A po shndërrohet sërish bota në një xhungël?
E frustruar nga populizmi dhe politika e identitetit, Europa është në rrezik të kthehet tek grindjet...
Nga Steven Erlanger
Presidenti amerikan Donald Trump, duket i vendosur t’i japë fund 70 viteve të politikës së jashtme amerikane, veçanërisht ndaj Europës, të cilën ai e konsideron si më pak aleate, dhe më shumë si një rivale. Kthesa e Trump, ka nxitur një kërkim të zjarrtë në të dyja anët e Atlantikut, të përgjigjeve ndaj pyetjeve të vështira, rreth rolit global të Shteteve të Bashkuara, dhe asaj që mund dhe duhet të bëjë vetë një Europë e tronditur, duke pasur parasysh një partner më pak të besueshëm amerikan.
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mas, duke folur përpara një konference me ambasadorët e Gjermanisë muajin e kaluar, foli për një politikë më të fortë të jashtme dhe të mbrojtjes europiane, përballë një të ardhme papritmas të pasigurt. “Rendi aktual ndërkombëtar, i bazuar në rregulla po gërryhet, në një botë ku asgjë nuk mund të merret më si e mirëqenë në politikën e jashtme”- tha ai.
Si një masë për të përshkruar se sa i ndërthurur është bërë mendimi mbi këtë çështje, Mas, një socialist, citoi mendimtarin konservator amerikan Robert Kagan të Institutit Brookings dhe librin e tij të ardhshëm, “Rikthimi i xhunglës:Amerika dhe bota jonë e rrezikuar”.
Sipas pikëpamjes së Kagan, tërheqja e Shteteve të Bashkuara si garantuesja e rendit që krijoi pas Luftës së Dytë Botërore, po e kthen botën në gjendjen e saj natyrore – në një xhungël të errët me interesa konkurruese, ku përplasen nacionalizmi, tribalizmi dhe interesi vetjak.
“Rendi botëror liberal i krijuar nga Shtetet e Bashkuara, pak më shumë se 7 dekada më parë, është duke u shembur”-shkruan Kagan, një shenjë e rraskapitjes amerikane nga barra e problemeve globale, e cila filloi përpara zgjidhjes së Trump, dhe ishte një nga arsyet e fitores së tij.
Por teksa një Amerikë e lodhur, tërhiqet pas nga përpjekjet që zoti Kagan i quan “kopshti” i rendit liberal – 70 vite të pazakonta paqe dhe tregtie të lirë, “një anomali historike” e shkaktuar nga lidershipi amerikan – rreziqet janë të konsiderueshme, veçanërisht për Europën, argumenton ai.
E frustruar nga populizmi dhe politika e identitetit, Europa është në rrezik të kthehet tek grindjet që prodhuan totalitarizmin në vitet 1930, paralajmëron ai. “Çështja e rëndësishme nuk është Lindja e Mesme apo edhe Rusia, dhe ndoshta mund të mos jetë as Kina”- thotë Kagan.
“Loja e madhe është ajo që ka qenë për më shumë se një shekull. Nëse e humbim Europën, nëse e dërgojmë atë sërish në gjendjen e saj normale, gjithçka mer fund”. Por diagnoza e i tij – që pavarësisht sjelljeve aktuale, Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se duhet të mbeten garanti i domosdoshëm – vështirë se ndahet në mënyrë universalem në një moment kur shumë njerëz e shohin me dashamirësi ankesës e zotit Trump, se aleatët e Amerikës nuk po bëjnë aq sa duhet për mbrojtjen kolektive.
Xhuliana Smith, ish-këshilltare e zv/president Bajden, dhe bashkëpunëtore e Akademisë Robert Bosh në Berlin, kreu kohët e fundit një tur në mbarë SHBA-në, duke folur mbi politikën e jashtme. “Nëse në Uashington pikëpamja bipartizane është se duhet bërë më shumë, njerëzit në Amerikë pyesin nëse kemi qenë shumë ambiciozë”- tha ajo.
“Ne jemi në një situatë, kur publiku nuk sheh provat që mbështesin argumentet e Kagan”- tha ajo. Stefën M.Uollt i Universitetit të Harvardit, argumenton në librin e tij të ardhshëm, “Ferri i qëllimeve të mira:Elita e politikës së jashtme të Amerikës dhe rënia e lidershipit të SHBA-së”, se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më pak në botë, dhe shumë më tepër në mënyrë selektive.
Pjesë e shkollës “realiste”, zoti Uollt thotë se që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në një sërë përpjekjesh të kushtueshme, kryesisht të panevojshme, dhe përfundimisht të dështuara, për të riformatuar kombet sipas imazhit të saj të të pazakontë.
