Franca, Gjermania dhe siguria evropiane
Franca dhe Gjermania, besojnë se janë udhëheqëset natyrale të Bashkimit Evropian...
Nga James Rogers & Robert Clark *
Nënshkrimi i Traktatit të Ahenit, nga presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, u përshëndet si lëvizja e fundit për të afruar më tepër me njëri-tjetrin Francën dhe Gjermaninë, duke nisur fazën e rilindjes së besimit evropian pas viteve të stanjacionit.
Donald Tusk, kryetari i Këshillit Evropian, deklaroi: “Sot Evropa ka nevojë për ringjallje të besimit, në kuptimin e solidaritetit dhe unitetit, dhe unë dua të besoj se bashkëpunimi i zgjeruar franko-gjerman, do t’i shërbejë këtij objektivi”.
Franca dhe Gjermania, besojnë se janë udhëheqëset natyrale të Bashkimit Evropian, një besim që ka gjasa të rritet pasi nga unioni të largohet Mbretëria e Bashkuar, dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara po përqendrohen më shumë në Azinë Lindore.
Në fakt, Angela Merkel tashmë ka deklaruar se Britania dhe Amerika janë aleate të pasigurta, dhe se evropianët nuk mund të “varen më plotësisht” prej tyre. Për pasojë, ajo dhe presidenti francez kanë argumentuar se është koha e duhur për krijimin e një “ushtrie evropiane”. Sidoqoftë, ide të tilla duhet të merren me një farë rezerve. Dhe kjo pasi krijimi i forcave të armatosura, me fuqi të mjaftueshme për të projektuar fuqi përtej kufijve të kontinentit evropian (pa ndihmën e britanikëve apo amerikanëve), do të kërkonte një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake nga Parisi dhe Berlini.
Si Gjermania ashtu edhe Franca, kanë të ngjarë të dështojnë në përmbushjen e angazhimit të tyre në samitin e NATO-s në vitin 2014, për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 2 përqind të PBB-së deri në vitin 2024. Sipas parashikimeve aktuale, Gjermania nuk do të arrijë deri atëherë as 1.5 përqind të PBB-së, ndërsa Franca do ta përmbushë këtë angazhim vetëm në vitin 2025, dhe vetëm nëse qeveria e ardhshme do t’i qëndrojë angazhimeve të asaj ekzistuese.
Prandaj nuk është ndonjë befasi që ushtria gjermane, Bundesëehr, është prekur vitet e fundit nga probleme të shumta. Një raport i kohëve të fundit i një komisioni parlamentar gjerman, theksoi se në vitin 2018 vendi nuk kishte nëndetëse apo avionë transporti për dislokimin e trupave, dhe se shpenzimet e mbrojtjes ishin vetëm 1.2 përqind të PBB-së –të pamjaftueshme edhe për të ruajtur asetet ekzistuese.
Ndërkohë që Franca për krahasim, ka bërë disi më mirë në këtë drejtim, edhe ajo ka qenë e shqetësuar nga një sërë problemesh. Një raport i vitit 2017, arriti në përfundimin se më shumë se gjysma e avionëve ushtarakë francezë nuk ishin në gjendje të fluturonin, një problem i theksuar nga kërkesa franceze ndaj Mbretërisë së Bashkuar, për të çuar 3 helikopterë transportues “Chinook” dhe një personel prej 90 trupash në korrikun e vitit të kaluar, në mbështetje të misionit të saj paqëruajtës në Mali.
Ndërkohë, shpenzimet e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, vendi i dytë më i madh i NATO-s, janë mbajtur vazhdimisht mbi 2 për qind të pragut të përcaktuar të PBB-së. Britania është gjithashtu kontribuesja kryesor në Praninë e Përforcuar të Forcave të NATO-s në Evropën Lindore, dhe e vetmja fuqi evropiane që zotëron një sërë pikash potenciale kontrolli në Lindjen e Mesme.
Forcat e Armatosura Britanike, kanë bazat e saj në Qipro, të cilat përfshijnë një kontingjent të madh të flotës ajrore, RAF, përveç një garnizoni këmbësorie, me baza të tjera në Minhad të Emirateve rë Bashkuara Arabe, Xhufair në Bahrein dhe Dukm në Oman.
Duke formuar efektivisht një prani ushtarake trekëndore Perëndim-Lindje-Jug në Gadishullin Arabik, këto baza i japin Marinës Mbretërore dhe Forcave Ajrore Mbretërore një shtrirje të veçantë gjeostrategjike. Kjo aftësi u përdor kohët e fundit nga Forcat e Armatosura Britanike në Oman gjatë stërvitjes “Saif Sareea 3”, stërvitja më e madhe ushtarake në rajon në 17 vitet e fundit, duke treguar një nivel të ndërveprimit me një aleat rajonal, me të cilin Franca apo Gjermania thjesht nuk mund të krahasohen.
Është ky projeksion i fuqisë, që e tregon Britaninë e Madhe si një fuqi ushtarake globale, lë pas ato në Evropë (dhe vetë Britani), që kanë promovuar narrativën e “rënies britanike” gjatë viteve të fundit. Pra, pa mbështetjen e Britanisë, çdo përpjekje evropiane për të krijuar aftësi ushtarake, ka gjasa të dështojë.
Dhe pa një rritje të mëtejshme të shpenzimeve, çdo thirrje për një “ushtri evropiane”, është pak më shumë se sa një taktikë manovrimi nga francezët dhe gjermanët, për të tërhequr vëmendjen nga fakti se as nuk janë të gatshëm të përmbushin angazhimet e tyre për shpenzimet e NATO-s.
Rrjedhimisht, nëse duan të rrisin kapacitetin strategjik evropian, udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, do të bënin mirë t’i japin fund problemeve të tyre strategjike, të bashkëpunojnë me Mbretërinë e Bashkuar, të nderojnë angazhimet e tyre, dhe të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. /CapX – Bota.al
* James Rogers, është Drejtor i Programit Global të Britanisë në Shoqërinë Henri Xhekson. Robert Klark, është një studiues i diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
Comments (0 posted)
Post your comment