Kauza kombëtare, si shpëtim nga politikat antishqiptare!
Kauza e vetme që largon gangrenën tonë politike dhe morale, është kauza kombëtare!
Nga Besi Bekteshi
Është e vërtetë se streha e fundit e korrupsionit është ngritja në piedestalin e një kauze kombëtare dhe shtirja si - nacionalist! Por është po kaq e vërtetë, që kauza kombëtare rifut në ardhmëri dhe nxjerr nga dëshpërimi, një shoqëri e cila e ka tepruar si me elitat e saj dhe me shpërdorimin e lirës dhe demokracisë! Për afro tridhjetë vite të dalë nga diktatura, ne kemi shpërdoruar gjithçka! Kemi krijuar "ishullin fantazëm të korrupsionit, anti demokracisë, drejtësisë së munguar dhe politikës irracionale deri anti kombëtare"! Si elita politike, ajo intelektuale dhe njerëzit poshtë janë në një vorbull pa kohezion shoqëror, në ilaritet drejtësie imorale dhe në pasurim të një pakice shumë pakicë, për të dëshpëruar një shumicë përditë dhe më shumicë! Si në vertikalen tonë shoqërore dhe atë horizontale të deprimuar, jemi në error të plotë politik dhe filozofik! E para, sepse kemi kuptuar lirinë ekonomike si "rënie në qafë të njëri tjetrit"! E dyta, se ligjin e konsiderojmë si urdhër gabim, të barabartë për kohën e Enverit! Së treti, se aspektin kombëtar e kemi transformuar në flamur që ngrihet kur luan kombëtarja dhe për të shitur mend si folklorikë dhe jo si patriotë! E katërta, sepse hamë dhe vishemi më mirë, por mendojmë dhe punojmë më keq! E pesta, se na mungon përbërësi qytetërim, mes nesh dhe përballë Europës! E gjashta, se akoma kemi armik veten! E shtata, se kemi rrëzuar bazamentin arsimor edukativ, në nivelin më të ulët shoqëror, që me krijimin e shtetit të parë shqiptar real, të vitit 1920! E teta, se kemi lejuar fuqi historikisht armike të kombit, të fuqizojnë dhe intensifikojnë përpjekjet, për të çorientuar besimin tonë kombëtar për të ardhme shqiptare të përbashkët! E nënta, se kemi rritur një brez me interesa të vogla kombëtare! Dhe e fundit, ose e dhjeta, se kemi tre dekada që si shoqëri nuk jemi të zot të ndërtojmë për veten tonë, shtet ligjor e demokratik!
Për të mos vazhduar më me folklorizmin tonë si në politikë dhe ekonomi, na duhet një kauzë e madhe, për ti bërë ballë hemorragjisë së largimit të njerëzve nga Shqipëria! Po ikin përditë, po boshatiset Shqipëria nga veriu në jug! Shqiptari sot nuk duron dot, jo vetëm qeverisjen dhe opozitën, por nuk duruan as veten! Nuk duron jetën në mungesë të theksuar të qytetërimit! Nuk duron pasigurinë në ekonomi dhe jetë, nuk duron arrogancën e administratës e cila nuk duron dot as veten, nuk duron dot arrogancën e privatit dhe pronarit, nuk duron pagën si në Afrikë dhe kërkesën e standarteve si në Danimarkë, nuk duron dot mungesën e anës sociale reale dhe njerëzore, nuk duron dot drejtësinë e gjyqeve farsë dhe akuzave idiote! Tashmë histeria e largimit dhe kushteve për t’u larguar po godet anën kombëtare! Regjimi kriminal komunist, e la vendin me 3.3 milionë banorë, kurse regjimi korruptiv i demokracisë e katandisi në 2.5 milionë dhe me mungesë të lindjeve, e prezencë akoma më të madhe të pleqve në sasi impresionante të barabartë me botën e plakur perëndimore! Kjo tani është një hemorragji, e cila godet drejt për së drejti kombin shqiptar! Politikat irracionale, grindjet politike, korrupsioni, krimi dhe pasiguria ligjore dhe financiare, po largojnë njerëzit nga Shqipëria! Lufta pa principe morale dhe demokratike në politikëbërjen e shqiptarëve, është akoma më e keqe se ajo që kemi bërë me armikun në kohët moderne! Elita e sotme politike është më e degraduara moralisht në aspektin demokratik, por akoma më keq në aspektin kombëtar!
