshin nga klerikët, kur pagëzoheshin bonjakët. Si do kish qenë vallë më parë, mbiemri im pra?

E qartë që nuk mund të gërmoj mes degëve 500 vjeçare të familjes time, ndonëse rrëqethja e trupit tim, mund të sintonizojë origjina të moçme.

Mos vallë ndonjëherë pata qenë hebre dhe unë, në ndonjë kuptim të ndryshëm nga ai i përcaktuari prej Sartrit? Mos qeshë vallë pasardhës i hebrenjve sefarditë të përzënë nga Spanja dhe të hapërdarë anembanë Mesdheut me epiqendër Turqinë, Selanikun dhe krejt Ballkanin?

Po gjurmoja mërgatën më të madhe të hebrenjve, sepse në Selanik kish patur më shumë hebrenj se popuj të tjerë. Thuhej të kenë qenë rreth 50 mijë e unë kisha ardhur gjer këtu duke gjurmuar një komunitet të vockël që siç tregohet, këndonin këngë në gjuhën ladine. Plot vargje hebraishte, arabe e kastiljane, që i kushtoheshin veç lavdisë së Spanjës mesjetare.

Bridhja në brigjet e Detit Egje, në drejtim të Kullës së Bardhë dhe nuk arrija të shquaja asnjë sinagogë, por veç ndonjë muze të epokës bizantine, agoratë, amfiteatrot dhe kishat ortodokse kudoqoftë.

Xhamitë kishin mbetur prapa në kufirin mes Turqinë, e gjithaq nuk gjendeshin gjurmë të mërgatës hebraike. Të përndjekur gjatë shekujve të inkuizicionit, kish qenë Hitleri që i pati dhënë dërrmën gjurmëve të fundme të këtij populli, e tashmë nuk mbetej në këmbë as kinemaja e këtij qyteti dikur të pasur e kozmopolit, e ndodhur në lagjen e Ladadikas. Gjithçka të lë një përshtypje melankolike e cazë të ëmbël me tepri. Sepse këta njerëz nuk kishin braktisur veç Spanjën, por edhe Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Turqinë apo Marokun. Kujtesa më bëhet e koklavitur, copëza, shkëndija pamjesh. Kisha një fije kujtimi të hotelit, që ndodhej në rrugën Tsimiski, që dilte drejtpërdrejt në sheshin Aristoteli, por emri i hotelit fare ndërmend s’më bie.

Ndoshta më është tretur perceptimi prej dervishi, kabalaja e një populli të mërguar. Më është përtharë filozofia, matematika, mjekësia, astronomia e gjithaq poezia sefardite. Tanimë ndodhem në tarracën e një bari të lagjes Ladadika, tek dëgjoj këngën e hebreut Robert Zimmerman (Bob Dylan) që thotë: “Përgjigja përçohet me shkulmin e erës”... Ndërsa përgjigja ime vjen e përçuar përmes puhizës nga porti buzë Egjeut dhe më thotë: “Trashëgimia yte atërore, Sefaradi yt vetjak, pati humbur qysh në Spanjë... në ndonjë muaj të vitit 1492”.

 

 

 

 

 

© Elvi Sidheri, në Shqip

 

© Dario Dario de Dios, Argjentinë

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00