Pse e kemi harruar ndryshimin e Kodit Zgjedhor?
Fushata e zgjedhjeve ka trokitur, pavarësisht indiferentizmit që shfaq klasa politike.
Nga Riza Hoxha
Tashmë dihet mirë, data e votimeve për zgjedhjen e drejtuesve të rinj lokalë. Po vetëm kaq dinë shqiptarët, të mbërthyer nga një indiferentizëm i klasës politike që po bën çmos të mos ndryshojë gjë, as në Kodin Zgjedhor. Zgjedhjet lokale kanë trokitur, po iz çuditshëm është indiferentizmi i gjithë klasës politike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Vërtet, pse!? E kemi harruar ndryshimin e Kodit Zgjedhor? Ende të gjithë heshtin dhe nuk duan t’ia dinë se si do të nisë rrjedha e këtyre zgjedhjeve. Të gjithë dinë vetëm të ankohen për çfarë ka ndodhur gjatë afro 30 viteve të kësaj gjysmëdemokracie albaneze, që i ka lënë të çuditur jo vetëm shqiptarët, po edhe gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë. Aq sa na kanë çuçuritur te veshi: More, dini apo nuk dini të vetëqeveriseni ju shqiptarët?
E vërteta është vetëm se, ky Kod Zgjedhor, që ende e kemi nëpër këmbë, vetëm sa i largon shqiptarët nga kutia e votimit. Kjo për shkak se ky Kod e lë gjithçka në dorë kryetarit, e ka kthyer këtë në mbret të Partisë. Në dorë të këtij lloj mbreti është zgjedhja e kandidatit për kryetar të bashkisë, në dorë të mëkëmbësit të tij në çdo bashki është shënimi në listë I secilit këshilltar. Në këto kushte, zgjedhësit thjeshtë i kërkohet të hedhë votën në kuti, sipas dëshirës së kryetarit - mbret. Në këto kushte, shqiptarët po i braktisin kutitë e votimit. Aq sa në zgjedhjet e kaluara në shumë bashki, pjesëmarrja në votime ishte nën 45 për qind. Açik kësaj i thonë: Të na drejtojë minoranca. Ndoshta kjo është arsyeja që me drejtues të minorancës, ndjehet krejt e dështuar reforma administrative. Ka ndodhur kështu së pari, si rrjedhojë e tjetërsimit masiv të votës, gjë që ka sjellë sot pasiguri e kaos në të gjithë vendin. Sa të gjithë mendjen e kanë për të ikur, ndërsa popullsia në të gjithë njësitë administrative të vendit ka ardhur në rënie.
Sot shqiptarët e dinë mirë, se në Shqipëri vota gjithnjë është tjetërsuar gjatë këtyre afro 30 viteve që vetë shqiptarët nuk e dinë mirë se ç’janë tamam-tamam. Edhe pse kjo klasë politike që e kemi mbi zverk prej afro 30 vitesh nuk di të na thotë ndonjë gjë të re, po vetëm po na mashtron se jemi ende në tranzicion, një tranzicion që po na duket i përjetshëm e po na sjell vetëm varfëri e mjerim. Ndërsa açik këtyre me nder politikanë, vetëm pasuri që e kanë plaçkitur, pa u ndëshkuar qoftë edhe një herë.
Ne shqiptarët kemi parë vetëm se asnjëherë nuk kemi zgjedhur njeriun e duhur. Kjo na ka bërë që sot gjithnjë vetëm ankohemi se, “kemi parlamentin më të dobët”, “kemi kryetarin më nopran të bashkisë”. Janë ankesa që i dëgjojmë rëndom nga shqiptarët e zhytur në një varfëri ekstreme. Sikur ne shqiptarët nuk ia kemi idenë si mund të zgjedhim një drejtues, që të na shërbejë e të na zgjidhë shqetësimet dhe hallet tona.
Po sot, shqiptarët nuk arrijnë të zgjedhin vetë ndonjë gjë. Gjithçka ia zgjedhin monstra të çuditshme, që i kanë hypur në zverk e tallen me të si t’ua dojë qejfi. Aq sa sot, shqiptari nuk njeh deputetin që e ka votuar, bile ka raste që nuk njeh as kryetarin e bashkisë. Deputetë, që votuesi i sheh një herë në 4 vjet janë të shumtë nga të dy krahët. Të mbyllua janë edhe dyert e 129 partive politike, që sot u ngjajnë më tepër haleve publike. Aq sa qytetarët e mbytur nga varfëria pohojnë se, as nuk duan t’ia dinë për deputetë, apo drejtues politikë që i ndërrojnë partitë ku militojnë si mbreti gratë.
