Fjalimi i deputetit Shehi në Kuvend
Shehi: Askush s’e blen dot të kaluarën! Kush ka ardh nga llumi, në llum do shkojë!
Deputeti Dashamir Shehi ka lëshuar akuza të forta ndaj shumicës në fjalën e sotme në seancën plenare.
Shehi tha se në sallën e parlamentit ka shumë deputetë të pasur për një vend të varfër si Shqipëria dhe se vettingu në politikë është i domosdoshëm për të pastruar parlamentin dhe politikën nga deputetët me lidhje me krimin.
“Rrini të qetë se përtej pasionit të Berishës, nuk ka për të marrë njeri armët. Ishte koha dikur që disa nga ne këtu të merrnin armët por nuk e bënë këtë. E bëmë reformën në drejtësi sepse drejtësia e djeshme nuk i përmbushte nevojat. Situata është e jashtëzakonshme prandaj duhet vettingu në politikë dhe masa të jashtëzakonshme.” – tha Shehi.
Më tej Shehi tha se vettingu në politikë do shërbejë për pastrimin e klasës politike pasi problematika në vend është e jashtëzakonshme pasi mafia është ulur këmbëkryq.
“Ne kemi dyshimet tona për drejtësinë që keni bërë ju dhe kemi gjithë të drejtën për këtë. Edhe ata që janë në KLGj e KLP janë njerëzit tuaj por koha do e tregojë nëse do bëjnë drejtësi apo do jenë në shërbimin tuaj. Në këtë sallë jemi shumë njerëz që kemi vjedhur. Në këtë sallë ka më shumë pasanikë sesa mund të ketë parlamenti i një vendi të varfër.
Duhet kthyer besimi ke politika, ndryshe gjithë gjërat që kanë të bëjnë me politikën nuk kanë asnjë lloj vlere. Këtu përballë kemi një vend më shumë probleme si Italia. Një vend i infetkuar nga mafia, por ka 40 vjet që lufton me mafian. Herë fiton shteti herë mafia, por ama bën luftë. Kurse këtu tek ne mafia është ul këmbëkryq.”
Deputeti theksoi se përpjekjet e shumicës për të mos bërë vettingun në politikë janë në fakt një justifikim për zullumet e saj pasi shumica e ka pasur gjithë kohën për të pastruar politikën nga të korruptuarit.
“Justifikimi se edhe ne kemi qenë në pushtet e nuk është dënu njeri për zullumet është justifikim për ju në fakt. Këtu keni qenë ka 5 vjet e gjysmë. Prokurorët i keni pas, policët i keni pas, gjykatësit i keni pas, tatimet i keni pas. I kishit fut në burg ata nga krahu jonë që e kanë meritu por s’e keni bërë se nuk keni me çfarë të mbuloheni më.
Ky është jorgani juaj. Është skemë e vjetër kjo, që kush vjen pas i thotë atij që ka qenë para kam dy letra unë për ty. Një filozof i njohur francez thotë: Asnjë nuk është aq i pasur sa të blejë të kaluarën e vet. Ai që vjen nga llumi në llum do shkojë. Nuk ka për ta bërë kurrë të rëndësishëm, të ndershëm jo e jo. Para mund të kenë, po fytyrë nuk kanë më.” – mbylli Shehi.
Comments (0 posted)
Post your comment