Korrigjimi i kufijve
Europa në këto momente është e përçarë, dhe nuk jep garanci për zgjidhjen...
Nga Stiljan Dedja
Është pranuar tashmë nga të gjithë, që problemi mbarë shqiptarë është një problem serioz dhe shumë delikat në Ballkan, që patjetër tashmë duhet të marrë rrugën e zgjidhjes. Europa e ka kuptuar më në fund, se pa integrimin e Ballkanit ajo nuk mund të jetë e forte, dhe e konsoliduar. Pikërisht problemi shqiptar është një problem shumë delikat për ta, dhe që kërkon një zgjidhje pa vonesë. Problemet e krijuara nga kongresi i Berlinit më 1878 dhe më vonë nga konferenca e ambasadorëve në Londër më 1912, në lidhje me ndryshimin e kufijve në Ballkan, po mbartin probleme edhe sot në këtë kohë, efektet e saj po ndihen edhe tani. Problemi shqiptar dhe ai ballkanik nuk mund të zgjidhet duke u futur në Europë, dhe pastaj të themi që do të zgjidhim problemet etnike, dhe konfliktet e ndryshme të së kaluarës, kjo nuk është e vërtetë, sepse në Europë përsëri do të ketë kufij edhe shtete të ndryshme. Përsëri Europën do ta drejtojnë më të mëdhenjtë dhe ata më të zhvilluarit ekonomikisht. Shumë shtete të rëndësishme anëtarë të Europës po tregojnë me veprimet e tyre, që janë larg qëndrimit bashkë në union, duke shfaqur urrejtje, përparësi racore, mungesë bashkëpunimi, superioritet, përçmim ndaj vendeve ballkanike, të cilat tregojnë që këto vende nuk janë të gatshme të mbajnë një union të qëndrueshëm dhe demokratik. Patjetër më parë duhet të zgjidhet problemi i territoreve shqiptare në Ballkan dhe pastaj mund të pretendojmë të jemi pjesë e një Europe të re dhe demokratike. Europa në këto momente është e përçarë, dhe nuk jep garanci për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe jo më atij të zgjidhjes të problemit të shqiptarëve në Ballkan, të korrigjimit të kufijve të marrë padrejtësisht nga kongresi i Berlinit dhe ajo e ambasadorëve në Londër.
Disa shtete në Europë akoma nuk e njohin problemin e shtetit të Kosovës, sepse ato ose kanë problemet e veta etnike, ose vazhdojnë miqësinë e sëmurë tradicionale me Beogradin. Mendoj që Europa është e pastabilizuar dhe shumë e përçarë. Gjithmonë në të egziston frika e largimit të ndonjë shteti nga unioni për shkak të pakënaqësive që egzistojnë brenda saj. Europa nuk mund të forcohet politikisht gjithnjë edhe më shumë, sepse ajo nuk e ka marrë në seriozisht akoma problemin e shqiptarëve dhe atij ballkanik, por më shumë merret me refugjatët sirianë, se sa me zgjidhjen e problemit të vet, atij etnik shqiptar. Ajo sot nuk po përballet siç duhet me serbët, të cilët sollën luftëra dhe destabilitet në Europë dhe në Ballkan, por mundohet të përkëdhelë Beogradin që të marrë rrugën europiane të zhvillimit. Në fakt sipas konceptit tim korrigjim i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë të propozuar nga Thaçi dhe Serbia, nuk është gjë tjetër veçse një propozim për ndryshim të kufijve, në funksion të korrigjimit të vendimeve të gabuara të Berlinit dhe Londrës për ndryshimin e territoreve shqiptare. Europa nuk është në gjendje të ndërhyjë dhe të marrë vendime kaq të rëndësishme, sepse ka frikë nga konfliktet midis shteteve, të cilat mund të lindin në Europë, dhe si pasojë të sjellin destabilizimin e saj, por ajo nuk e kupton akoma që gjërat të cilat ajo i bëri gabim, duhet patjetër t’i korrigjojë, përndryshe ajo asnjëherë nuk ka për të qenë një kontinent i qetë dhe i stabilizuar politikisht.
