Home | Politics | Një sistem, që duhet ndryshuar në themel

Një sistem, që duhet ndryshuar në themel

image
Sistemi është tashmë krejtësisht i kalbur...

    

 

Riza Hoxha

 

 

Tashmë të gjithë, ata që po ia japin vrapit për t’u larguar, por edhe ne që nuk duam të ikim askund e kemi të qartë se gjithçka duhet nisur nga ndryshimi që në rrënjë i sistemit. Vetë sistemi na ka sjellë aq shumë vuajtje, aq shumë varfëri. Në mënyrën më idioteske, një grup oligarkësh të pashpirtë ia kanë arritur të ngrenë një sistem tërësisht mbi baza familjare. Tashmë i kalbur tërësisht ky sistem po arrin të mbajë mbi ujin e fëlliqur vetëm një grumbull mbeturinash të flakura nga oligarkia sa për të mbuluara të vërtetat që kanë nisur të dalin mbi sipërfaqen e ndotur. Aq sa të gjithë po e ndiejmë qartë se në ç’nivel ka arritur kalbëzimi. Sa kemi nisur ta besojmë se vërtet kemi vetëm një gjysmë shtet, një gjysmë shtet dhe atë krejtësisht të kalbur, që i shërben vetëm një grupi oligarkësh të pashpirt.

 

Tashmë puna është se si mund ta shembim këtë model gjysmë shteti, sherrin e të cilit ia kanë ndjerë gjithë shqiptarët. I gjithë problemi është te klasa politike që gjatë këtyre 30 viteve ka mundur të instalojë vetëm gjysmë shtetin në shërbim të saj. Aq sa sot po dëgjojmë lloj-lloj politikanësh, duke u ankuar se paga nuk u del, e kanë të pamjaftueshme. Edhe pse marrin shërbim, edhe kur pijnë për orë të tëra nëpër lokalet e Tiranës. Për turp të zotit, vetë deputetët që kërkojnë rritjen e pagës, heshtin për çfarë pune bëjnë, sa të enjteve kemi frikë të çelim televizorin nga frika që kemi nga artikulimi i një fjalori, është pak të thuash rrugaçëror, që ata artikulojnë. Pavarësisht fjalorit, ata krenohen për shpërblimet gjithfarësh që marrin ndërsa qëndrojnë lokaleve të Tiranës. Ndërsa heshtin për diplomat, për gradat shkencore që marrin gjatë deputetllëkut, apo për punësimin e hallexhinjve kundrejt shpërblimeve.

 

Sistemi është tashmë krejtësisht i kalbur. Që nga zgjedhja e kandidatëve. Sa edhe vetë zgjedhësit kanë harruar se kur kanë zgjedhur për të fundit herë. Pasi tashmë me këtë sistem, ne nuk zgjedhim, por miratojmë çfarë na urdhëron kryetari i partisë. Për të arritur në këtë “gropë” gjatë këtyre 20 viteve të fundit është ndërhyrë në Kushtetutë rreth 4 -5 herë. Çfarë nuk është ndryshuar. Vetëm që kandidatët (deputetët) të na i emërojnë kryetarët e partive. Ndërsa, gjithë shqiptarët e tjerë vetëm sa hedhin votën në kuti. Mjafton kjo situatë groteske, që të na çojë të gjithëve së bashku drejt ndryshimit rrënjësor të sistemit. Nuk duhet lënë Shqipëria edhe më tej në dorën e zorzopëve, që na sjellin kryetrarët e 129 partive politike që frymojnë në këtë Shqipëri të lodhur, në këtë Shqipëri që zë kryet e vendit për varfërinë ekstreme që e ka mbuluar. Nuk duhen lënë edhe më tej kryetarët e partive të na sjellin lloj-lloj zorzopi për të votuar. Siç po ndodh këto ditë, kur fushata sapo ka nisur dhe kryetarëve të partive u kërkohet nga militantët të mos sjellin kandidatë vetëm nga Tirana. Tirana nuk mund të drejtojë me korrespondencë çdo bashki, nga jugu në veri të vendit, siç ka ndodhur në disa raste deri tani.

