Perandoria anti-liberale, Europë!
Ka qenë një epokë gati konsensuale e elitës homogjene – mbi emigracionin dhe refugjatët...
Nga Damon Linker
Për ata që e mbështesin Bashkimin Europian, lajmi i mirë i muajve të fundit, ka qenë se Brexit është duke u zhvilluar në një mënyrë kaq katastrofike në Britaninë të Madhe, saqë tundimi i disa njerëzve për t’u larguar nga unioni është zbehur anembanë kontinentit.
Por lajmi i keq, është se ata që përbuzin burokratët në Bruksel, mund të kenë gjetur një strategji të re për të çuar përpara synimet e tyre – dhe një strategji që ka një shans shumë më të madh për të pasur sukses. Në vend se ta luftojnë BE-në, anti-liberalët shpresojnë tashmë të marrin drejtimin e saj.
Shtysa e parë e madhe për ta bërë këtë, do të ndodhë në datat 23-26 maj, kur të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian në 28 vende anëtare. Ideja është e thjeshtë:Partitë që kundërshtojnë politikat neoliberale të BE-së, synojnë të krijojnë një front popullor të krahut të djathtë – dhe ndoshta edhe një lëvizje anti-liberale vërtet të madhe, që të përfshijë partitë populiste të krahut të djathtë dhe atij të majtë – që mund të fitojnë shumë vende në PE.
Elementet e koalicioneve të tilla anti-liberale tashmë ekzistojnë, ndërsa disa prej tyre kanë pushtet politik. Italia, udhëhiqet nga një koalicion i një partie kundër emigrantëve (La Lega) dhe një parti anti-liberale-populiste (Pesë Yje). Në Hungari, Fidesz, partia haptazi anti-liberale e Viktor Orban ruan një shumicë solide, por partia e dytë më popullore në vend (Jobbik), është e pozicionuar më në ekstremin e së djathtës.
Kancelari i Austrisë, është anëtar i Partisë Popullore konservatore, por zëvendësi i tij është anëtar i Partisë së Lirisë së ekstremit të djathtë. Këto vende dhe disa të tjera (Polonia, Republika Çeke), janë tanimë gati të dërgojnë delegacione të mëdha anti-liberale në Parlamentin Europian.
Po sikur e djathta anti-liberale, të nisë të mbështesë të kauzë të përbashkët me të majtën anti-liberale, kundër klasës qeverisëse neoliberale të BE? Ekzistojnë arsye politike ideologjike, por edhe praktike, se përse kjo ka gjasa të ndodhë, dhe ka madje shenja se tashmë kjo na nisur të ndodhë.
Ndërkohë, kjo nuk ka kuptim për shumë analistë dhe aktorë politikë, ndjeshmëria e të cilëve është formësuar në kryqëzimin e Luftës së Ftohtë dhe pasojave të saj të menjëhershme, kur dallimi midis të majtës dhe të djathtës, ishte edhe më i dukshëm.
Por gjatë 2 dekadave të fundit, e majta dhe e djathta institucionale, kanë konverguar në mbarë Evropën, me dallimet midis tyre që qenë duke u bërë më të vogla. Një listë e gjatë politikash, është përkrahur nga të dyja palët, ashtu si edhe një listë e gjatë opsionesh të tjera (disa mjaft të njohura për votuesit), është përjashtuar paraprakisht nga konsiderata.
Ka qenë një epokë gati konsensuale e elitës homogjene – mbi emigracionin dhe refugjatët, si dhe për politikën ekonomike (kursimi është opsioni i vetëm i përgjegjshëm). E majta anti-liberale, ka kundërshtuar disa prej këtyre politikave; e djathta anti-liberale ka kundërshtuar të tjerat.
Gjatë viteve të fundit, të dyja kanë nisur të kenë një tërheqje të konsiderueshme elektorale, nën flamurin e populizmit. A mund të bashkohen me sukses të dyja këto marka të populizmit? Ose të paktën të lënë mënjanë dallimet e tyre, për të punuar më ngushtë mes tyre, mbi një kauzë të përbashkët kundër qendrës neoliberale?
Nuk do të duhej shumë që kjo prirje të përshpejtohej. Mos harroni degradimin e politikës në Britaninë e Madhe. Një nga arsyet se përse zbatimi i Brexit ka qenë kaq i vështirë, është se vendi është thellësisht i ndarë, nëse duhet të largohet apo nga BE-ja. Por arsyeja kryesore, është se dy partitë më të mëdhaja të Mbretërisë së Bashkuar – Partia Konservatore dhe Partia Laburiste – janë vetë të ndara nga brenda mbi këtë çështje.
Anglia është e vendosur në favor të largimit nga Bashkimi Evropian. Skocia dëshiron të qëndrojë në union. Njerëzit që jetojnë në Londër apo rrethina, duan në shumicë të qëndrojnë në bllok, ndërsa zonat rurale preferojnë që kombi i tyre të shohë punën e vet.
Këto preferenca kanë tendencë të jenë të vërteta, pavarësisht mbështetjes politike për këtë apo atë parti nga një votues i caktuar. Britania e Madhe, do të vazhdojë të vuajë këtë ngërç, për aq kohë sa ndarjet mes partive më të mëdha, nuk do të pasqyrojnë ndarjen e popullatës në përgjithësi.
Nëse një parti do të mbronte një pozicion të qëndrueshëm anti-liberal, nga kjo do të kishte një përfitime dhe një lumë votash. Një dinamikë e ngjashme, mund të shihet në Francë. Siç e theksoi kohët e fundit Mark Lilla në një ese në “The Neë York Revieë of Books”, në Francë po merr formë një e djathtë e re anti-liberale.
Por kjo nuk mund të përshkruhet me saktësi si një rikthim në fashizëm. Sepse disa nga mbështetësit e kësaj të djathte, po kombinojnë angazhimin nacionalist me kundërshtimin ndaj abortit, një kritikë të ashpër ndaj kapitalizmit të tregut të lirë, dhe një mbështetje të fuqishme për rregulloret mjedisore për të luftuar ndryshimet klimatike.
Kjo përzierje e pozicioneve tradicionalisht të djathta dhe të majta, tregon një format politike që tejkalon shumë nga mosmarrëveshjet, që kanë diktuar politikat në të gjithë Perëndimin në periudhën e pasluftës. Protestat e Jelekëve të Verdhë në Francë, të cilat e kanë destabilizuar Francën muajt e fundit, dhe lëvizjet paralele në vende të tjera në Evropë dhe në mbarë botën, janë gjerësisht në përputhje me këtë prirje ideologjike.
Disa nga protestuesit e konsiderojnë veten të djathtë; të tjerët të majtë. Ndonjëherë të dyja palët përplasen me njëra-tjetrën në rrugë. E megjithatë ato ndajnë një armiqësi të gjerë ndaj politikave neoliberale të dekadave të kaluara, që i bëjnë ato përgjegjëse për rënien e shpejtë të standardeve të tyre të jetesës.
Protestat e Jelekëve të Verdhë në Francë, tregojnë se një lëvizje anti-liberale, transpartizane, dhe transnacionale, është duke lindur në mbarë Evropën. Kjo nuk do të thotë që ajo do të bëhet popullore apo mjaftueshëm e bashkuar, për të fituar shumicën e vendeve në Parlamentin Europian këtë pranverë. Por kjo do të thotë, që këto rryma të ndryshme anti-liberale, kanë të ngjarë të bëhen dhe mbeten një forcë e fuqishme politike për vitet që do të vijnë. /“The Week” – Bota.al
Comments (0 posted)
Post your comment