Home | Politics | Rezultati i keqkuptuar i referendumit në Maqedoni

Rezultati i keqkuptuar i referendumit në Maqedoni

image
Koha nuk pret, është momenti për të marrë vendime kyçe dhe, veçanërisht faktori shqiptar në Maqedoni...

                                 

 

 

 

Nga Elvi Sidheri

 

 

 

 

Gjëegjëza e preferuar mbrëmjen e të dielës së 30 shtatorit, për të tjera një ditë fundjave e qetë me diell vjeshtor, ishte të komentoheshin qëndrimet dhe këndvështrimet lidhur me referendumin për emrin e Maqedonisë.

Një ngjarje, që pavarësisht logjikimeve përkatëse nga shumë faktorë, do pranuar se përthithi vëmendjen thelbësore të politikës së jashtme dhe gjeopolitikës Perëndimore (e asaj rajonale ballkanase), përmes një njësimi të pahasur tjetërkund, veçanërisht në këtë epokë përplasjesh dhe lëvizjesh tektonike në rrafshin socioekonomik mes faktorëve të ndryshëm edhe brendapërbrenda demokracive Perëndimore. 

Maqedonia qysh nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës mes kryeministrave Zaev dhe Cipras, që përcaktonte ndryshimin e emrit të asaj që akoma quhet ndërkombëtarisht si IRJM, u shndërrua në destinacionin e vizitave të shpeshtuara dhe vëmendjes së përqendruar të tërë diplomacisë Perëndimore, duke përfshirë këtu sferat më të larta, gjer te presidenti Trump, Departamenti Amerikan i Shtetit, organet drejtuese të Bashkimit Europian, e shumëkënd tjetër.

Një vëmendje e këtillë, nuk mund të mos shërbejë si tregues për rëndësinë e Maqedonisë në fushën e sotme të shahut ballkanik, ku përplasen, pleksen e joshen një mori ndikimesh, faktorësh e pikëpyetjesh gjeostrategjike, që gjejnë në Maqedoni grykëderdhjen e synimeve dhe politikave të tyre afatgjata e afatmesme.

Për këtë arsye, referendumi i 30 shtatorit, ishte jetik, ndonëse jo me efekt të menjëhershëm. 

Sepse do të përcaktonte edhe orientimin e një copëze tjetër të Ballkanit në të ardhmen e afërt dhe të largët, të ndrydhur mes Rusisë ekspansioniste (me Serbinë nën sqetull) dhe Perëndimit, që synon të frenojë oreksin rus.

Dhe përgjigja e referendumit ishte një “PO” e qartë, ndonëse e zbehur nga pjesëmarrja e ulët.

Gjithësesi, referendumet bëhen me qëllim që njerëzit të gëzojnë mundësinë të shprehin mendimet e tyre për çështje të rëndësishme, dhe kur një masë e konsiderueshme qytetarësh e shfrytëzojnë këtë të drejtë kushtetuese, atëherë detyra mund të cilësohet si e kryer.

Në referendumin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, 606 mijë vetë votuan PRO këtij fakti, 37 mijë të tjerë Kundër, dhe përmbledhtas 663 mijë syresh shfrytëzuan të drejtën e votës, baras me 37% si nivel pjesëmarrje në votim. 

Këtu lind edhe kundërshtia lidhur me faktin nëse referendumi quhet i vlefshëm apo jo, duke anuar secila palë nga e saja, pra krahu që thekson suksesin e referendumit, vë në dukje se 91.48% votuan PRO, dhe pala antagoniste, që thekson se pjesëmarrja ishte e ulët.

Konsideruar se në zgjedhje vendore e parlamentare, në Maqedoni pjesëmarrja në votime rrotullohet te shifrat e 55%, atëherë rezulton se ka një rënie prej 17% të nivelit të votueshmërisë.

Fakt ky, që gjithësesi do të gjente lehtësisht shpjegim me konstatimin se duke qenë fjala për një referendum, për shembull, interesimi i diasporës, sidomos asaj të shqiptarëve të Maqedonisë, që jetojnë me qindra-mijëra në vendet Perëndimore, padyshim ka qenë e ulët, ndryshe nga zgjedhjet vendore apo parlamentare në këtë vend, kur partitë shqiptare shpesh organizojnë edhe transportin e votuesve të tyre për të betonuar shifrat e tyre elektorale.

Kjo mund të shpjegojë pra rënien e pjesëmarrjes në votën referendare te shqiptarët në Maqedoni, ndërsa lidhur me anën maqedonase, shpjegimi bëhet edhe më i thjeshtë, duke parë bojkotin e partisë së madhe opozitare VMRO-DPMNE, si dhe një sërë shoqatash megallomane shoviniste të këtij krahu, që nga Kongresi Botëror Maqedonas i Todor Petrov, deri te partia haptas filoruse e financuar nga Kremlini, e Janko Baçev, të ndihmuar bujarisht nga ndikimi ekonomik, politik e “vëllazëror” pansllavist i Ariut Rus. 