 

Ndryshimi rrënjësor i sistemit është i domosdoshëm për të ndryshuar gjithçka. Së pari, që shqiptarët e mbetur ende pa u larguar të ndjehen të përfaqësuar. Sepse sot, ata ndjehen të papërfaqësuar, ndërsa në zonat rurale ndjehen krejtësisht të braktisur. Është për të qeshur e për të qarë, po Kukësi bie fjala, pasi mbaruan zgjedhjet e 2017, ndjehet krejtësisht i braktisur dhe i harruar. Nga të gjitha forcat politike. Një deputete e PS-së që ishte, ndoshta sot nuk e di se nga bie Kukësi sepse është tiranase. Po edhe kuksiani Flamur Noka është banor i Tiranës. Votën e ka marrë nga kuksianët, po sot e mban vrapin në Shkodër.

 

Është kjo arsyeja që kuksianët thonë se, presin zgjedhjet e ardhshme që të kenë një përfaqësues të tyre në parlament. Jo se do t’u zgjidhë ndonjë gjë, po thjesht t’u kujtojnë palo-politikanëve se edhe në këtë rajon të largët kanë mbetur ende njerëz. Është e çuditshme, po një e vërtetë e pastër. Opozita edhe pse prej afro një muaji u lodh duke i kërkuar popullit pjesëmarrje masive në protestën e 16 shkurtit, e ndjen vetën larg, shumë larg popullit. Është kjo arsyeja që vetë ajo pranon se, opozita ka për detyrë të mbrojë sigurinë e qytetarëve gjatë protestës së 16 shkurtit. Ndërsa format dhe mënyra që njerëzit zgjedhin për të protestuar janë zgjedhja e tyre. Pasi 16 shkurti nuk është protestë politike, por protestë e qytetarëve”. Këta farë politikanësh albanezë nuk dinë gjë tjetër, vetëm të fyejnë e poshtërojnë shqiptarët. Pasi nuk lanë cep të Shqipërisë pa shkelur për të na mbushur mendjen të dalim të protestojmë, kujtohen të na thonë se është dita jonë e protestës. Këtë e dinë gjithë shqiptarët. Pasi varfëria sa shkon e po rritet në sofrën e shumicës së shqiptarëve. Ndërsa palo-politikanët, ditën e natën u lodhën së ngjiruri se, rritja ekonomike ka arritur në 4,2 për qind. Kur shumica e shqiptarëve e sheh 3 herë në ditë, e sheh në sofrën e vet se ç’rritje zeza ekonomike ka realizuar kjo palo politikë albaneze që po na shtrydh deri në palcë prej afro 30 vitesh.

 

Të gjithë palo-politikanët kanë nisur të vrapojnë, të na kërkojnë t’u vemi prapa. Edhe në sheshin e protestës. Të gjithë kanë nisur të na mashtrojnë si t’u vijë më për mbarë. Po asnjërit nuk i shkon mendja të artikulojë diçka për malin e varfërisë që e ka pushtuar këtë vend, për korrupsionin galopant, për... malin e të këqijave që e ka mbuluar vendin e që po na detyron t’ia japim vrapit ku të mundemi. 

 

Asnjëri nuk kujtohet për ndryshimin e sistemit. Kryetarët - mbretër të partive kështu duan, që ne të shkojmë si deri tani, të votojmë kandidatin - çirak të tij e të familjes. Deri këtu ka arritur gomarllëku i partive politike albaneze. Është bash kjo arsyeja që vetëm ne shqiptarët në këtë botë po shkojmë nga humbja në humbje. Ndërsa prej 30 vitesh vazhdojnë të udhëtojmë në llumin e tranzicionit. Është ky llum që na ka detyruar të largohemi nga ky vend që drejtohet vetëm nga një klan i paturpshëm, i mbuluar me një psikopati ekzemplare, që nuk ka mjekësi që e shëron. Ndaj për të shpëtuar vetveten është e domosdoshme flakja e gjithë kësaj klase politike në gropën e harresës. Si një fillim i një starti të ri drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët, që kjo klasë politike i bëri kashtë e kashtë të shpërndarë në të gjithë botën. Ndryshimi i gjithë sistemit zgjedhor mund të na shërbejë si start i një nisjeje të re drejt një të ardhmeje me më shumë dritë për gjithë shqiptarët. Ndoshta duke nisur edhe nga një Vetting, jo vetëm për plazhistët e Durrësit, që deri tani na kanë treguar se janë bërë milionerë duke luajtur bixhoz, apo se kanë patur gjyshet e gjyshërit milionerë. Një turp që kërkon të përshpejtohet edhe kalimi në Vetting, i gjithë palo-politikanëve albanezë.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0