Liderët dhe Dhjetorët
Po dhjetoristët e 1990-ës ku janë? Cili prej tyre është sot në kupolën e opozitës?
Nga Bardhyl Bejko
Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të tjera është një përpjekje fare i pabazuar dhe pothuaj e kotë. Realitetet janë të ndryshëm nga njëri dhjetor në tjetrin. Motivi i lëvizjes së dhjetorit 1990 ishte përmbysja e sistemit komunist dhe Shqipëria si gjithë Europa. Të rinjtë edhe në atë dhjetor të tre dekadave më parë, ishin të paqtë dhe asnjëri prej tyre nuk mori ndër duar asnjë shishe, asnjë letër, asnjë gurë apo bisht kazme a tabele kundër policisë dhe organeve ligjzbatuese. Së paku në fillim pa futur duart ustallarët e politikës. Edhe pse ishim ende nën diktaturë. Kjo paqtësi deri sa në mes u fut politika e ardhur shumica nga nomenklatura që po binte me të tjera qëllime nga idealistët e atij dhjetori i dha një rrjedhë tjetër vetë lëvizjes, duke përvetësuar tërë resurset që sillte një përmbysje e madhe epokale që po ndodhte pas 46 vitesh, ku shqiptarët mbajtën mbi shpinë “Gurin e Sizifit” dhe u stërmunduan për ta ngjitur në qiellin e lumturisë së premtuar. Në kërkim të një jete më të mirë, e cila mbeti fatkeqësisht veç një iluzion. Dhe ishte brezi i ri, bij të atyre që sollën ndryshimin në Luftën e Dytë Botërore, që kërkuan ndryshim rrënjësor dhe shpalljen e pluralizmit. Kuptohet, të rinjtë nuk kishin parasysh atë që do ndodhte. Ata vërtetë kërkuan ndryshim sistemi, po njëherësh nuk mund të përfytyronin të zëvendësonin një tufë bllokmenësh me ca të tjerë, që në ndryshim nga të parët rrëmbyen gjithçka të vyer të Shqipërisë. Dhe ata që thërrisnin për një “Shqipëri si gjithë Europa” të rinjtë, jo vetëm që nuk ecën në këto shtigje, po e bënë edhe më lëmsh një popull të tërë, i cili u zhgënjye shumë shpejt.
Po t’u hedhësh një sy ndryshimeve radikale që erdhën pas 1990-ës, bindesh se më shumë fituan zaptuesit e lëvizjes se sa vetë ata që bënë lëvizjen. Produkti i një uragani të vërtetë, i cili pritej të sillte shumë zhvillim, më shumë liri, më shumë arsimim, më tepër mirëqenie, solli vetëm privilegje për ata që përfituan nga kjo përmbysje. Të parët, ata që uzurpuan lëvizjen dhe radhazi më të guximshmit që rrëmbyen çfarë mundën nga pasuria kombëtare. Nëse u hedh një sy pasanikëve të rinj, me përjashtime të vogla u bënë të parë ata që nuk punuan asnjë ditë, sikundër u vendosën në krye të institucioneve që nga drejtësia deri tek policia, shumë prej atyre që nisën punën e parë si drejtorë e ministra e më lart pa asnjë përvojë shtetformuese apo organizimi të ekonomisë. Klasa e specialistëve u shty në greminë dhe në krye të institucioneve u vendosën ata që zanat kishin mekanikën apo militantizmin e spikatur. Historia e promovimit të zyrtarëve u bë e sponsorizuar, jo nga meritokracia, po nga abuzivizmi dhe lidhjet e forta me partitë që rrëmbyen pushtetin dhe që për këto 30 vjet nga radhët e tyre u lindën e u rritën milionerët e supermilionerët, të cilët biznes të vetëm patën politikën. Ato biznese të ardhur nga politika, që sot kanë pasuri të pafundme edhe pse bëjnë si mirënjohës të dhjetorit 1990 nuk kanë asnjë vend për të kërkuar privilegje nga dhjetorët e radhës, qoftë edhe ky i tanishmi ku studentët kërkojnë ndryshime deri sot të fushës së mirëqenies dhe lehtësirave financiare, po ku i dihet nesër edhe me kërkesa në politike.
