Një vend jo aq i bekuar
Në fund – edhe në politikën aktuale amerikane gjithçka është biznes. Dhe ky është lajm i keq për botën.
Nga Enver Robelli
Amerika nga një vend i mundësive të pakufizueshme nën Donald Trumpin është bërë një vend i përçarë, me një klasë politike të polarizuar, me debate ku e vërteta luan gjithnjë e më pak rol.
Si ministre e Jashtme Hillary Clinton kishte bërë një gabim. Emailat zyrtarë i kishte dërguar nga emaili privat. Republikanët e kritikuan ashpër për këtë veprim, ndërsa Donald Trumpi e shihte si një dëshmi më tepër se demokratët janë të papërgjegjshëm, nuk dinë të qeverisin, madje janë të pabesë, sepse bëjnë politikë pas shpinës. Dhe a kishte shembull më “të mirë” se ky me emailat e Hillary Clintonit? Tani është bërë e ditur se Ivanka Trump, vajza dhe këshilltarja e presidentit, po ashtu ka dërguar emaila zyrtarë nga emaili privat. Presidenti tha se letrat elektronike të vajzës së tij nuk mund të krahasohen me ato të Hillary Clintonit. Ditën e mirë, me kaq pak fjalë i përfundon debatet e pakëndshme Trumpi. Po i njëjti gjatë fushatës elektorale për president e quante Hillary Clintonin “një rrezik për mbarë vendin”. Edhe ky rast, kjo aferë me Ivanka Trumpin dhe me standardet e dyfishta që përdor Trump tregon se Amerika nga një vend i mundësive të pakufizueshme nën Donald Trumpin është bërë një vend i përçarë, me një klasë politike të polarizuar, me debate ku e vërteta luan gjithnjë e më pak rol.
Rol luajnë fjalosjet në dukje banale në Shtëpinë e Bardhë. Zonja e Parë Melania Trump së fundi kërkoi hapur largimin e një zyrtareje të lartë nga Shtëpia e Bardhë. Në një komunikatë Melania Trump shkroi se zëvendëses së këshilltarit për siguri nacionale Mira Ricardel nuk i takon më nderi të shërbejë në Shtëpinë e Bardhë. Arsyet mbetën të paqarta. Mira Ricardel është me origjinë kroate. Babai i saj Peter Radieloviq erdhi në SHBA në vitin 1954. Mira Ricardel ka shërbyer në administratën e presidentit Ronald Reagan dhe ka qenë ndihmëse e Robert Dolit, mbështetësit të madh të Kosovës. Në administratën e presidentit George W. Bush Mira Ricardel shërbeu në postin e “Assistant Secretary of Defense for International Security Affairs” dhe këshilltare. Në vitet ’90 është përshkruar si grua me shumë ndikim në politikën amerikane ndaj Ballkanit. Qarqet serbe e kanë akuzuar se ka ndikuar që Robert Dole të ketë qëndrime të qarta “antiserbe”. Në të vërtetë, qëndrimet e Dole kanë qenë përherë konsekuente kundër politikave agresive të presidentit serb Slobodan Milosheviq. Sidoqoftë, komunikata e Melania Trump, e cila është me origjinë sllovene, ka mjaftuar që Mira Ricardel të largohet nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka bërë të ditur se Ricardel do të ushtrojë një rol të ri në administratë.
Një këshilltar të sigurisë Trumpi e ka larguar, sepse nuk i pëlqenin kostumet e tij; për ministrin e Mbrojtjes, James Mattis, ka thënë se dyshon se është demokrat, andaj mund të jetë vetëm çështje kohe kur edhe Mattis duhet të largohet, ashtu si Jeff Sessions, ministër i Drejtësisë, ose më herët: Hope Hicks, shefe për komunikim e Shtëpisë së Bardhë, e cila ishte përzënë pas vetëm 6 muajsh qëndrimi në post. Dina Habib Powell, zëvendëskëshilltare për siguri nacionale, u largua për “arsye familjare”. Powell, e lindur në Egjipt, angazhohej për kontinuitet të politikës amerikane në Lindjen e Afërt. Atë e trashëgoi në post Nadia Schadlow, por ajo dha dorëheqje menjëherë pasi u takua me këshilltarin e ri për siguri nacionale, John Bolton.
Kështu shkojnë gjërat tani në Shtëpinë e Bardhë, shumë ideologë, misionarë e biznesmenë si Trumpi, i cili, siç shkroi një kolumnist i “New York Times” politikën e sheh si “Black Friday”, ku shitet gaz, naftë e moral. Por sidomos pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka qenë vetëm fuqia ushtarake dhe ekonomike që e ka bërë Amerikën të madhe, por edhe vlerat etike e morale që ka mbrojtur në botë. Diçka e tillë duket se po zbehet përfundimisht.
Dhe kjo shihet edhe në reagimin e Trumpit në lidhje me rastin e Jamal Khashoggit. CIA, shërbimi sekret amerikan, ka ardhur në përfundim se vrasja e gazetarit Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll nuk është bërë pa dijen e princit të kurorës Mohamed Bin Salman. Presidenti Donald Trump me gjasë situatën e sheh pak më ndryshe. Në një deklaratë ai së pari nënvizoi partneritetin e palëkundshëm mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite, pastaj tha se ndoshta princi e ka ditur se po përgatitej vrasja e Khashoggit, por ndoshta nuk e ka ditur!
Politikanët demokratë kanë deklaruar se nga janari, kur do të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, do të hetojnë lidhjet biznesore të Trumpit me Arabinë Saudite. Trumpi u përgjigj se për këtë as që bëhej merak. Bob Corker, senator republikan në largim, tha se nuk ka mundur ta marrë me mend se Shtëpia e Bardhë do të bëhej agjenci reklamash për princin e kurorës të Arabisë Saudite. Kolegu i tij Rand Paul, tha se deklarata e Trumpit tregon se politika e tij nuk është “Së pari Amerika”, por “Së pari Arabia Saudite”. Trump u lavdërua se vitin e kaluar e ka bindur Arabinë Saudite të investojë 450 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. Në fund – edhe në politikën aktuale amerikane gjithçka është biznes. Dhe ky është lajm i keq për botën./koha
Comments (0 posted)
Post your comment