Home | Politics | Riciklimi i ishëve

Riciklimi i ishëve

image
 Qeveria patjetër të bëjë një rifresh të shpejtë e të mbrojë lirinë e qytetarëve, pluralizmin...

   

 

Nga Bardhyl Bejko

 

U desh lëvizja studentore të dilnin në sipërfaqe tërë ata që kërkojnë të riciklohen në politikë në biznes, në pushtet, në karrierë, në drejtësi, në media, në tendera, kudo. Të parët u shfaqën ish dhjetoristët e parë të 1990-ës. Ish kryeministra, ish deputetë e deputetë aktualë, ish rektorë e dekanë në detyrë, të zgjedhur nga votat e influencës politike në krye të piramidës arsimore. Profesorët, të cilëve u kemi besuar edukimin e të rinjve. Të shpalosin projektet e tyre gojëkyçurit e derisotëm, profesorët e drejtimit të universiteteve që janë thelbi dhe shkaku i revoltës studentore se janë ata mbretërit e pashpallur të këtyre qendrave të rëndësishme të edukimit dhe përgatitjes së specialistëve të ardhshëm. Ata duket sikur nuk jetojnë të sotmen si të jenë jashtë tërë kësaj revolte. Asgjë nuk i prek asnjëri nga studentët nuk u duket prodhimi intelektual i tyre. Ata që kanë drejtuar universitetet më të rëndomta, jo vetëm në Shqipëri, po në tërë Europën që nga Kule deri tek Koni e “profesorë” të tjerë supermilionerë bëjnë sikur tu mungoi buka e gojës edhe ata e trajtojnë veten të viktimizuarin nga regjimi “Rama”. Nuk kanë sot guximin të dalin para studentëve. T’u flasin. T’u premtojnë zgjidhje. E konsiderojnë këtë lëvizje sikur bëhet jo nga produkti i tyre po nga ufot. Të japin dorëheqjen. Të ulin kokën. Të kërkojnë falje. Të ikin në shtëpi se sollën këtë situatë pikërisht ata që janë atje për të formuar të rin të denjë, djem e vajza në shërbim të vendit.

 

Po në qendër të protestës së studentëve, kuptohet janë ulur këmbëkryq politikanët. E para “Doktore e shkencave ekonomike” Monika Kryemadhi e cila i ka dhënë politikës maksimumin me stilin e saj të “moderuar” me shembujt e komunikimit në parlament me “armët” që ka përdorur pa mbetur mënjanë profesori Malltezi e në radhë “studentët” e tjerë si ata që përgatitën ngjarjet e dy prillit në Shkodër e profesionistët e protestave të kudondodhurit si Lushaj, polici bashkiak Hoxha e shumë të tjerë që në tërë këto vite që jetojmë janë shndërruar në kryespecialistë për t’u dhënë drejtimin që duan gjithë lëvizjeve edhe asaj studentore. Mënjanë nuk qëndruan fëmijët e të ndjerit Azem Hajdari. E bija më e kultivuar kërkoi të qëndrojë jashtë PD-së pasi u bë deputete, një vendim që nuk mund të paragjykohet dhe Azemi i vogël, i biri që nxit përplasjen me qeverinë duke qëndruar përball zyrës së kryeministrit. Të gjithë duan të riciklohen. Edhe marksistët e rinj kërkojnë riciklim duan të ringjallin ideologjinë e tyre, të kthejnë sistemin për gjithçka falas. Shkollim pa para. Udhëtim gradis. Naftë pa lekë. Me një fjalë komunizëm të ri. Ashtu siç veprohet në natyrë e gjithë sistemin e biouniversit, në jetën e përditshme deri në galaktikë për të mira e të këqija edhe gjatë këtyre ditëve ajo që shpaloset me të madhe dhe zë kryen e vendit është riciklimi i gjithë ishëve. Militantët e PD dhe LSI janë të parët që duan riciklim. Ata nuk mund të qëndrojnë në pritje që dikush tjetër veç tyre të përfitojnë nga ajo që kanë në mend pra përmbysja me dhunë e pushtetit nëpërmjet mekanizmave ekstra, duke shfrytëzuar revoltën e studentëve. Po dita e tetë e protestës studentore, pikërisht në kulmin e “Reformës në Drejtësi” ditën kur do votoheshin organet e reja të drejtësisë dhe do dalin në pension ata që e kanë drejtuar deri sot këtë sistem e cila i ka nxirë jetën çdo shqiptari, riciklimi, dalja në ballë e tërë atyre që i kanë bërë gjëmën këtij vendi, kërkuan të shesin protestat e tyre me bllokim të kryqëzimeve të rrugëve e djegie gomash duke u maskuar si studentë. Vini re në Shkodër, Lezhë, Kavajë, atje ku bashkitë i ka PD, thyerja xhamash në prefekturë se ajo është e qeverisë e tërë metodat që i kanë përdorur në këto tri dekada. Bllokuan rrugë e kryqëzime për të lënë përshtypjen se jemi para një revolucioni të madh. Po nëse i hedh një sy revolucionarëve të darkës së 11 dhjetorit nuk ka shumë vend për të fantazuar as për të vrarë mendjen. Janë levat e PD dhe mbështetësit e Monikës e cila si “Doktore e shkencave” me kopje nën udhëheqjen e Rektorit të përjetshëm Dhori Kule i ka dhënë shkencës shqiptare një metodologji të re e cila ka përmirësuar “sigurimet shoqërore” jo vetëm në aspektin ekonomik, po edhe atë juridik. Edhe sot kur duan të na imponohen me madhështinë e protestave, ajo që duket fare açik është se masat e gjera nuk janë aq pa kujtesë sa të kenë harruar, 1990-ën dhe 1997-ën, kur shteti ra dhe në krye dolën banditët që e zhvatën këtë vend me gjithçka. Është koha kur populli në emër të së cilit flasin të gjithë ata që ëndërrojnë të riciklohen dhe të fitojnë privilegjet e humbura të jetë vigjilent. A mund të harrojë ky popull, rrumpallën që pësuam kur u treguam pa mend dhe e mbytëm vendin me revolta e protesta që në atë kohë kishte dhe një urrejtje të jashtëzakonshme pasi regjimi i kohës futi dorën në xhepat e gjithsecilit dhe poshtërimi e sundimi kishte arritur kulmin dhe doemos duhej përmbysur, po bashkë me regjimin u përmbys gjithçka dhe pushtetin e morën në dorë bandat. A mund të harrohet se këta, ca individë karrikehumbur, duan riciklim që mbi supet tona, mbi mendjet tona, mbi kryet e fëmijëve tanë, mbi jetët tona të lodrojnë ata që dogjën bibliotekat e komisariatet, hapën burgjet dhe derdhën llumin në rrugë e sheshe, dogjën e plaçkitën depot e armëve dhe rezervave dhe rrafshuan tërë vendin? A nuk duhet vigjilencë nga ca individë që janë profesionistë të shkatërrimit, që edhe tani kërkojnë riciklim me çdo kusht të rrëmujës, gjoja në emër dhe interes të studentëve? Po vetë studentët, a do pranonin që t’i drejtoheshin shkatërrimit dhe akteve të dhunës? A nuk e kuptojnë studentët tanë se shumë prej atyre që kanë zënë kryet e vendit në media e në tubime, në podiume, ca super opinionistë milionerë, drejtues të televizioneve kombëtare, ca gazeta që i vunë flakën me ekstremizmin e tyre në 1997 Shqipërisë duan edhe këta të riciklohen? Deri sa studentët ishin në një mendje së paku në dukje në një protestë pa politikë të gjithë ishim me ta. Dhe jemi ende. Po kur u bënë katër pjesë dhe kanë katër udhëzues, a mund të themi se mbeten jo politikë, parullë e cila u dashurua nga të gjithë? A nuk e kuptojnë studentët tanë se ricikluesit, ekspertët e përjetshëm të shesheve kanë hallin e tyre dhe jo të baballarëve të studentëve që rropaten nëpër ara e miniera për jetën e tyre? A mundet të mbeten studentët skllevër të atyre që u thonë të mos pranojnë dialog, debate në emër të zgjidhjes së shqetësimeve të tyre po duan t’i përdorin si plaçkë vetëm për riciklim të interesave të tyre? Dhe ndonjëra prej studenteve të deklarojë nuk duam zgjidhje po duam të bëjmë historinë? Po cilën histori?