Pikërisht për të ruajtur privilegjet e 28 vjetëve, të parët rendin sot për të barazuar protestën e lëvizjes së dhjetorit 1990 me atë të këtij dhjetori. Të parët që vrapojnë pas protestës janë krerët e opozitës. Është Lulzim Basha e Monika Kryemadhi. Është Sali Berisha dhe paksa më i moderuar si i unitetit kombëtar që është edhe Presidenti Meta. Të gjithë me thirrjen dhe urimin që u del nga shpirti. Rrofshin studentët e 2018-ës! Në mitingun përkujtimor në qytetin “Studenti” në ditën e rinisë, atje nga nisi edhe revolucioni i përmbysjes së sistemit të kalbur komunist ata po bëjnë të njejtën gjë dhe u dërgojnë selam protestuesve të dhjetorit të dytë. Kur panë se studentët qëndrojnë larg ustallarëve të përfitimit dhe mbajnë ndaj tyre të njejtat qëndrime sikundër edhe ndaj atyre që sot janë në mazhorancë dhe paraqesin ditë për ditë kërkesa të ndryshme, vrapojnë të dërgojnë në radhët e studentëve emisarët e tyre. Kështu, Kryetari i Lëvizjes Rinore të LSI, (LRI) të Kavajës Dërvishi, lëshon ultimatume në emër të studentëve, duke vënë afate dhe bën kërcënime në emër të forcës politike që i përket. Ashtu sikundër sekserja e PD-së, deputetja, Bardha Kadiu kërkon të bëjë të vetën protestën e studentëve të Universitetit të Durrësit. Këta emisarë të infiltruar, bashkë me disa individë të tjerë të kamufluar bëjnë sikur kërkojnë zgjidhjen e halleve të studentëve, kanë në objektiv të tyre ta drejtojnë këtë masë studentore drejt interesave të partive që përfaqësojnë. Duke e gjykuar veten si të pafajshëm dhe mbështetës të njerëzve në nevojë, si politikanë që i kanë sjellë këtij vendi veç të mira dhe u kanë qëndruar studentëve pranë në çdo zgjidhje që ata kanë kërkuar në tërë këto vite, si të ishin prindër të dhimbsur të studentëve që vijnë nga skajet e vendit, përpiqen të uzurpojnë lëvizjen e studentëve.
Po dhjetoristët e 1990-ës ku janë? Cili prej tyre është sot në kupolën e opozitës? A janë ata që kanë mbetur të denjë për të qenë shembulli që duhet ndjekur? A kanë të drejtë morale disa individë, vetëm se janë në opozitë të bëjnë sikur protesta është pro tyre, kundër pushtetit të sotëm në një kohë kur nuk munden të vendosen mes studentëve dhe këtë e pamë edhe në ndarjen e atyre që festojnë dhe atyre që protestojnë? A nuk e dinë të rinjtë tanë se cilët janë bosët e rinj që kanë nga dhjetë e më shumë shtëpi, resorte e pallate, fëmijët në universitetet më të shtrenjta të botës që kanë arritur të kenë miliona jo me nga puna po nga biznesi me politikën e ditës? A janë vërtetë aq naivë fëmijët tanë të edukuar në demokraci, sa të gjykojnë se pjesa klasës politike në opozitë është e denjë ti dorëzohet sot pushteti dhe garancia për një jetë më të mirë arrihet brenda ditës sa hap e mbyll sytë prej atyre? A nuk e dinë studentët tanë se së paku në këto gjashtë vjet, janë hedhur disa hapa dhe janë bërë disa zgjidhje të cilat as mund të përfytyroheshin vite më parë kur në fron ishin ata që sot brohorasin dhe thurin lavde studentëve në protestë? Do doja që si tërë qytetarët shqiptarë, studentët të mos bien pre e zërave të sirenave të Odiseve të sprovuar që nuk kanë asnjë qëllim tjetër veç barazimit e grabitjes së çdo dhjetori, jo për rininë, po për partinë e familjet e tyre për të ruajtur ato që kanë fituar dhe për ti shtuar edhe më shumë. Studentët nuk kanë dalë për opozitën. As për mazhorancën. Ata kanë dalë për të treguar se kërkohet tjetër qasje në menaxhim e në tërë jetën politike e ekonomike të Shqipërisë. Tek e fundit, Shqipëria është e të gjithëve dhe jo vetëm e disave. Aq më pak e atyre që tërë të mirat e dhjetorëve i duan për vete! Ashtu sikundër edhe vetë studentët në protestë nuk mund të pretendojnë zgjidhje magjike. Aq më pak ti thonë jo dialogut dhe debatit sy më sy me shtetin. Atdheu është i të gjithëve. Dhe shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë po të gjithë në këtë tokë.
Comments (0 posted)
Post your comment