Mamuthët e korrupsionit në panik
Ngjela: Klasa politike e përfshirë në korrupsion ndihet e shqetësuar për shkak të thellimit të reformës në drejtësi
Spartak Ngjela: Politikanët shqiptarë në panic nga ardhja e prokurores kroate, nga frika e SPAK po tentojnë të destabilizojnë vendin
Çdo ditë po hidhen hapa në ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe në goditjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, ndërsa për të asistuar në këtë drejtim dy ditë më parë zbarkoi në Tiranë ish-kryeprokurorja kroate, Tamara Laptos. Duke qenë se ajo njihet si prokurorja që drejtoi UKSOK në Kroaci (homologu i SPAK) dhe hetoi ish-kryeministrin Ivo Sanader, avokati Spartak Ngjela e sheh ardhjen e saj në Tiranë si një mesazh për të gjithë të korruptuarit
Gjatë një prononcimi për Median, Ngjela deklaroi se klasa politike e përfshirë në korrupsion ndihet e shqetësuar për shkak të thellimit të reformës në drejtësi dhe lëvizjeve të fundit për ngritjen e SPAK. Sipas tij, për këtë arsye ata po tentojnë të krijojnë destabilizim në vend, por theksoi se nuk do t’ia rijnë dot qëllimit.
“Ardhja e saj tregon se gjithçka po lëviz, por të korruptuarit janë bashkë. Sali Berisha dhe Edi Rama janë bashkë. Duan të ngacmojnë shoqërinë që të krijojnë destabilizim, por nuk e realizojnë dot. Të gjithë po punojnë, numri i prokurorëve që kanë aplikuar për Prokurorinë Speciale është krijuar, d.m.th kjo strukturë është gati. Për Gjykatën e Posaçme pret koha, por megjithatë të gjithë gjyqtarët kanë aplikuar kështu që çdo gjë është në rregull. Ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion do të ecë dhe të korruptuarit nuk kanë nga ja mbajnë. Nuk ka mundësi, dy rrugë ka: o do të shkatërrohet korrupsioni, o do të shkatërrohet populli shqiptar. Zgjidheni dhe merreni”, tha Spartak Ngjela.
Ndihma e ndërkombëtarëve në luftën antikorrupsion
Avokati Spartak Ngjela vlerësoi dje ndihmën që ndërkombëtarët po japin për Shqipërinë për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Sipas tij, falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës u hartua Kushtetuta e re, e cila do t’i vërë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë të korruptuarit. Ngjela theksoi se edhe prokurorja kroate do të përpiqet të ndëshkojë zyrtarët shqiptarë të përfshirë në zullume. Për avokatin, mbërritja e saj në Tiranë tregon që ujërat po lëvizin dhe së shpejti do të aplikohet edhe në Shqipëri shembulli kroat.
“Ndërkombëtarët, sidomos politika amerikane po na ndihmon që të mos shkatërrohet shoqëria shqiptare sepse po ikën e gjithë Shqipëria. Me një kryeministër që është ekscentrik dhe që nuk ka profesion nuk mund të ecë dot Shqipëria, ai është edhe i korruptuar gjithashtu. Këtu kemi kaluar 3 qeveri të korruptuara njëra pas tjetrës, që të gjitha kanë bërë dëm shumë të madh shoqëror por shqiptarët nuk i hiqnin dot sepse kështu kanë ardhur situatat. Duke parë këtë gjendje, amerikanët na bënë Kushtetutën e re. Fakti që ekziston Kushtetuta e re, të korruptuarit nuk kanë asnjë shpresë. A do ta destabilizojnë dot shoqërinë? Jo, nuk e bëjnë dot. Këta po i bëjnë të gjitha përpjekjet, por shqiptarët nuk janë aq të trashë sa të vrasin veten e tyre për të shpëtuar gjënë e vjedhur të korrupsionit shqiptar. Të gjithë ata do të ndëshkohen. Kam përshtypjen që edhe kroatja prandaj ka ardhur. Po shkojmë drejt shembullit kroat”, tha Spartak Ngjela.
Ish-kryeprokurorja e UKSOK mbërriti dy ditë më parë në Tiranë, ndërsa do të qëndrojë këtu për dy vite me asistencën e saj në luftën antikorrupsion.
Comments (0 posted)
Post your comment