Çfarë mbetet? Të pritet SPAK dhe BKH!? Është shumë pak! Por dhe shumë vonë! Kjo shoqëri ka nevojë për një kauzë të madhe e cila ti bashkojë! Jo vetëm Shqipërinë, por shqiptarët dhe kryesisht Kosovën! Kauza e vetme që largon gangrenën tonë politike dhe morale, është kauza kombëtare! Ajo e kapërcen atë, e tejkalon! Sigurisht që kjo elitë nuk është e sigurtë për këtë kauzë! Brenda saj, ka individë që kanë bërë punën e armiqve tanë, pa pasur shumë nevojë për pjesëmarrjen e tyre! Ajo mund të jetë pjesë e vorbullës, por kauza kombëtare, nuk është domen i saj! Prej kohësh tashmë dihet se integrimi jonë në Europë, do të jetë tepër i vështirë për dy elementë! I pari, elementi politik i brendshëm i cili "punon për vete dhe interesat e armiqve tanë kombëtare" dhe elementi dytë, BE-ja që do të vonojë integrimin deri sa ta çojë punën te modeli turk që ka tre dekada zgjatje e stërzgjatje, e që asnjëherë nuk do të pranohet! Por klubi lart Europian, besoj e njeh mirë historinë e ballkanasve" E di se aty plas gjithçka! Nis gjithçka dhe kryesisht jo për mirë! Sidomos te shqiptarët! Te shqiptarët nisi shpërndarja e perandorisë në Ballkan dhe po ashtu e ish Jugosllavisë, dhe koha ka treguar se të gjitha këto dhe me pabesitë në Europë, kanë rritur bashkimin kombëtar! Kauza e sotme është pikërisht dhe amaneti i madh i 1912-tës! Si në Europë dhe jo në Europë, sot ka ardhur dita e thënies me forcë, rivendikimit me guxim dhe planifikimit të përbashkët mes shqiptarësh, të arritjes së plotësimit të "amanetit" ose qëllimit final kombëtar, që është trojet dhe modeli i përbashkët shqiptar në gradualitetin logjik, por në të thënën kombëtare, zbatimin financiar dhe ekonomik përherë e më të shpejtë dhe të fortë! Boll me histeritë nacionaliste greke, serbe dhe kudo qofshin afër nesh! Ne nuk kemi nevojë për histeri nacionaliste! Ne kemi nevojë, për kauzë politike dhe kombëtare bashkë, të cilat na pastrojnë hilexhinjtë dhe të korruptuarit dhe nisin punën disa vjeçare për kombin e unifikuar shqiptar! Në këtë proces dhe me ndihmën nga jashtë - si interesaxhinjtë jo kombëtare dhe ato të korruptuar politikë, do të largohen, sepse nuk e mbajnë dot mbi supe kauzën e madhe kombëtare shqiptare! Maskarenjtë, hajdutët dhe të inkriminuarit, nuk mund të ndjekin kauza kombëtare dhe të jenë patriotë, kur kanë vjedhur dhe rrënuar popullin e tyre! Kurse kauza e madhe kombëtare sëbashku me integrimin kompatibël me të, janë shpëtimi nga elita dhe establishmenti politik i degraduar dhe pa moral kombëtar. Sepse kjo e deritanishmja është politike fatkeqësisht anti shqiptare!
Tentativat për të dalë në këto terma, kanë disa kohë që dalin nga lidershipet! Edhe dje, edhe do të dalin sërish! Në fakt, kjo kauzë duhet bërë dhe lëvizur nga shoqëria shqiptare, ajo kosovare dhe kudo ku ka shqiptarë! Politika ka paralel dhe rrugën e pastrimit nga krimi dhe korrupsioni për të cilën tashmë bota është shumë e interesuar dhe po ndërton mekanizmat e vetë ligjor për ta kryer me sukses! Ky është pikërisht dhe momenti për kauzën e madhe kombëtare, e cila nuk toleron dot as ndasi as pabarazi dhe po ashtu as lëkundje në krahët politikë sipas orekseve dhe pasurimit të lidershipeve të programuar për hajni dhe imoralitet politik! Sigurisht edhe këtë kauzë ato që janë të vendosur për krim dhe korrupsion do ta sabotojnë! Por kauza mbetet dhe është e vetmja që nga pastron dhe rregullon!
Comments (0 posted)
Post your comment