Ku shkojnë shqiptarët ?
Liberalizimi i vizave ishte një hap shumë i rëndësishëm për disa vende të Ballkanit, dhe diskriminim i disa shteteve tjera, që nuk ndodhi rastësisht.
Ali Maksuti
Kur zbret në aeroportet e shteteve të BE-së, kohëve të fundit do të vëresh që një numër shumë i madh i shqiptarëve nga lugina e Preshevës, Maqedonia veriore dhe aty këtu nga Maqedonia Perëndimore zbresin nga aeroplanët që fluturojnë nga Beogradi, Prishtina dhe Shkupi. Ose një pamje e njëjtë është edhe në qendrat e autobusëve që zbresin shqiptar nga po këto rajone. Po, ku po shkojnë shqiptarët ?
Duke e pare këtë realitet që ndodhën me shqiptarët pas liberalizimit të vizave më erdhi ndër mend koha e viteve të 80’ që nganjëherë më është përshkruar nga prindërit e mijë, se është koha kur shqiptarët detyrimisht detyroheshin , si për arsye ekonomike, sociale apo edhe politike të kërkojnë azil në vendet e BE-së. Apo, më ra ndërmend edhe një këngë që dëgjohej më herët “ Ku po shkojnë trenat moj nënë “, që përshkruan gjendjen e shqiptarëve në atë kohë. Por arrita të kuptoja që atëherë ishte një kohë e diskriminimit total të shqiptarëve në Ish-Jugosllavinë moniste dhe shqiptarët për një jetë më të mirë kërkonin zgjedhje tjera jashtë vatanit të tyre kur nuk i përfaqësonte askush ata në qeveri, por ç’po ndodh tani ?
Liberalizimi i vizave ishte një hap shumë i rëndësishëm për disa vende të Ballkanit, dhe diskriminim i disa shteteve tjera, që nuk ndodhi rastësisht. Ky i hap i rëndësishëm në shikim të parë, fill marrjes së vendimit për tërheqjen e vizave për këto vendet ishte si sukses i qeverive, por çka do të ishin pasojat, politikanët shqiptar nuk i parashikuan. Tërheqja e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi ishte një sukses i dy anshëm për këto qeveritë, njëra është se në aspektin pozitiv do të shfrytëzohej për të ngrit pozitën e tyre karshi faktorit ndërkombëtar se kinse punojnë me sytë ka perëndimi dhe e dyta “ spastrimi etnik modern” i shqiptarëve. Vendet si Belgjika, Zvicra dhe vendet tjera e shohin rizik liberalizimin e vizave si pasojë e kërkesës së madhe për të udhëtuar në këto vende. Ky rrezik paraqitet deri në atë shkallë sa për Maqedoninë mund të kthehet edhe njëherë të debatohet në KE nëse duhet të kthehet vendimi për liberalizimin e vizave për këtë vend. Këto veprime, si lëvizjet e mëdha të shqiptarëve për në vendet e BE-së dhe rikthimi i vendimeve për çështjen e vizave janë si pasojë e politikë bërjes në Maqedoni. Sikur qeveritë në Maqedoni gjatë gjithë kohës të mendonin dhe të vepronin në aspektin ekonomik në nivel të drejtë rajonal, duke mos izoluar Maqedoninë Veri-Perëndimore nga investimet e ndryshme, duke paraqitur zona ekonomike vetëm në rajonet ku kanë interesa pala sllavo-ortodokse kurse pjesët tjera të izolohen në total, sikur të kishte një decentralizim më të drejtë fiskal si dhe një ndarje më proporcionale të buxhetit të shtetit atëherë nuk do të vinte si pasojë që shqiptaret të kërkonin një jetë më të mirë në vendet e BE-së siç bënin në kohën serbo-sllavistë. Këto veprime të paarsyeshme të palës shqiptare në qeveritë e një pas njëshme sollën në këtë situatë qytetarët.
Sikur veprime të tilla të ishin bërë në kohën e monizmit politik, atëherë qytetari do të ishte inferior karshi vendimeve ekonomike dhe politike në vend, por kur më në Maqedoni njihet sa ka filluar procesi demokratik gati 20 vjet, atëherë mbesim me gojë hapur a thua vallë përfillen interesat e shqiptarëve në Maqedoni në bazë të këtij procesi. Edhe atë duke u bazuar se demokracia paraqet sundimin e shumicë, ku në këtë hapësirë politike qytetari nëpërmjet përfaqësuesve të vet politik kërkon mbrojtjen e interesave të veta ekonomike,politike,fetare, sociale etj dhe në qoftë se do të veprohej realisht me atë se çfarë paraqet demokracia atëherë pasojat nuk do të ishin këto që paraqiten tani në Maqedoni, por populli shqiptar sigurisht që do të zgjidhte jetën në vend të vet që deri tani nuk është përfill nga përfaqësuesit tonë politik, pra partitë shqiptare në cilën do qeveri që ka pasur Maqedonia për 20 vjet demokraci. Sepse ne nuk flasim nga përvojat por flasim nga pasojat. Gjithsesi shqiptarët sikur të merrnin hisen e vet nga ajo se sa kanë kontribuar në buxhetin e shtetit nëpërmjet konsumit fiskal, investimet e huaja, ndarjes proporcionale të buxhetit të shtetit, një decentralizim fiskal më të efektshëm për komunat me shumicë shqiptare, sot nuk do të udhëtonin shqiptarët në vendet e BE-së për një mirëqenie ekonomike dhe sociale, por do të udhëtonin për ngritjen e kualitetit profesional apo edhe intelektual që prapë do ti shërbenin në një të ardhme po atij shteti, ku sot këtë e bëjnë shumë pak ose aspak. Pra, rrjedhimisht, me të hyrë sot në rrjedhat politike në Maqedoni, shqiptarët thjesht bien në nivelin më të ulët të rendimentit mendor, sot shqiptarët shprehen në një mënyrë të atillë, të cilën brenda sferës së interesave tona si popull jemi shumë fëminor, pra prapë kthehemi në qenie inferiore karshi vendimeve politike të cilët iu ngjasojnë vendime moniste. Këto fjalë janë tepër të rënda dhe domethënia e tyre reale është se prapë duhet shpresuar te e ashtuquajtura “ elita e zgjedhur politike “ ku gjithçka që kërkohet nga shqiptaret është të shquajnë personat që janë “po aq të aftë ” të marrin vendime në emër të popullit dhe populli të endet udhëve të BE-së.
Comments (0 posted)
Post your comment