Alarmi mediatik nxjerr gjumin e qeverisë
Më së fundi Gruevski guxoi dhe i quajti mashtrime të gjithë ata që premtonin se të ikurit jashtë vendit do të përfitonin azil në Belgjikë.
Gëzim Podgorica
Eksodi masiv i sjellë në vëmendjen e publikut në mënyrë të posaçme nga gazeta Lajm arriti të nxjerrë gjumin e qeverisë. Më së fundi, pas ditësh të tëra ikjesh dhe një alarmi të spikatur mediatik, u dëgjua një zë qeveritar . Kryeministri Gruevski ka reaguar duke bërë thirrje për të ndaluar këtë ikje të madhe që po ndodh ndër shqiptarë duke premtuar një ndryshim të situatës. Sikur kjo të ngjajë vërtet, normalisht që do të përbënte ndryshimin e ëndërruar e të kërkuar të shqiptarëve, të cilët me një furi të pakuptimtë janë nisur drejt rrugëve të Evropës si muhaxhirët e dhimbshëm të shekullit të ri. Por është shumë e vështirë të ndodhë për arsye që njihen gjerësisht. Gjithsesi reagimi erdhi, pavarësisht se i vonuar dhe pa masat e nevojshme efikase që kanë mundësi që të bëjnë ndryshimin e duhur të situatës. Prenotimet e biletave vërtet kanë filluar të bien në Kumanovë e disa vise të tjera ku banojnë shqiptarët, por kjo nuk po ndodh se po ka efekt fjala. Kjo po ndodh se po shteren të rinjtë, po bie potencialisht numri i kandidatëve të mundshëm për të lëvizur. Me një fjalë po mbarohen ata që kanë mundësi për të ikur. Deri këtu degradoi situata, sa tani shikon përditë e më pak të rinj që lëvizin rrugëve, të rinj që punojnë, të rinj që mundet të përballojnë sfidat e së ardhmes. Shumë prej tyre janë larguar, duke lënë në Kumanovë e gjetkë farë pak bashkëmoshatarë.
Shtypi në misionin e tij të madh të sensibilizimit edhe kësaj here qëlloi në shenjë. Arriti të paktën të thërrasë në skenën që I takon personazhet politikë. Pavarësisht se cilat janë motivet e Gruevskit që e detyruan të bëjë një thirrje sensibilizuese e të profilaksojë situatën që po degradon keqas, ai reagimin e parë për këtë e bëri pasi po ndodhej i ballafaquar keqas me shtypin që nuk pushonte së mediatizuari këtë çështjeje. Se çfarë po ndodhte ndër shqiptarë e shikonin i madh e i vogël, se si autobusët niseshin duke marrë një mal me dhimbje e halle me vete, ishin dëshmitarë të gjithë, por reagim nga politika nuk kishte. Ajo me sa duket e ndjente përgjegjësinë që kishte dhe e dinte se fjala nuk zinte vend . Në këto kushte preferoi të heshtë. Pa mëdyshje do ta quaja një heshtje kriminale, pasi po linte të thellohej një krizë që edhe më së shumti e komplikonte zgjidhjen.
Megjithatë u gjet një zë i pavarur, një misionar i madh siç është shtypi për të shkundur ata që flinin pikërisht atëherë kur nuk duhej. E di që mund t’ju kenë djegur akuzat mediatike, por nuk kishte rrugë tjetër për të dhënë një kontribut në shmangien e kësaj situatë dramatike që është cilësuar me të drejtë, apokaliptike për shqiptarët. Më së fundi Gruevski guxoi dhe i quajti mashtrime të gjithë ata që premtonin se të ikurit jashtë vendit do të përfitonin azil në Belgjikë. Mori një përgjegjësi shtetërore shumë të vonuar për të zhvleftësuar thashethemnajën që qarkullon prej kohësh dhe që ka nxitur për të lëvizur pa asnjë orientim të qartë me qindra e mijëra të rinj shqiptarë. Megjithatë ai nuk e cilësoi se kush është shkaktari kësaj gjendjeje që solli këtë eksod masiv dhe të pashoq. Premtoi diçka për zgjidhjen e situatës, por nuk dha e garantoi asnjë nga rrugët e zgjidhjes. Ishte thjesht një kryerje e detyrimit publik,pasi shtypi nuk e kurseu as atë dhe as politikanët shqiptarë nga përgjegjësia për situatën e krijuar.
Plaga e re e hapur e kurbetit,çfarë përbën paradoksin më të madh në këtë periudhë, u desh të identifikohej nga shtypi . Vallë nuk e shikonin dhe nuk e ndjenin qeveritarët tanë këtë. Sigurisht që e ndjenin, por me sa duket pak u ka dhëmbur.
E ndërsa Gruevski foli, të paktën reagoi, politikanët shqiptarë vazhdojnë të heshtin. Kjo i komprometon edhe më shumë ata në mungesën e përgjegjësisë politike e publike për të përfaqësuar jo vetëm votuesit, por të gjithë etnitetin. Edhe këtu janë shumë mbrapa e të vonuar. Mundet që shtypi të marrë përsëri barrën e ngritjes së një stuhie mediatike për të shkundur gjithë lidershipin politik shqiptar, që reagon me shumë vonesë ndaj problemeve kyçe të shqiptarëve, dhe artikulon shumë dobët hallet e tyre. Është një mision që duhet realizuar .
Comments (0 posted)
Post your comment