Dikur...
Myshku i ngjalmët i braktisjes Qëndis muret përreth Dhe zymtësia...
Nga Qazim Muska
Akrepi i Zi
Akrep i vogël me frakun e zi
Të shenjtë e të shtrenjtë të pata në gji,
Portat t’i hapa kanat më kanat,
Akrep i vogël, i zi, me frak.
Dhe ti pa droje, pa brejtje aspak,
Çdo cep e çdo skutë zaptove nga pak.
Nga pak e nga pak zbulove çdo mister,
Me zell të madh, në dritë e në terr.
As kode, as çelësa nuk pati pasur;
Kutia e sekreteve përherë e hapur,
Dhe kur u ndjeva i qetë, pa rrezik,
Pickimin e helmët ta ndjeva, o mik.
Kaminë e ndezur; flakë e plagë,
Gjoksi ku shova mllef e shpagë,
Veç tjetër ish kjo dhimbje nga ti,
Akrep i vogël me frakun e zi.
Dikur...
Thellë në asht
Më shpon trishtimi
Që pikon në ballkonin
Ku dikur
Një shëmbëllim zane
Magjepste si pikturë.
Myshku i ngjalmët i braktisjes
Qëndis muret përreth
Dhe zymtësia
Si në një varrezë të harruar
Vajton elegjinë e saj
Nën drithërimat
E këtij dimri të përzishëm
Ku dallëndyshet harruan foletë
Dhe iken.
Nata
Nata jo gjithmonë është shtrat i prehjes;
Shpesh është qendra e ciklonit
Dhe mendimet janë zogj të hutuar
Që përplasen në shpate të errët.
Është kënetë ku fundoset qetësia.
Është pyll ku hijet ngatërrohen
Dhe gjurmët humbasin në mëndafshin e barit
Si monedha pa vlerë.
Po ti pse erdhe mes kësaj humbëtire
Ku veç tinguj fantazmash dëgjohen
Dhe kandilat ka kohë që janë fikur ?
Asgjë s’mund të bëjë
Drita jote e pakët prej xixëllonje, asgjë!
Vetëm se do më zgjojë të tjera mundime
Në foletë e përgjumura.
Më lër të jetoj këtë vjeshtë
Bashkë me zverdhjet, vyshkjet, shirat
E degëzat e thara
Që, si brejtësit, lajmërojnë cikmën që po vjen.
Nuk e kupton terrin që flet për dritën,
Hijet që flasin për trupat,
Botën që zien si purgator
Mes kësaj nate të plumbtë?!
Nuk i dëgjon zilet e nëntokës
Dhe këto lëkurë gjarpri
Që ndërrohen pa iu ardhur ora ?!
Nuk i sheh si na vishen nëpër këmbë, duar e trup?!
S’e kupton simbolin e kësaj të pathëne të madhe?!
Ti ç’pate që erdhe në këtë pragdimër?
Asgjë s’mund të bëjë zemra jote e vogël, asgjë!
Veç të më shndërrojë në demon
Kur të shoh si shuhet gaca e zjarrit mbi ajsberg.
Atëherë si Hektori do shkoj drejt vdekjes,
Pavarësisht misterit të thembrës antike
Sepse asnjë arsye nuk mund të jetë e arsyeshme pas kësaj
Ndaj me instinktin e ndezur do të shkoj drejt përballjes.
Edhe pse mirë e di që do të jem veç preja e tij.
Comments (0 posted)
Post your comment