Fushata e zgjedhjeve ka trokitur, pavarësisht indiferentizmit që shfaq klasa politike. Ajo e di mirë, ajo ka investuar ndër vite duke ndërtuar një gjysmë shtet krejtësisht familjar. Gjithçka në këtë gjysmë shtet është e lidhur me fisin që është strumbullari edhe i partisë. Kështu edhe bashkitë janë të mbushur jo me specialistë, po me familjarë të kryetarit të bashkisë, apo të partisë. Është kjo arsyeja që shumica i është larguar kutisë së votimit, që për shumicën është bërë krejt i neveritshëm pushteti krejtësisht familjar që vetëm për të zgjidhur ndonjë problem nuk ia ka idenë.
Në këto kushte mizerabiliteti të funksionimit të shtetit dhe të pushtetit është i domosdoshëm ndryshimi rrënjësor i Kodit Zgjedhor. Që qytetari të zgjedhë përfaqësuesin e tij dhe jo atë që i do mideja kryetarit të partisë, siç ka ndodhur deri tani. Duhet bërë gjithçka për t’i afruar zgjedhësit me kutinë e votimit. Është një domosdoshmëri, kur tashmë të gjithë e dimë se, pushteti aktual lokal është përfaqësues i pakicës. Sepse në zgjedhjet e kaluara, pjesëmarrja në votime nuk i kalonte të 45 për qind në gjithë Shqipërinë. Në rradhë të parë, ndryshimi i Kodit Zgjedhor duhet të mos lejojë imponimin që zgjedhësi të votojë kë i do mendera kryetarit të partisë, që nesër të mos lejojnë me roje që qytetari t’i afrohet zyrës së tij. Siç po ndodh aktualisht.
Sot, ne shqiptarët e pranojmë se varfëria masive na ka kthyer në dele, që nuk dimë të kundërshtojmë ndonjë monstër që na e kanë vënë mbi krye. Bile ka disa prej shqiptarëve që marrin pjesë në votime nga zori, nga frika se drejtori i kontrollon dhe mund t’i largojë nga puna nëse nuk marrin pjesë në votime.
Tashmë të gjithë shqiptarët e dinë se ç’idiotizma po zhvillohen me shpejtësi në këtë vendin e shqiponjave, ku varfëria po zhvillohet me shpejtësi, ndërsa po humbet burrëria sa hap e mbyll sytë. Aq sa shumica e shqiptarëve janë ftohur nga vota. Sepse gjatë këtyre afro 30 viteve, me hir a me pahir kanë ndjerë se prej votës nuk u vjen asgjë e mirë. Kjo është një e vërtetë, që për turp të zotit, siç po duket ndodh vetëm në këtë Shqipërinë tonë.
Indiferentizmi në këtë prag votimi është i çuditshëm. Edhe pse ne e dimë se deri tani në këtë vendin tonë asgjë nuk rrjedh në brazdën e vet. Përjashto plaçkitjen e pasurisë së këtij vendi nga ca plaçkaxhinj të paskrupullt që vazhdojnë të pashqetësuar të vjedhin çfarë u zë dora. Mjafton çfarë po na tregon Vettingu në Drejtësi. Sikur ai të kryhet edhe në politikë do të shohim me tmerr se ç’monstra kanë mbushur hale - politikën shqiptare. Në gjendjen që ndodhemi, është i detyrueshëm ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Vetëm pas këtij ndryshimi mund të nisë starti për një fushatë zgjedhore, që mund t’u kujtojë shqiptarëve se gjithsesi duhet të votojnë. Pasi shumë prej tyre, të ndodhur nën hyqmin e plaçkaxhinjve kanë harruar se për çfarë duhet të votojnë.
Siç është sot Shqipëria, për çfarë të votojnë? Në pushtet do të mbetet në mos njëri, tjetri pushtet nepotiko - familjar, përfaqësues i klaneve familjare deri edhe mafioze që e kanë shkatërruar sot krejtësisht Shqipërinë. Sot, të gjithë e dimë të vërtetën, që ka bërë që popullsia të shkojë duke rënë me një shpejtësi sa vetë OKB thotë me shqetësim se, në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë do të mbetet vetëm 800 mijë banorë. Pra, do të mbeten vetëm 2 familjet që alternojnë sot pushtetin, ndoshta duke e kthyer Shqipërinë në një shtet qesharak, me të cilin do të tallen të gjithë. Zaten miqtë kanë nisur të tallen me këtë gjysmë shtet prej kohësh. Është kjo arsyeja që miqtë e mirë na kërkojnë medoemos ndryshimin e Kodit Zgjedhor, para startit të fushatës elektorale .
Comments (0 posted)
Post your comment