Rrjedhimisht, pjesëmarrja në nivelin 37%, rezulton të jetë një votueshmëri më tepër se optimale, duke patur parasysh kushtet, mungesën e votës së diasporës, bojkotin e turmave nacionaliste maqedonase, investimin madhor rus (dhe serb) kundër referendumit, e shumë faktorë të tjerë anësorë.

Sidoqoftë, duke qenë një referendum “këshillimor”, atëherë fjala i takon parlamentit maqedonas për të vendosur, nëse do ta miratojë Marrëveshjen e Prespës me 2/3 e votave, apo vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohëshme, për t’i dhënë drejtim njëherë e mirë sfidave ekzistenciale me të cilat përballet Maqedonia ende sot.

Si shqiptarë, na takon pikësëpari të urojmë faktorin shqiptar në Maqedoni, për pjekurinë politike dhe qëndrimin e plotë pro-Perëndimor të shprehur nga elektorati dhe partitë politike shqiptare në këtë vend, përcaktues edhe në këtë referendum vendimtar për fatet e Maqedonisë dhe rajonit.

Gjithaq do vlerësuar edhe qëndrimi pragmatist i kryeministrit Zaev dhe atyre votues maqedonas, që zgjodhën të mos dëgjojnë “tupanët” e marrëzisë megallomane filoruse e shoviniste antishqiptare dhe antiperëndimore, që akoma gëlon mes shumë pjesëtarëve të popullsisë sllave të këtij vendi. 

Në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, ndoshta edhe zgjedhjeve të parakohshme, gjithësesi shqiptarët e Maqedonisë, por edhe faktori ndërkombëtar Perëndimor, nevojitet t’ia bëjnë të qartë palës maqedonase, faktin se Maqedonia, e mbi të gjitha shqiptarët e Maqedonisë, rreth 30% e popullatës së këtij vendi në rastin më minimal, nuk mund të mbeten më peng i prapanizmave dhe megallomanisë izoluese të një pjese të anës sllave të këtij vendi.

Problemet e brendshme identitare të maqedonasve sllavë, që vijojnë të ngërthehen në dyzime pafund mes të shkuarës sllave  të përbashkët me bullgarët, shartimit të mëtejshëm me shovinizmin serb dhe dashurinë aktuale me Nënën Rusi, duke mbetur në një armiqësi të vijueshme me tërë fqinjët.

 Me bullgarët të cilëve u përvetësohet një pjesë e konsiderueshme e historisë, me grekët, të cilëve u përvetësohet periudha helenistike, me shqiptarët, të cilëve akoma në librat e historisë (që në shkolla mësohen edhe nga nxënësit shqiptarë) u mohohet autoktonia në trojet e tyre, dhe që shihen si qytetarët të dorës së dytë, duke ua nëmur gjuhën dhe të drejtat themelore, por edhe me vetë maqedonasit antikë, të cilët shpallen si paraardhës të trilluar të sllavëve të sotëm të Maqedonisë, duke shpifur një lashtësi tërësisht mashtruese, ndërkohë që në të vërtetë, maqedonasit antikë, me shumë gjasa qenë më të afërt me shqiptarët e sotëm, duke qenë kushërinj të afërt të Ilirëve, sesa me çdo komb tjetër ballkanik të kohëve të sotme.

Kryeministri Zaev, për çështje pragmatizmi realist, duket ta ketë kuptuar se “antikiteti shovinist”, filozofia politike e nacionaliste e VMRO-së, partisë së ish kryeministrit filorus e filoserb, kryesisht antishqiptar të tërbuar, Gruevski, është një vrimë në ujë që Maqedoninë e dënon me bllokim të gjithanshëm dhe pluskim të përhershëm në kënetën e vetëizolimit pafund. 

Për këtë arsye, vmro-istëve, filorusëve, filoserbëve dhe antishqiptarëve që militojnë në radhët e lëvizjes kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë, kundër anëtarësimit në NATO dhe BE të këtij vendi, nevojitet t’u bëhet e qartë se Maqedonia nuk mund të ekzistojë si shtet edhe për shumë kohë në këtë formë, me një pakicë shoviniste që bllokon të tashmen e të ardhmen e një vendi të tërë, përfshirë qindra-mijëra shqiparëve që nuk mund të pranojnë të vijojnë të mbeten peng i orekseve megallomane të këtyre njerëzve histerikë që shpërndajnë veç urrejtje. 

Koha nuk pret, është momenti për të marrë vendime kyçe dhe, veçanërisht faktori shqiptar në Maqedoni, të ngulmojë në orientimin Perëndimor, por edhe në jetësimin e të drejtave të tij kombëtare, duke nisur nga ligji akoma i bllokuar për Gjuhën Shqipe, duke bashkëvepruar me diplomacitë Perëndimore dhe faktorët përparimtarë maqedonas, për të bërë të mundur që hapat e ardhshëm pas referendumit të 30 shtatorit, që shënon veç pikënisjen e shkëputjes së Maqedonisë nga “putra” e Ariut Rus, të jenë të suksesshme dhe efikase, duke ofruar stabilitet e integrim për Maqedoninë dhe tërë banorët e saj, përfshirë shqiptarët. 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0