Home | Politics | Fshesa e hekurt e Vettingut!

Fshesa e hekurt e Vettingut!

image
Fshesa e hekurt e vetingut ka për t`ua kthyer besimin shqiptarëve ...

    

Nga Sokrat Ndreçka

 

 

Një falenderim i madh shkon për ideatorët, organizatorët, për të gjithë ata ekspertë vendas e të huaj që punojnë për të hedhur në koshin e plehrave të historisë sistemin e drejtësisë së këtyre 28 viteve të tranzicionit demokratik në Shqipëri, përmes fshesës së hekurt të vetingut. Sistemi i drejtësisë në vendin tonë, në tranzicionin e bërë tërkuzë, do mbahet mend gjatë si shembulli më i keq, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në komunitete ku nuk ka as shtet, as ligj, ku është në fuqi kanuni dhe rastësia. Nuk duhet të çuditemi që ka ndodhur kështu. Këtë drejtësi na e sollën shqiptarët me përfaqësim politik, struktura të molepsura të qeverive në këtë tranzicion plehrash. Na e sollën ata aktorë të politikës, që sot kërkojnë të “luftojnë korrupsionin”, ata që ishin në krye të shtetit me çekun e bardhë si flamur të shpëtimit të shoqërisë shqiptare nga komunizmi. Janë pikërisht ata politikanë radikalë, që sot ngrihen e bërtasin se e duan Shqipërinë të pastër nga korrupsioni, ndërsa kërkojnë të marrin pushtetin me dhunë përmes revolucionit, protestave ku çdo gjë të shkatërrohet dhe jeta të nis nga e para.

 

Falë vetingut, Shqipëria shpreson të shpëtojë nga ajo drejtësi që nuk arriti të japë kurrë barazi, që nuk deshi të japë asnjë thërrime liri dhe të drejta të barabarta për qytetarët e këtij vendi. Bilanci i drejtësisë në këto 28 vjet është tragjik për një shoqëri që kërkon të integrohet në shoqërinë europiane. Janë jo pak, por 29 mijë dosje që qëndrojnë stoqe në raftet e Gjykatës së Lartë, që presin të shqyrtohen në të ardhmen. Është punë voluminoze, e cila ka mbetur për arsye objektive. Jo pse nuk kanë munguar trupat hetuese e gjykuese, por sepse selektimi ka ardhur për shkak të interesave klienteliste të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë vënë me mish e shpirt në ndjekje të parasë. Ata kanë qënë të mbërthyer pas parasë duke mos respektuar etikën profesionale, qytetare, nuk janë marrë fare me hallet e njerëzve, por kanë parë në sy pasuritë e paligjëshme. Eshtë pikërisht kështu, sepse po të ishte ndryshe nuk do mund të krijoheshin aq shumë stoqe në institucionin e lartë të drejtësisë, ku njerëzit humbën besimin se në këtë vend do bëhej një ditë drejtësi. Ishte vetingu, ai që thirri në apel gjyqtarë e prokurorë të molepsur, i cili pasi i kaloi në skanerin e ri të drejtësisë, i hodhi në rrugë, i largoi si njerëz keqbërës, si profesionist që e kalbën sistemin në mënyrë shembullore.

 

Rreth 100 prokurorë e gjyqtarë ka përjashtuar KPK dhe ONM nga detyra që kanë ushtruar funksionet për dekada të tëra. Dhe kanë bërë si u ka dashur qejfi. U thye përgjithmonë tabuja se këta nëpunës të rëndomtë shteti, që ngritën në qiell imunitetin e tyre si të paprekshëm, u ka rënë menderja në ujë. Nuk është aspak e lehtë kur shikon se më shumë se gjysma e punonjësve të drejtësisë janë larguar nga detyra për shkelje të ligjit. Nuk e prisnin, por kështu ndodhi dhe nuk ka kthim prapa. Parajsa e tyre u shemb. Madje ligji nuk duhet të heshtë, sepse me këta syresh ka punë akoma. Mëkatarët duhen ndëshkuar pa mëshirë. Deri në fund.

 

Radikalët, politikanët agresivë, që kanë zhurmuar në këto vite si “mbrojtës të lirisë e demokracisë”, kanë heshtur disi. Mbajnë veshët ngritur për të dëgjuar se si do vejë më tej puna dhe vepra e tyre. Ngritja e SPAK brenda muajit shkurt, që do të marrë në dorë dosjet e korrupsionit i ka trembur deri në ethe ata që kanë kryer vepra të rënda penale. Sado të organizohen, sado të gjejnë justifikime për ti shpëtuar drejtësisë së re të organizuar nga SHBA dhe BE, nuk do kenë mundësi t’i shpëtojnë rrjetës së hekurt të vetingut. Ka përfunduar parajsa e tyre, jeta përrallore, sekserët politikë e shtetërorë kanë marrë tmerr dhe janë çorientuar. Janë shumë dosje që po presin radhën, të kallëzuara më parë për krime të rënda dhe vepra penale që vetëm SPAK ka përgjegjësinë të japë dënimin e merituar. Nga padrejtësitë ky popull ka vuajtur shumë, ka paguar shumë dhe nuk ka fituar asgjë. Janë dosje që kanë në fashikuj krime njerëzore pa kufij, ka dosje që kanë afera korruptive dhe bëjnë fjalë për male me para të grabitura nga skifterët e politikës. Ka krime të kryera nga pushtetarë e aparatçikë ndër vite, por që janë munduar të fshehin kokën, paçka se dosjet e tyre gjenden në duart e ekspertëve ndërkombëtarë dhe nuk mund të kalojnë aq lehtë.

 

Fshesa e hekurt e vetingut ka për t`ua kthyer besimin shqiptarëve se ky shtet ka të ardhme, se shoqëria shqiptare do provojë e shijojë drejtësinë e munguar, lirinë dhe barazinë të ëndërruar në kohën e demokracisë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0