Europianët mendojnë se në Europën e bashkuar dhe imagjinare do të harrohen vrasjet, masakrimet, persekutimet apo dëbimet masive të popullsive fqinje si kosovare, boshnjake, apo kroate, të cilët kanë jetuar historikisht në trojet e tyre etnike. Teoritë që do jetojnë bashkë qengji me ujkun, apo përralla të tjera nuk mund të jenë të vërteta. Përse edhe sot në këtë periudhë gjoja paqeje në Europë dhe Ballkan, vendet fqinje si Greqia akoma duan të shkëpusin ndonjë territor nga Shqipëria, dhe akoma nuk dëshirojnë paqe midis vendeve fqinje? Po Greqia është anëtare e unionit! Përse Serbia nuk heq dorë nga Kosova megjithëse e di që historikisht ajo nuk është e saj? Përse ajo është gati të shpallë luftë për territoret kosovare dhe shqiptare nqs do të besonim që në Europë nuk do të ketë më problem kufijsh? A nuk jemi në Europë dhe themi që do jetojmë bashkë njëri me tjetrin? A nuk përbëhet Europa nga shumë vende, të cilat kanë edhe sot e kësaj dite këto mentalitete të së kaluarës dhe ne flasim për një Europë të re pa konflikte? Edhe bashkëpunimi i Gjermanisë me Francën, megjithëse historikisht kanë histori lufte me njëra tjetrën, është një bashkëpunim për shkak të dominimit dhe interesave politike dhe ekonomike të tyre ndaj rajoneve të tjera të Europës. Një Europë e fortë dhe unike është në të mirë të Kosovës dhe Shqipërisë, por ajo nuk dëshiron t’i zgjidhë problemet e saj, por vetë dëshiron t’i mbulojë përkohësisht problemet me pluhurin e harresës. Mendoj që fitoret e arritura nga Kosova, në lidhje me krijimin e pavarësisë dhe të shtetit të saj janë direkt angazhim dhe kontribut i shtetit demokratik amerikan së bashku me aleatët e saj europianë.
Është ndikimi amerikan në Europë që ka bërë që Europa të detyrohet të ndihmojë proceset demokratike dhe shtet formuese në Ballkan. Teoria e ridizajnimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë teori e Thaçit apo e Serbisë, ajo është vetëm kërkesë e shtetit amerikan për korrigjimin e vendimeve të gabuara në konferencën famëkeqe të Berlinit dhe Londrës, në dëm të territoreve etnike shqiptare. Teoria gjoja e Thaçit dhe e Vuçiçit për shkëmbim territoresh nuk është gjë tjetër por vetëm përgatitja dhe pranimi nga të gjithë për krijimin e një situate të re në Ballkan, e cila do të bëjë të mundur të korrigjojë dhe të shmangë gabimet e bëra gjatë këtij fillim shekulli në lidhje me Ballkanin. Fillimi i zgjidhjeve të problemeve të Kosovës me Serbinë është vetëm fillimi i një zgjidhje të madhe të problemit shqiptar në Ballkan. Pengesa është tek Serbia, sepse ajo nuk e dëshiron zgjidhjen e problemeve të kaluara në lidhje me Shqipërinë dhe Ballkanin, pasi ajo humbet territore, por gjithashtu ndihet e pafuqishme për ta penguar këtë zhvillim të ri. Ajo po mundohet ta shfrytëzojë këtë korrigjim të kufijve për interesat e saj strategjike, duke kërkuar të marrë ndonjë pjesë territorit në Malin e Zi, në Bosnje, apo Kosovë, duke u munduar kështu të krijojë Serbinë e madhe. Por Amerika dhe Europa nuk mund të pranojnë të bien nga një gabim në të shkuarën në një gabim tjetër sot. Amerika dhe Europa nuk mund ta pranojnë “Serbinë e madhe” sepse ajo edhe sot nuk është një shtet demokratik, ky do të ishte një rrezik i madh për të gjithë Ballkanin dhe Europën, pasi Serbia përkrah veprimet destabilizuese dhe territoriale të Rusisë në Ballkan. Serbia është vegël e Rusisë në Ballkan, për pasojë ajo është pengesa kryesore për demokratizimin dhe rrugëtimin e vendeve Ballkanike në Europë. Teoria e Thaçit për shkëmbim territoresh me Serbinë nuk është një përrallë, siç mundohen ta paraqesin disa figura drejtuese të shtetit të Kosovës, apo të shtetit shqiptar, ajo është një realitet, që ka filluar të zbatohet patjetër nën udhëheqjen e shtetit më demokratik në botë ati të SHBA dhe të Europës. Korrigjimi i vendimeve të gabuara europiane në fillim të këtij shekulli, është një prioritet që duhet të na udhëheqë, nëqoftëse duam një Europë të bashkuar demokratike dhe stabile në të gjithë elementet e saj.
Comments (0 posted)
Post your comment