 

Të gjithë këto ditë i kemi pasur sytë dhe mendjen në protestën e studentëve dhe jemi për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre, po kurrsesi për hallet e pushtethumburve të cilët janë maskuar në mes të grupimeve studentore për axhenda të tjera. Synimi i tyre është riciklimi i PD dhe LSI-së në rrëmbimin e posteve i atyre që kurrë nuk duan reforma e shtet, atyre që duan vetëm rrëmujë dhe të fitojnë duke dredhur zinxhirin pa djersë, pa punë, qoftë edhe atyre studentëve që e duan diplomën ende me siglën e “Kristalit”. Në këtë aksion riciklimi të gjithë ishëve, shteti duhet të shikojë përtej fasadës. Policia dhe organet ligjzbatuese kurrsesi të mos ngatërrojnë ricikluesit me studentët. Qytetarët tanë nuk ka pse bëhen mish për top, për interesa që nuk janë të tyre s`ka pse sakrifikojnë për pasuritë e kryebashiakëve e ministrave të larguar e aktualë qejfmbeturve, të larguarve me votë, pasanikëve të politikës, atyre që qëndrojnë në krye të piramidës shtetërore dhe u duket se janë korifenjtë e së drejtës dhe zhvillimit, ngatërrestarëve të gjithçkaje. Qytetarët tanë duhet të mendojnë për sot e nesër. Dhe mbështetja e ca militantëve që duan rrëmujë dhe groposjen e popullit, atyre që në çdo lëvizje llogarisin vetëm si të riciklohen duhet ti lërë në vetminë e madhe.

 

Qeveria shqiptare ka ç`të ndryshojë. Të përmirësojë. Në themel të punës së saj duhet të vihen interesat e njeriut. Te jetë në interes të fermerëve e pensionistëve. Të shtresave më në nevojë. Në shërbime, në shëndetësi e arsim veçanërisht. Qeveria patjetër të bëjë një rifresh të shpejtë e të mbrojë lirinë e qytetarëve, pluralizmin, jo të lërë të bëjnë hynere e të riciklohen ata që bënë 1997, 1998, e çdo prapësi në këtë vend. Tani, jo më vonë. Po shqiptarët kurrë nuk dihet të harrojnë se ricikluesit, të eturit për pushtet, jo me votë po me revoltë duhen mbajtur larg.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0