Home | Society | Virusi dhe klima e denoncimit

Virusi dhe klima e denoncimit

image
Kur më shpejt përhapet paniku se koronavirusi...

 

 

Nga Enver Robelli

 

 

Kur më shpejt përhapet paniku se koronavirusi.

 

1.

 

Deri dje gjithçka ka qenë në rregull. Je futur në autobus, në tren, në avion pa ndonjë shqetësim. Para ndeshjeve të futbollit je shtyrë për të gjetur vendin në tribunën e stadiumit, para koncerteve gjithashtu. Nuk je bërë merak kur e ke prekur pullën e ashensorit, nuk ke shikuar fytyrat e njerëzve që kalojnë në rrugë dhe të afrohen, nuk ke qenë racist dhe nuk je larguar sapo afër teje është ulur një njeri me pamje aziatike. Në dyqan je takuar rastësisht dhe përshëndetur si përherë me fqinj, miq, shoqe. 

 

 

2. 

 

Përnjëherë një virus i vogël, i padukshëm, djallëzor, ndryshon gjithçka. Së pari një vrasje mend jeje: kush nga rrethi shoqëror apo familjar ka qenë së fundi në Itali? Kush po kollitet nga kolegët e punës dhe pse? A ka qenë te mjeku? Në mediat digjitale të hapësirës gjermanofone artikujt më të klikuar janë udhëzimet për larjen e duarve. Krijohet përshtypja se civilizimi ka ngecur te dështimi i burrave për t’i larë duart. Dhe përshtypja nuk është fort e gabueshme. Kjo mund të mos u pëlqejë burrave, por studimet tregojnë se burrat i lajnë duart më rrallë se gratë. Aty-këtu nëpër dyqane janë shitur të gjitha makaronat, vaj e artikuj të tjerë ushqimorë. Kur rreziku është i padukshëm, njeriu, me gjasë, e humb drejtpeshimin në përditshmëri dhe mendon për më të keqen, apokalipsin. Kështu krijohet një klimë denoncimi. Shikon fytyra dhe dyshon: cili mund të jetë i prekur nga koronavirusi? 

 

ADVERTISING

 

3. 

 

Para disa muajsh në Zvicër qe bërë bujë e madhe pasi Qeveria vendosi të heqë kafenë nga magazinat e rezervave shtetërore. Krahas sheqerit, orizit, drithit, vajrave dhe ushqimit për kafshë, në këto magazina gjenden edhe 15 mijë tonelata kafe – një sasi, që do të krijonte një kolonë të gjatë shtatë kilometra me rreth 400 kamionë transportues. Në rast të luftës, banorët e Zvicrës do të mund të pinin kafe për tre muaj – kaq mjaftojnë 15 mijë tonelata kafe. Dhe nga ky luks nuk deshën të heqin dorë zviceranët. Pas protestave publike dhe raportimeve kritike në media, Qeveria u tërhoq nga synimi për ta hequr kafenë nga magazinat e rezervave shtetërore. 

 

4. 

 

Paniku njerëzor nuk është risi. Në veprat letrare kjo temë është e pashmangshme. Te “Utopia” e humanistit dhe politikanit anglez, Thomas Morus, ndihet frika që kishte përfshirë Evropën nga murtaja. Po ashtu, edhe te “Atlantisi i Ri” i Francis Baconit. Te “Leviatani” i Thomas Hobbes mjekët kujdesen për ta ruajtur shtetin nga epidemia, ushtarët e mbrojnë. Më 1722 u botua “A Journal of the Plague Year” i Daniel Defoe. Kjo vepër trajton murtajën në Londër në vitin 1665, e cila ua mori jetën 100 mijë njerëzve, mes tyre 70 mijë në Londër, ose rreth një e pesta e popullsisë së Londrës. Daniel Defoe i kishte shpëtuar murtajës, sepse si pesëvjeçar ishte dërguar në fshat jashtë Londrës.

 

5. 

 

Te romani “Të fejuemit” të autorit italian Alessandro Manzoni, përkthyer nga padër Mark Harapi, ndeshen krejt të këqijat e shoqërisë italiane: nepotizmi, ndarja e privilegjeve brenda një grupi, një popull i dëshpëruar që shan e bërtet dhe nuk beson se një ditë në Itali do të sundojë ligji. Bëhet fjalë për vitin 1630. Një aristokrat, tiran i vërtetë, dashurohet në një fshatare të pafajshme. Kjo dhe i dashuri i saj duhet të kalojnë shumë pengesa për t’u bashkuar dhe për t’i shpëtuar tiranit. Një panoramë e historisë së Italisë, ku përditshmërinë e dominojnë arbitrariteti, lufta dhe – murtaja. Murtaja luan rol edhe te Dekameroni i Bokaços (Boccaccio). 

 

6. 

 

Janë edhe dy vepra të letërsisë moderne që përshkruajnë epidemitë. Së pari: “Murtaja” i Albert Camus (Kamy). Në qytetin Oran në bregdetin perëndimor të Algjerisë minjtë e ngordhur paralajmërojnë hatanë: epideminë e murtajës. Mjeku Bernard Rieux ndien rrezikun dhe përkundër rezistencës arrin të ndërmarrë masa për futjen e banorëve në karantinë. Një shoqëri e mbyllur lufton kundër murtajës. Romani tjetër është “Qyteti i të verbërve” i shkrimtarit portugez, Jose Saramago, në të cilin përshkruhet verbërimi i një qyteti. Fillimisht verbohet një burrë në një udhëkryq, pas tij njëri pas tjetrit. Qeveria nuk di si të veprojë dhe të vendosë t’i fusë të verbrit në një çmendinë. Të verbrit duhet ta organizojnë vetë disi jetën, por me ardhjen e njerëzve të tjerë të infektuar situata bëhet gjithnjë e më e rëndë, kaotike, e dhunshme. Te ferma e kafshëve e George Orwellit pushtetin e marrin derrat dhe terrorizojnë kafshët e tjera, te Saramago një grup burrash, të cilët me brutalitet të shfrenuar shtypin të tjerët. Kur një shoqëri ballafaqohet me një epidemi dhe me rrezikun e padukshëm të përhapjes, atëherë shpejt humb ndjenja e solidaritetit. Secili mendon për vete. Kështu është në letërsi. Në realitet, së paku sa i përket Zvicrës, ekspertët kanë bërë këtë prognozë: edhe në rast të skenarit më të keq të infektimit me koronavirus, 99,6 për qind e banorëve të Zvicrës do të mbijetonin. Por përqindja është cinike. Përkthyer në shifra më të kapshme, kjo domethënë se do të vdisnin 30 mijë veta./Koha

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0