Metafora e një kopshti “nënkupton që roli ynë është i mirë dhe dashamirës, kur në fakt kemi hedhur në erë shumë gjëra”- shprehet ai. “Nëse bredhim nëpër botë për kryqëzatat idealiste, dhe disa prej tyre shkojnë keq, ashtu siç ka ndodhur, atëherë mbështetja publike për një politikë të jashtme aktive, do të bjerë”.
Tomas Valashek, drejtues i “Carnegie Europe”, një institucion kërkimor, e konsideron këtë pikëpamje si tejet pesimiste. “SHBA-ja ka ndryshuar kulturën e sigurisë së Europës”, tha ai, duke i bërë europianët më të vetëdijshëm, mbi nevojën për të mbrojtur veten.
“Nuk jemi si në vitet 1930. Në Europë ekzistojnë forca politike të neveritshme, por jo të të njëjtit lloj, dhe unë nuk e ndaj supozimin e Kagan, se elitat evropiane nuk do të dinë si të reagojnë”. “Ne duhet t’i bëjmë të qartë popullit amerikan, se është në vetë interesin e tij të qëndrojë i angazhuar, dhe se të tjerët po rriten, paguajnë dhe bëjnë pjesën e tyre”- shtoi ai.
Ndryshimi i qëndrimit të SHBA-së “drejt një roli post-imperial”, filloi para zotit Trump, me dështimin e luftës në Irak, vë në dukje Natali Toçi, drejtore e Institutit Italian të Punëve të Jashtme, njëherazi këshilltare e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogerini.
Por për të, “rreshtimi i argjendtë në Europë, është se edhe udhëheqësit aktualisht të dyshimtë, e kuptojnë se ne jemi të gjithë shumë të vegjël”.
“Ka një vetëdije në rritje, se një Europë dhe Bashkim Europian më i fortë, është një domosdoshmëri, pavarësisht nga gabimet”- tha ajo. Daniel Ë.Drezner, i cili jep mësim politikën ndërkombëtare në Shkollën Fleçer të Universitetit Tafts në SHBA, argumenton se “amerikanët janë neveritur nga luftërat në Afganistan dhe Irak”, porse sipas tij Kagan dhe Uollt gabojnë kur flasin për opinionin publik amerikan.
“Pyeteni atë për tregtinë, emigracionin dhe aleancat, dhe rezulton se Trump e ka bërë sërish të madh internacionalizmin liberal”- tha ai, me amerikanët që favorizojnë tregtinë ndërkombëtare dhe aleancat me demokracitë europiane dhe aziatike. Dhe vërtet, sondazhet tregojnë se qëndrimet e amerikanëve ndaj tregtisë dhe aleancave të ndërsjella, janë më pozitive në 40 vitet e fundit, thotë Ivo H.Dalder, president i Këshillit të Çikagos mbi Çështjet Globale.
“Amerikanët nuk janë të lodhur me angazhimin ndërkombëtar, por me budallallëqet dhe me luftërat e huaja të pafundme”- tha ai. Dalder dhe Xhejms M.Lindsej do të botojnë librin “Froni bosh:Abdikimi i Amerikës ndaj lidershipit global”, që përshkruan ndikimin e asaj që ata e konsiderojnë si ndryshimi më i madh në politikën e jashtme amerikane, që nga tërheqja nga Europës pas Luftës së Parë Botërore.
Ashtu si Kagan, edhe ata parashohin pasoja të tmerrshme nga kjo. Por ata gjithashtu argumentojnë se edhe nëse zoti Trump nuk do të angazhohet ndaj rendit botëror liberal, 9 aleatët më demokratikë të Amerikës mund të bëjnë më shumë për ta ruajtur atë – si në tregtinë globale ashtu edhe tek siguria.
Lindsej dhe Dalder bëjnë thirrje për një “G-9” me Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Australinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Kanadanë dhe Bashkimin Europian, për të vepruar më me guxim në interesin e tyre, siç po bëjnë tashmë në fushën e tregtisë. Zoti Kagan dëshiron të ndikojë në këto zgjedhje.
Përkundër gabimeve në Irak, Afganistan dhe Libi, tërheqja në emër të “realitetit” është naive dhe antihistorike, argumenton ai. “Pas dekadave të jetesës brenda flluskës mbrojtëse të rendit botëror liberal, ne kemi harruar sesi duket bota. Të besosh se çerek shekulli pas Luftës së Ftohtë ka qenë një fatkeqësi, do të thotë të harrosh se ç’do të thotë katastrofë në çështjet globale”. / “The New York Times”/ bota.al
Comments (0 posted)
Post your comment